Protesta para Kuvendit, 24 organizata kërkojnë hetim të pavarur për pretendimet për dhunë
Organizatat e shoqërisë civile kanë kërkuar hetim të pavarur për pretendimet e dhunës ndaj protestuesve të arrestuar pas protestës së 2 korrikut, duke vlerësuar se çdo rast i dyshuar për keqtrajtim duhet të hetohet në mënyrë të paanshme dhe efektive.
Momenti i arrestim të protestuesve. Foto: "Screenshot" nga video Komitetit Shqiptar i Helsinkit.
Pretendimet për dhunë ndaj protestuesve të arrestuar pas protestës së 2 korrikut kanë nxitur reagimin e 24 organizatave të shoqërisë civile, të cilat kërkojnë hetim të pavarur, garantimin e të drejtës së mbrojtjes dhe dokumentimin e plotë të çdo rasti të dyshuar për keqtrajtim.
“Çdo pretendim i besueshëm për keqtrajtim duhet të hetohet pa vonesë, në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe efektive. Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe çdo institucion tjetër duhet të respektojnë këtë proces dhe të shmangin çdo deklarim apo veprim që mund të paragjykojë rezultatin e hetimit”, thuhet në deklaratën e organizatave.
Reagimi vjen disa ditë pas protestës së zhvilluar më 2 korrik para Kuvendit dhe pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila më 5 korrik liroi nga qelia 19 protestues të arrestuar, ndërsa për një pjesë të tyre caktoi masën e sigurisë “detyrim për t’u paraqitur”. Organizatat shprehen se pas lirimit, disa protestues dhe përfaqësuesit e tyre ligjorë kanë bërë publike pretendime për përdorim force gjatë arrestimit dhe transportimit në automjetet e policisë, si edhe për pengesa në kryerjen e ekzaminimeve mjekësore dhe në aksesin te avokatët mbrojtës.
Sipas deklaratës, disa prej protestuesve pretendojnë se janë goditur edhe pasi ishin neutralizuar dhe prangosur, ndërsa të tjerë raportojnë përdorimin e sprajit irritues dhe dhunë gjatë transportimit drejt komisariatit. Organizatat theksojnë se këto pretendime kërkojnë verifikim të menjëhershëm nga organet përgjegjëse dhe se përdorimi i forcës ndaj personave që ndodhen nën kontrollin e policisë nuk mund të justifikohet.
“Në të njëjtën kohë, aktet e dhunshme të kryera nga individë të veçantë nuk mund të përdoren për të kriminalizuar apo denigruar në tërësi një protestë paqësore, as për të justifikuar përdorimin joproporcional të forcës apo keqtrajtimin e personave që ndodhen nën kontrollin e forcave të policisë”, thuhet në deklaratë. Organizatat dënojnë gjithashtu çdo akt dhune, përfshirë dëmtimet ndaj Komisariatit nr. 3 të Policisë së Shtetit.
Një pjesë e reagimit ndalet edhe te kujdesi mjekësor për personat e ndaluar. Organizatat shprehen se disa protestues kanë pretenduar se nuk morën në kohë ndihmë mjekësore dhe se nuk iu mundësuan ekzaminime të plota mjeko-ligjore për dokumentimin e dëmtimeve. Sipas tyre, vonesat në dokumentimin e dëmtimeve mund të cenojnë efektivitetin e hetimit dhe ruajtjen e provave.
Në deklaratë ngrihen shqetësime edhe për deklaratat publike të Ministrit të Brendshëm lidhur me pretendimet e ngritura nga avokatët mbrojtës të disa protestuesve. Organizatat vlerësojnë se pretendimet për keqtrajtim nuk duhet të shpallen të pabaza përpara se të përfundojë një hetim i pavarur dhe se deklarime të tilla mund të ndikojnë në besimin ndaj procesit hetimor.
Organizatat mes të cilave dhe Qendra Amfra kërkojnë që të garantohet e drejta e mbrojtjes dhe aksesi efektiv i personave të ndaluar te avokatët e zgjedhur prej tyre. Sipas deklaratës, disa avokatë kanë raportuar vështirësi për të takuar klientët e tyre në orët e para pas arrestimit, periudhë që konsiderohet me rëndësi për garantimin e të drejtave procedurale.
Në përfundim, organizatat i bëjnë thirrje Prokurorisë të zhvillojë një hetim të pavarur dhe të paanshëm, të sigurojë pamjet filmike të protestës dhe ambienteve ku janë mbajtur protestuesit, të mundësojë ekspertime të pavarura mjeko-ligjore dhe të garantojë ruajtjen e të gjitha provave.
Organizatat nënshkruese:
Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Qendresa Qytetare
Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)
Qendra për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Zhvillim të Qëndrueshëm (All Green Centre)
Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER)
Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive
Gruaja Shqiptare në Audiovisual
Civil Rights Defenders, Shqipëri
Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri
Qendra Amfora
Citizens
Qendra për të Drejtat e Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT Shqipëri)
Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA)
Partners Albania
Albanian Center for Quality Journalism (ACQJ)
Rrjeti Erasmus Tirana
Gender Alliance for Development Center
AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri
Together For Life (TFL)
Instituti Shqiptar i Shkencës (AIS)
Fondacioni Së Bashku
Faktoje
Cooperation and Development Institute (CDI)
The Center for the Study of Democracy and Governance (CSDG)