Etja për thesar ka kthyer përmbys zonat arkeologjike, arrestimi i trafikantëve në Durrës sinjal pozitiv

BLOG/

Policia e Durrësit arrestoi 3 trafikantë të objekteve arkeologjike dhe konfiskoi një amforë dhe basoreliev, të cilësuara nga arkeologët se përfaqësojnë vlera të veçanta. “Piratët e thesareve” ndër vite kanë dëmtuar parqet dhe zonat arkeologjike në kërkim të sendeve me vlerë, teksa shumica e rasteve mbeten pa autor.

Mëngjesin e së martës Policia e Durrësit njoftoi se arrestoi 3 persona qe tentuan të trafikonin 2 objekte të periudhës së antikitetit. Objektet e identifikuara si “vepra arti” sipas arkeologëve datojnë se paku 2600 vite më parë.

Operacioni policor i koduar “Antikat” përfundoi me arrestimin e 49 vjeçarit me iniciale A. V., banues në Fier, i cili drejtonte automjetin ku u gjetën veprat e artit, 37 vjeçari me iniciale A. V. dhe 48 vjeçari me iniciale R. Z., të dy banues në Tiranë.

Trafikantët e veprave të artit shpesh janë pjesë e grupeve të strukturuara të atyre që njihen si “gërmuesit klandestin” apo “kërkuesit e thesareve”. Pas 50 vjetësh arkeologët shqiptarë dhe ata gjermanë gërmuan në prill të vitit 2018 për të nxjerrë në dritë pjesë të rrënojave të qytetit antik të Zgërdheshit (Krujë), i pagëzuar që më 1854 si “Albanopolis”, qyteti që u dha njërin prej emrave shqiptarëve. 

“Amfora.al” mësoi se pak ditë më pas banorët e zonës dhe punonjësit e pushtetit vendor kishin njoftuar policinë për shkak se ishin parë dhe konstatuar gërmime arkeologjike klandestine. “Piratët” u rikthyen sapo nuhatën zbulimet e reja që u ekspozuan në media. Më herët gropat e tyre kishin gërryer dyshemenë e kishës në kodër.

49 vjeçari i arrestuar sot në Durrës jetonte në Fier sipas policisë dhe siguronte veprat e artit, ndërsa dy personat e tjerë gjenin klientët për shitjen e tyre. Operacioni erdhi pas 3 javësh hetime dhe veprat sipas njoftimit për mediat do të shiteshin kundrejt shumës 18 deri në 25 mijë euro secila. Policia e Durrësit u shpreh se materialet do t’i kalojnë prokurorisë së qytetit, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”, e kryer në bashkëpunim.

Amfora e konfiskuar sot nga policia në Durrës. Foto: Policia e Durrësit.

Arkeologët në Durrës interpretuan se objekti prej qeramike është një “Amforë korintike e tipit A”, e cila i përket shekujve VI-V para Erës Sonë. Mendohet se ajo ka shërbyer për transportin e verës ose të vajit të ullirit në rrugë detare.

Specialistët e trashëgimisë kulturore u dukën entuziastë teksa u shprehën në kushtet e anonimatit se në fondin arkeologjik të Durrësit nuk ka asnjë ekzemplar të tillë që të jetë i plotë, por vetëm fragmente, teksa apeluan që gjetjet e konfiskuara në Durrës të dorëzohen dhe ekspozohen në muzeun arkeologjik të qytetit.

Për objektin e dytë, arkeologët u shprehën pa dashur të citohen se ngjason me një stelë varri dhe se ajo duket të jetë gdhendur mbi një gur gëlqeror që mund të jetë punuar nga mjeshtrat lokal dhe duke analizuar thellësinë e basorelievit mendohet se ajo është e periudhës helenistike, ngjashëm me moshën e amforës së zbuluar. Ajo paraqet një skenë ku shfaqet një njeri dhe përbri tij një kokë luani.

Basorelievi i konfiskuar sot nga policia në Durrës. Foto: Policia e Durrësit.

Klandestinët në kërkim të thesareve kanë kthyer përmbys zonat arkeologjike

Në muajin shkurt të vitit 2017 policia në Fier prangosi dy persona dhe shpalli në kërkim 2 të tjerë. Ata u akuzuan për gërmime të paligjshme në Parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe sipas raportimeve në media të arrestuarit në bashkëpunim me njëri-tjetrin u dyshuan se për një periudhë të gjatë kohe kanë gërmuar dhe kanë nxjerrë rreth 230 objekte arkeologjike, si bronz, hekur dhe qeramikë.

Policia e Fierit saktësoi se personat e arrestuar këto objekte i grumbullonin në banesa dhe më pas kishin qëllim trafikimin e tyre. Njoftimi në atë kohë raportoi se në banesën e njërit prej të arrestuarve u sekuestrua një pajisje detektor (kërkues metali) për gjurmim të antikuarëve.

Teksa rasti i Apolonisë ka të bëjë me gërmime pirate të mirë organizuara që janë pranë fshatrave, as qyteti antik i Orikut, që ndodhet brenda Bazës Ushtarake Detare të Pashalimanit (Vlorë) nuk i ka shpëtuar klandestinëve.

Në Nekropolin e Sadovinës arkeologët e Drejtorisë së Kulturës Vlorë në bashkëpunim me arkeologët e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik, gjatë muajit korrik 2015 kryen punime gërmim-shpëtimi në rreth 15 varre të dëmtuara nga gërmimet klandestine, ku kishin mbetur pas objekte zbukurimi prej ari, qelqi dhe sende të ngjashme me vlerë.

Varri i hapur nga klandestinët në Nekropolin e Sadovinës (Orikun) në vitin 2015 dhe i dokumentuar më pas nga arkeologët. Foto: Ministria e Kulturës. 

“Varri i Çifutit” në Amantia në vitin 2013 u kthye përmbys nga piratët. Gurët e mëdhenj në formë drejtkëndëshi ishin shkallmuar nga etja për sende me vlerë, duke detyruar arkeologët e specialistët e monumenteve që në vitin 2019 së bashku me ekipet e huaja t’i rikthenin në vend përmes përdorimit të strukturave me vinç.

Nga analizimi i rasteve që janë raportuar zyrtarisht tek ish-Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë, rezulton se shumica e gërmimeve klandestine kanë si subjekt varret, pasi shpesh të afërmit ritet e varrimit i shoqëronin me vendosjen pranë trupit të sendeve dhe objekteve me vlerë.

“Amfora.al” nga një vëzhgim [që do të ndiqet në publikime të ardhshme] ka konstatuar se në ambiente shërbimi, si hotele, restorante apo banesa, gjenden të ekspozuara objekte arkeologjike kryesisht amfora të cilat janë gjetur rastësisht apo janë blerë në tregun e zi.

Thashethemet e thesareve trazuan edhe qytetin e qetë të Bulqizës, zonë me potencial të lartë arkeologjik por e harruar nga institucionet e kulturës. Banorët e Valikardhës në Bulqizë denoncuan gërmimet me eskavatorë në një kodër ku besohet se ndodhen rrënojat e qytetit mesjetar të Geties. Policia tha se po hetonte ngjarjen, por ende nuk ka identifikuar thesar kërkuesit që ishin shfaqur aty me eskavatorë.

Zhytësit profesionistë kanë raportuar se anije të specializuara me pajisje për zhytje dhe vinça kanë rrezikuar arkeologjinë nënujore në Durrës dhe Vlorë, duke grabitur objektet prej qeramike apo ato të çmuara, nga anijet e mbytura që nisin që nga periudha ilire.

Mjafton të kërkosh në internet, në faqe ku shiten objekte të ndryshme mund të gjesh “qypa”, që emërtuar rëndom përfaqësojnë amfora që do i kishte zili çdo muze i botës apo përmes kërkimit në platforma të shitjeve “online”, si “Ebay”, mund të gjesh monedha të prera në Durrësin antik.

Ministria e Kulturës, Policia e Shtetit dhe prokuroritë ndryshe nga rasti i sotëm në Durrës, përgjithësisht për gërmimet klandestine si ato të përmendura më lart nuk kanë arritur të vendosin përpara drejtësisë autorët, duke i lënë dorë të lirë piratëve që bredhin nga njëri park arkeologjik në tjetrin dhe kryejnë arrestime që nuk kalojnë më shumë se 1 rast në vit.

SHËNIM: Foto në krye paraqet ekipin e specialistëve shqiptarë dhe të huaj që sistemuan në vitin 2019 “Varrin e Çifutit” në Amantia (Vlorë), pas shkatërrimit nga kërkuesit e thesareve në vitin 2013. Foto: Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë.