Protestat dhe turizmi: Si u kthyen rezervimet në një betejë narrativash
Pretendimet për anulime rezervimesh pas protestave qytetare kanë hapur një debat publik mbi ndikimin e tyre në sezonin turistik. Ndërsa qeveria dhe një pjesë e operatorëve flasin për pasoja ekonomike, ekspertë dhe përfaqësues të sektorit thonë se deri tani mungojnë prova publike që protestat kanë ndryshuar sjelljen e turistëve apo të operatorëve ndërkombëtarë.
Protestues gjatë një prej tubimeve të organizuara në Tiranë. Foto: Media Amfora.
Protestat qytetare, të cilat prej fillimit të qershorit zhvillohen çdo ditë në Tiranë dhe në disa qytete të tjera të vendit, kanë sjellë në qendër të debatit publik edhe ndikimin që ato mund të kenë në turizëm.
Debati mori një tjetër dimension më 14 qershor, kur Kryeministri Edi Rama, në hyrje të podcastit “Flasim”, tha se protestat po shoqëroheshin me anulime rezervimesh nga turistët e huaj. Duke iu referuar mesazheve të marra nga operatorë turistikë, ai paralajmëroi se vazhdimi i protestave mund të ndikonte jo vetëm te bizneset e lidhura me turizmin, por edhe te ekonomia familjare e mijëra qytetarëve dhe ekonomia e vendit në tërësi.
“Dua të ndalem tek një simptomë shumë problematike, e cila po forcohet dita-ditës: anulimet e rezervimeve për sezonin nga turistët e huaj. Kam marrë shumë mesazhe… edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, duke kërkuar mirëkuptim që sezoni të mos dëmtohet, sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë familjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe për ekonominë kombëtare”, tha Rama në podcastin e tij.
Protestat, të cilat nisën në fillim të qershorit si reagim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec dhe më pas u zhvendosën para godinës së Kryeministrisë në Tiranë, nuk kanë mbledhur vetëm aktivistë mjedisorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe qytetarë.
Pjesë e protestave janë bërë edhe persona të lidhur prej vitesh me sektorin e turizmit. Mes tyre është konsulentja e udhëtimeve Flora Xhemani Baba, e cila ka qenë pothuajse çdo mbrëmje pjesë e protestave, duke ndarë në rrjetet sociale foto, video dhe komente mbi zhvillimin e tyre. Në postimet e saj, ajo ka kundërshtuar pretendimet se protestat po dëmtojnë turizmin, duke argumentuar se prania e turistëve në qendër të Tiranës tregon të kundërtën.
“Dhe me këto pamje, që na sigurojnë se protesta nuk i tremb turistët dhe bizneset mund të vazhdojnë të qetë aktivitetin e tyre të sezonit të suksesshëm turistik…”, shkroi ajo më 14 qershor në rrjetet sociale.
Qëndrimi i saj nuk mbeti i izoluar. Me zhvillimin e protestave, argumente të ngjashme u artikuluan edhe nga zëra të tjerë të lidhur me trashëgiminë kulturore dhe turizmin.
Mes tyre ishte edhe studiuesi Auron Tare. Në një reagim publik të 17 qershorit, ai vlerësoi se narrativa sipas së cilës protestat po dëmtonin turizmin nuk mbështetej nga zhvillimet në terren. Si shembull solli mbërritjen në Portin e Sarandës të kroçerës amerikane “Seabourn”, duke argumentuar se kompanitë e kroçerave ndryshojnë itineraret vetëm kur një destinacion konsiderohet realisht i pasigurt.
“Po të ishte Shqipëria një vend i përfshirë nga trazira dhe pasiguri, kjo kroçerë nuk do të ankorohej sot në Sarandë. Përkundrazi, pas saj janë planifikuar të mbërrijnë edhe anije të tjera turistike, sipas kalendarit të zakonshëm të sezonit”, shkroi Tare.
Në të njëjtin reagim, ai theksoi se mungesa e një paralajmërimi nga Ambasada Amerikane për protestat dhe vijimi normal i lëvizjes së turistëve tregonin se situata nuk perceptohej si kërcënim për vizitorët e huaj. Sipas tij, rreziku afatgjatë për turizmin nuk lidhet me protestat paqësore, por me zhvillimin e pakontrolluar të zonave të mbrojtura dhe humbjen e identitetit natyror e kulturor të vendit.
Ndërsa këta zëra argumentonin se protestat nuk po krijonin pasoja të dukshme për turizmin, një pjesë e operatorëve të sektorit shprehën një shqetësim krejt tjetër.
Më 12 qershor, operatorë turistikë në Durrës organizuan një protestë sensibilizuese, duke kërkuar që sezoni turistik të mos ndikohej nga protestat që zhvilloheshin në Tiranë. Ata deklaruan se kishin vënë re një ngadalësim të rezervimeve, veçanërisht nga tregje si Gjermania dhe vendet skandinave.
“Sektori i turizmit është mjaft delikat dhe, nëse protestat nuk do të ndalen, rrezikohen rezervimet e muajit shtator dhe në vijim”, u shpreh gjatë protestës sensibilizuese të zhvilluar në sheshin “Liria”, Eduart Xhepa, kryetar i Shoqatës së Turizmit në Durrës.
Deklaratat e operatorëve në Durrës e zgjeruan debatin mbi protestat edhe në dimensionin ekonomik. Ndërsa një pjesë e përfaqësuesve të sektorit paralajmëruan se protestat mund të ndikonin rezervimet dhe vijimin e sezonit turistik, zëra të tjerë të lidhur me turizmin argumentuan se mungonin shenja që ta mbështesnin këtë shqetësim. Kjo e ktheu ndikimin e protestave në turizëm në një nga temat më të diskutuara të javëve në vijim.
Në të njëjtën linjë u shpreh edhe eksperti i turizmit Dionis Sota. Në një analizë të publikuar në rrjetet sociale, ai vlerësoi se nuk kishte prova publike që operatorët e huaj turistikë të kishin ndryshuar paketat për Shqipërinë apo që protestat të kishin sjellë ndryshime në këshillat zyrtare të udhëtimit.
“Nuk ka prova që operatorët turistikë kanë ndryshuar paketat. Nuk rezulton që operatorë të mëdhenj evropianë ose britanikë të kenë hequr Shqipërinë nga katalogët, pezulluar turet, anuluar charter-at apo ndryshuar itineraret për Vlorën, Sarandën ose Ksamilin”, shkroi ai më 15 qershor.
“Deri në këtë moment, nuk ka prova që operatorët turistikë të huaj kanë lëshuar paralajmërime të reja ose kanë ndryshuar paketat për Shqipërinë”, shtoi Sota në të njëjtin reagim.
Me kalimin e ditëve, debati për ndikimin e protestave në turizëm u zgjerua përtej deklaratave të aktorëve të sektorit. Ai u pasqyrua në reagime publike, postime në rrjetet sociale dhe në vetë protestat, ku argumentet mbi ndikimin e tyre në sezonin turistik u bënë pjesë e diskutimit të përditshëm.
Ndërsa debati vijonte të zgjerohej, ai u përfshi edhe në komunikimin e përditshëm politik. Përfaqësues të mazhorancës, mes tyre edhe ministri i Shtetit Taulant Balla, përmes postimeve në rrjetet sociale dhe deklaratave publike, i kanë cilësuar protestat si të dëmshme për turizmin dhe ekonominë, duke argumentuar se ato krijojnë pasiguri në kulmin e sezonit veror.
Debati u reflektua edhe gjatë vetë protestave. Në ditën e 28-të të tyre, në foltoren e improvizuar u ngjit edhe një turist britanik, i cili kundërshtoi publikisht pretendimet se protestat po dekurajonin vizitorët e huaj të udhëtonin drejt Shqipërisë.
“Edi Rama tha se turistët janë të trembur të vijnë se ka protesta këtu. Unë erdha nga Mbretëria e Bashkuar për të thënë këtu se ato janë broçkulla!”, u shpreh ai para protestuesve.
Me kalimin e ditëve, protesta, e cila nisi si reagim ndaj projektit turistik në Zvërnec, u zgjerua duke përfshirë kundërshtimin ndaj ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, investimeve strategjike, mënyrës së qeverisjes dhe akuzave për korrupsion. Paralelisht me zgjerimin e kauzave, në hapësirën publike po zhvillohet edhe një debat për ndikimin që protestat mund të kenë në turizëm.
Përtej qëndrimeve të ndryshme, turizmi po kthehet në një nga argumentet më të përdorura në diskutimin publik rreth protestave. Në këtë debat, sektori nuk trajtohet vetëm si një tregues ekonomik, por edhe si një element përmes të cilit aktorë të ndryshëm politikë, përfaqësues të turizmit, ekspertë dhe vetë protestues mbështesin argumentet e tyre në hapësirën publike.