Protesta para Kuvendit, aktivistë dhe një gazetare mes të shoqëruarve në polici
Protesta e zhvilluar të enjten përpara Kuvendit u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit, përdorim të mjeteve për shpërndarjen e turmës dhe shoqërimin e dhjetëra personave. Mes tyre ishin aktivistë të lëvizjes “Revolucioni i Flamingove” dhe gazetarja e “Citizens.al”, Vjolanda Peca, çka solli reagime nga Organizatat e Shoqërisë Civile për mosrespektimin e lirisë së tubimit dhe të medias.
Policia e Shtetit e shpërndau me ujë dhe me mjete të tjera protestën. Foto: Media Amfora
Protesta e zhvilluar për mbi 8 orë të enjten përpara Kuvendit të Shqipërisë u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë së Shtetit, përdorim të mjeteve për shpërndarjen e turmës dhe shoqërimin e dhjetëra personave në komisariat.
Mes të shoqëruarve ishin aktivistë të lëvizjeve qytetare dhe një gazetarja e medias “Citizens.al”, Vjolanda Peca, e cila po raportonte nga terreni. Komiteti Shqiptar i Helsinkit dënoi kufizimin e lirisë së saj dhe ngriti shqetësime për mënyrën e shoqërimit të disa protestuesve, të cilët u liruan disa orë pas shoqërimit në komisariat.
Në reagimin e saj publik, redaksia e “Citizens.al” bëri të ditur se gazetarja u shoqërua në Komisariatin nr. 1 ndërsa ishte duke ushtruar detyrën dhe u mbajt për më shumë se dy orë, duke shtuar se shoqërimi ishte kundër vullnetit dhe se mbajtja në komisariat ishte “e papranueshme dhe një shkelje të rëndë të lirisë së ushtrimit të profesionit që nuk duhet të përsëritet”.
Protesta u zhvillua paralelisht me seancën e fundit plenare të sesionit parlamentar dhe ishte pjesë e mobilizimit të njohur si “Revolucioni i Flamingove”, një lëvizje që nisi 54 ditë më parë si kundërshtim ndaj projektit për ndërtimin e një resorti turistik në Zvërnec dhe që më pas u zgjerua në një protestë me kërkesa më të gjera politike kundër qeverisë.

Qindra qytetarë u mblodhën prej orës 8 të mëngjesit përpara Kuvendit, duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë protestës pati momente tensioni, pasi një pjesë e protestuesve tentuan t’i afroheshin perimetrit të sigurisë të vendosur nga policia. Pas hedhjes së vezëve në drejtim të automjeteve të deputetëve dhe të vetë atyre, forcat e rendit ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës, ujë me presion dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën.
Aktivisti Edison Lika – një prej figurave më të njohura të protestës – ishte duke dhënë një intervistë të drejtpërdrejtë për televizionin “News24”, kur u rrethua nga disa punonjës policie dhe u tërhoq zvarrë nga vendi i ngjarjes. Në pamjet e transmetuara Lika nuk evidentohej që të ishte duke kryer veprime të dhunshme.
Përveç Likës dhe Pecës, gjatë protestës u shoqëruan edhe aktivistët Mirela Ruko, Emiljando Kita dhe Ylli Tarafuçi, pjesë e “Lëvizjes Bashkë”, si edhe aktivistët Arnen Sula dhe Elsa Paja. Në reagimin e saj publik, Lëvizja Bashkë dënoi atë që e cilësoi shoqërim të dhunshëm të aktivistëve të saj dhe kërkoi respektimin e së drejtës kushtetuese për protestë.
Ndërkohë, ish-deputetja socialiste dhe studiuesja Ledi Shamku, reagoi përmes rrjeteve sociale duke bërë të ditur se mes të shoqëruarve ndodheshin edhe antropologia dhe artistja amerikane Carrie Ann Morgan.
Sa i përket numrit të personave të shoqëruar, megjithëse ata janë disa, Policia e Shtetit nuk ka bërë me dije deri më tani numrin e tyre dhe të personave të lënduar që kanë marrë trajtim mjekësor, përfshirë punonjësit e policisë. Ndërsa në videot e ndara në rrjetet sociale shiheshin punonjës policie me veshje civile që ndalonin qytetarët në rrugë dhe më tej brenda ambienteve private, si qendrat tregtare.
Protesta e së enjtes konsiderohet një nga më të tensionuarat që prej nisjes së “Revolucionit të Flamingove”. Përveç përplasjeve mes protestuesve dhe policisë, ngjarjet e ditës rikthyen në vëmendje debatin mbi kufijtë e përdorimit të forcës gjatë menaxhimit të tubimeve publike, mbrojtjen e gazetarëve në terren dhe garantimin e të drejtave themelore të qytetarëve për t’u tubuar dhe për të shprehur qëndrimet e tyre.