Kombi shqiptar humbi eruditin Moikom Zeqo, njeriu i letrave dhe pasionanti i arkeologjisë

Eruditi Moikom Zeqo u shuajt në moshën 71 vjeçare mëngjesin e kësaj të hëne për tu përjetësuar në panteonin e studiuesve më të shquar të kombit Shqiptar.

Prej kohësh i kalonte javët midis apartamentit në kryeqytet dhe pavijonit të spitalit, ku trajtohej për leuceminë akute, që po ja pakësonte ditët. I kredhur midis librave, nuk reshti së publikuari poezi dhe publicistikë.

“Fata Morgana”, ishte metafora me të cilën e titulloi librin e fundit. Kufizimin gjatë COVID-19 e shfrytëzoi për të hedhur në rreshta dorëshkrimet e poezive vetjake të viteve’ 73 dhe ‘93.

Moikom Zeqo u lind në Durrës më 3 qershor të vitit 1949. Me mbarimin e studimeve të larta në degën e Gjuhë-Letërsisë fillimisht punoi si redaktor letrar në gazetën “Drita”. Shpejt pasionin për poezitë e ndërthuri me atë për arkeologjinë.

Në vitin 1979 ju bashkua për 8 vite Muzeut Arkeologjik të Durrësit,  duke vijuar më tej si specialist në sektorin e artit antik në Akademinë e Shkencave në Tiranë.

Zeqo ishte ndër të parët që realizuan zhytje me qëllime njohëse të arkeologjisë nënujore në Shqipëri, pak të njohur deri në atë kohë. Ndër vite ai ngriti zërin për dëmtimin e arkeologjisë në Shqipëri, e sidomos asaj në Durrës.

Në prill të vitit 2018 Moikom Zeqo dhe arkeologu Fatos Tartari u shprehën për projektin e Bashkisë së Durrësit për ndërtimin e një nënkalimi me platformë betoni dhe planin për ngritjen e pallatit të Drejtësisë në lulishten e Mauzoleumit të Dëshmorëve, që rrezikonin me zhdukje pjesën e mbijetuar deri më sot të lagjes antike romake dhe sipas arkeologëve rrezikohej të zhdukej një epokë historike të shkëlqimit të qytetit bregdetar.

Përveç rezervave për zhvillimin urbanistik të gabuar të qytetit të Durrësit, Zeqo zbuloi hapur rriskun e lartë të dëmtimit të arkeologjisë nga ky projekt publik, i cili u anulua më pas megjithëse Bashkia Durrës kishte prokuruar paratë për fazën e parë të investimit.

Eruditi Zeqo është edhe autor i 100 librave në poezi, prozë, eseistikë dhe publicistikë. Veprat e tij janë përkthyer në disa gjuhë të huaja, si anglisht, spanjisht, gjermanisht etj. Në kohën e lirë ai i përkushtohej edhe pikturës e po aq kritikës së artit.

Në vitet e para të pluralizmit politik ai u emërua kryetar i Komitetit të Kulturës dhe ju dha portofoli i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Po në vitin 1991 u zgjodh deputet i Partisë Socialiste dhe shërbeu deri në vitin 1996, duke spikatur si një deputet me profil intelektual.

Pas shkëputjes nga politika ai u zgjodh drejtor në Muzeun Historik Kombëtar. Zeqo vlerësohet sot si një nga personalitetet e njohura të kulturës sonë kombëtare. Veprat e tij dallohen për një stil lakonik, të ngjeshur dhe eruditë dhe mbahet si pionier i post modernizmit në letrat shqipe.

Për kontributin e tij për kombin ai u dekorua me Urdhrin e Lartë “Mjeshtër i Madh” dhe “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Për shkak të kufizimeve nga pandemia e COVID-19 Zeqo nuk do mundet të përcillet me të gjitha nderimet e merituara drejt banesës së fundit.

Foto në krye: Moikom Zeqo në prill të vitit 2018, duke folur gjatë një interviste për rrezikimin e arkeologjisë në Durrës. Foto: Geri Emiri, Amfora.al


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109