Pitirim Sorokin dhe komplekset e një populli
Sipas projeksioneve të OKB-së, në vitin 2100 në Shqipëri do të kenë mbetur vetëm 800.000 banorë. Nuk është e vështirë të imagjinosh nga këtu se në vitin 2200 për Shqipërinë dhe shqiptarët do të shkruajnë vetëm librat e historisë. Rruga duket e shenjuar dhe e pashpresë, por sociologët e mëdhenj si Toynbee dhe Sorokin na japin rrugën e daljes.
Fshati Theth në Alpet Shqiptare. Foto: Pexels
Pitirim Sorokin kishte qenë themeluesi i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Shën Pjetërburgut aty nga viti 1919. Kundërshtar i thekur i Leninit dhe i lëvizjes bolshevike në përgjithësi, Sorokinit iu desh të përballonte disa muaj burg dhe disa vite internim para se të largohej përfundimisht nga Rusia në vitin 1922.
Për më shumë se 8 vite ai jetoi ilegalisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si një emigrant pa shtetësi. Kjo nuk e pengoi të jepte mësim pranë Universitetit të Minesotës deri në vitin 1929. Në vitin 1930, Universiteti prestigjioz i Harvardit i kërkon të themelojë Departamentin e Sociologjisë.
Këtë të fundit ai e drejton për 12 vite, deri në vitin 1942, duke e kthyer në një nga departamentet më të rëndësishme të sociologjisë në botë.
Pa asnjë diskutim, Pitirim Sorokin është edhe sot një nga sociologët më të famshëm dhe më të rëndësishëm në botën akademike dhe atë politike. I ndikuar fort nga Adleri dhe Tolstoi, ai shkruan në vitin 1950 një nga veprat themelore të sociologjisë që titullohet Social and Cultural Dynamics.
Përmes kësaj kryevepre sociologjike, të shtrirë në 5 vëllime, Sorokini prek tema që shkojnë nga arti, te morali, ligji, e vërteta, lufta dhe marrëdhëniet sociale mes shtresave të ndryshme kulturore dhe shoqërore. Ndër to, tema aq shumë aktuale për vendin tonë, ajo e kompleksit të inferioritetit kolektiv.
Tek Social and Cultural Dynamics, Sorokini tregon se, ashtu si individi që, sipas Adlerit, zhvillon komplekse inferioriteti, edhe popujt mund të përjetojnë të njëjtën gjendje, vetëm se në përmasa shumë më të mëdha dhe me pasoja më të thella.
Kur popujt humbasin luftëra të njëpasnjëshme, territore, kur mbeten të pushtuar dhe të drejtuar nga të huajt për shumë kohë, kur shohin institucionet e tyre politike të shpërbëra dhe kulturën e tyre të përçmuar, atëherë në thellësi të shpirtit kolektiv fillon të rrënjoset një gjendje që Sorokini e përshkruan si ndjenja e “inferioritetit kolektiv”.
Kjo nuk është thjesht një ndjesi e përkohshme, as një pasojë e rastësishme e fatit, por një proces i gjatë i brendësimit të ideve të huaja, i humbjes së misionit historik, i zbehjes së vetëbesimit të një qytetërimi të tërë.
Në faqet e vëllimit të tretë, ku ai flet për luftërat, revolucionet dhe marrëdhëniet shoqërore, Sorokini sjell shembuj të shumtë të kombeve që, pas humbjes ose pushtimit, filluan ta shohin veten si të pavlerë përballë të tjerëve.
Popujt e kolonizuar, për shembull, shpesh e përvetësuan vetë gjuhën e pushtuesve të tyre për të ndjerë se kishin një vend në botë; ata braktisën traditat e tyre, veshjet e tyre, madje edhe historitë e tyre, për të hyrë në formën që kultura dominuese u ofronte. Kështu, inferioriteti nuk ishte më vetëm një perceptim, por u kthye në një strategji mbijetese.
Ky proces manifestohej në mënyra të ndryshme. Disa popuj zhyteshin në një imitim të verbër të kulturës së huaj, duke e parë çdo gjë të ardhur nga jashtë si të përkryer dhe çdo gjë të tyre si të prapambetur. Të tjerë zhvillonin një pasivitet të gjatë, duke pranuar pa zë se koha e tyre kishte marrë fund dhe se duhej të jetonin nën hijen e qytetërimeve të tjera.
Ndërsa, në raste të tjera, kjo ndjenjë e thellë inferioriteti shpërthente në revolucione të dhunshme, si një përpjekje e dëshpëruar për të rikthyer vlerën e humbur.
Në asnjë paragraf Sorokin nuk i referohet Shqipërisë, por ndërsa lexon ato 5 vëllime, të krijohet përshtypja se populli ynë ka kaluar në të gjitha fazat e këtij inferioriteti kolektiv. Për 500 vjet kemi humbur çdo luftë për pavarësi, territoret tona u copëtuan dhe u grabitën nga të gjithë; grekë, serbë, madje edhe malazezët na morën diçka.
Gjuha jonë ka mbetur shumë pak e pandikuar nga latinishtja, greqishtja, sllavishtja dhe turqishtja. Institucionet tona politike kanë humbur në sytë e popullit çdo lloj kredibiliteti, ndërsa ato kulturore nuk ekzistojnë më në asnjë formë, përveçse me vendim të Këshillit të Ministrave.
Ne vetë tentojmë të reagojmë në mënyrë të çorganizuar, duke i vënë fajin politikës dhe duke u kapur pas lavdive imagjinare të së shkuarës dhe delireve pseudoshkencore.
Lajmi i mirë është se Sorokini nuk e sheh këtë gjendje si të përhershme. Në ciklin e madh të qytetërimeve, inferioriteti kolektiv është një fazë kalimtare. Roma e vonë, që u dorëzua para barbarëve, u pa fillimisht si e vdekur, por më vonë gjeti pasardhësit e saj në perandoritë dhe kulturat e tjera që ringjallën trashëgiminë e saj.
Evropa mesjetare u ndie e dobët përballë Islamit triumfues, por më vonë nisi epokën e Rilindjes dhe eksplorimeve. Po kështu, shoqëritë aziatike e afrikane që e ndien veten inferiore përballë Perëndimit industrial, më vonë filluan të ringrihen duke ofruar forma të reja rezistence dhe zhvillimi.
Zgjidhja është aty dhe përfshin disa momente, të cilat Sorokini i ka të ngjashme me një tjetër intelektual brilant si Arnold Toynbee, të cilin e kemi trajtuar në një artikull të disa muajve më parë.
Një popull që ndihet inferior duhet së pari të rikthejë lidhjen me vlerat e veta historike dhe shpirtërore. Kjo është baza: të kuptosh se trashëgimia jote nuk është më pak e vlefshme se e fqinjëve të tu. Historia, arti, zakonet dhe institucionet e kaluara janë thesare që mund të kthehen në burim besimi.
Pa këtë, çdo përpjekje tjetër është e brishtë. Por kujdes, ato duhet të jenë vlerat e veta të vërteta, jo të gjetura dhe të integruara me dhunë, si për shembull trashëgimia pellazgjike apo çmenduria e fundit e një Atlantide në Gjirin e Durrësit.
Më pas, ai popull duhet të analizojë dobësitë dhe forcën e tij me sinqeritet. Inferioriteti shpesh lind nga krahasimi i verbër me të tjerët, duke harruar kapacitetet e brendshme. Njohja e asaj që mund të bëhet dhe ku duhet përmirësuar është një hap kritik.
Ky vetëvlerësim nuk është arrogancë, por një reflektim realist që çliron energjitë e humbura. Nuk ka, për shembull, pse të na trembë fama e filozofëve grekë dhe as Perandoria Romake. Jo, ne nuk jemi burimi i forcës së tyre. Por po, ne kemi rolin tonë në historinë e Europës.
Pas kësaj, duhet të veprohet në mënyrë krijuese dhe aktive. Populli nuk mund të presë që rrethanat të ndryshojnë vetë; duhet të ndërtojë institucione të forta, arsimin, kulturën dhe artin. Krijimtaria është ajo që shndërron ndjenjën e inferioritetit në energji pozitive. Çdo sukses, madje edhe i vogël, ndërton vetëbesimin kolektiv.
Një tjetër hap është mbajtja e identitetit dhe autonomisë kulturore, pa imituar verbërisht të tjerët. Huazimet janë të dobishme, por ato duhet të integrohen duke respektuar vlerat dhe traditat kombëtare. Në këtë mënyrë, populli krijon një kulturë që është e vetëdijshme për fuqinë e saj dhe e hapur për inovacion.
Së fundi, bashkimi dhe solidariteti shoqëror janë thelbësorë. Kur populli e ndjen veten pjesë të një komuniteti të fortë, ku secili kontribuon dhe ka vendin e vet, ndjenja e dobësisë kolektive zvogëlohet automatikisht. Revolucioni i brendshëm i vetëbesimit shpesh lind nga këto lidhje të forta mes individëve dhe komunitetit.
Në fund, ajo që Sorokini sugjeron është se inferioriteti kolektiv nuk është thjesht ndjenjë, por një gjendje shoqërore që lind nga krizat, nga humbjet dhe nga rëniet kulturore. Por është gjithashtu edhe preludi i një ringjalljeje të mundshme, sepse popujt, ashtu si individët, nuk qëndrojnë gjithmonë në gjendjen e tyre të poshtëruar.
Në një moment, energjitë e tyre të brendshme zgjojnë një valë të re krijimtarie dhe ndjenja e inferioritetit shndërrohet në shtysë për të rigjetur vendin e tyre në historinë e botës.
Pa e kuptuar, Shqipëria është futur në një udhëkryq. Sipas projeksioneve të OKB-së, nëse shkalla e emigracionit do të mbetet e pandryshuar, në Shqipëri do të kenë mbetur vetëm 800.000 banorë, ndërsa në vitin 2200 ne do të jemi zhdukur plotësisht si popull.
Rruga tjetër është të çlirohemi nga ideja se fajin na e ka politika, Serbia, Greqia… tjetri, dhe të ndërtojmë ne vetë të ardhmen tonë, këtu në Shqipëri. Pa i treguar vetes dhe botës përralla nga e kaluara, duke respektuar atë çka jemi në të vërtetë dhe duke luftuar për fitore të vogla dhe të padukshme.