Kalaja e Ishmit, pikëtakimi i piktorit me famë botërore Ibrahim Kodra, peizazhit dhe “pluhurit” shtetëror

REPORTAZH/

Me ardhjen e Pranverës, fushat e fshatrave të Durrësit mbulohen nga një tapet i blertë, që shtrihet në disa hektarë. Rruga drejt “Gjirit të Lalzit”, i ndjell kryeqytetasit që t’i drejtohen kësaj pjese të vijës bregdetare, me rërë të bollshme dhe det të pastër. Ujë ku për mijëra shekuj kanë lundruar tregtarë, ushtarë e udhëtar dhe brigje ku kanë zbarkuar venedikas dhe miq e armiq nga përtej Adriatikut.

Por në këto ditë të nxehta nuk zgjedhim të ndjekim këtë itinerar. Vijimi i rrugës që të çon në fshatin Ishëm, duket se ka ruajtur me fanatizëm kodra të paprekura e të pyllëzuara. Me pamjen nga resortet që kanë mbirë midis pishave të Gjirit të Lalzit, rruga nis e copëzohet. Asfalti i ngjan kalldrëmit dhe përshkon mes për mes pyllin e dendur.

Duket sikur jemi futur nëpër shtigje të lashta. Mbi kodra qëndrojnë banesat shekullore të fshatit “Lalëz”, hijerënda dhe pa jetë brenda mureve të tyre. Pas disa kthesave të forta, rruga gjarpëron midis pazarit të Ishmit dhe një mur i gjatë na shoqëron përbri.

Duket vend paqësor! Kulla e Kalasë së Ishmit është shembur, shenjë që pushtuesit kanë shekuj që janë larguar. Por pa humbur kohë na rrethojnë disa qen. E kanë nuhatur prezencën e të huajve së largu. Haxhi Hoxha, një ishmak i vjetër, afrohet dhe ja bërë të qartë se kjo nuk është pronë e tyre.

E teksa “studiojmë” depërtimin brenda kalasë, një personalitet me titullin “Nderi i Kombit”, që prehet në vendlindjen e tij, piktori me famë europiane, Ibrahim Kodra, duket sikur na uron mirë se ardhjen në këtë vend me vlera të shumta historike.

Porta e kalasë është e mbyllur, por nuk përbën problem. Ç’të duhet porta kur është shembur muri?! “Dikur, në kohën e komunizmit, kjo “dhomë” e ngritur brenda murit rrethues të kalasë, shërbente si zdrukthari për kooperativën”, na tregon Haxhi Hoxha.

Qetësia sundon rreth e përqark kalasë. Një pjesë e familjarëve kanë shkuar tek një vaki aty pranë. Turistët duken aq të largët sa edhe osmanët. Ata e ndërtuan kalanë në gjysmën e dytë të shek. XVI. Në të u vendos një garnizon ushtarak turk, prej 410 ushtarësh, me qëllim mbajtjen nën kontroll të lëvizjeve fshatare dhe kontrabandës me Venedikun.

E teksa bën një rrotullim 360 gradë, kupton se pasja e një palë dylbive do të konsiderohej mrekulli. Bregdeti i Adriatikut në krahun perëndimor, që nga Shkodra, Lezha, Laçi, Kruja, e deri në Tiranë e Durrës, shihen në pëllëmbë të dorës. “Tek ajo fusha atje poshtë, ra avioni me drogë”, na nxjerr nga përhumbja Haxhiu.

E teksa hyn në dilemën e këtij aktiviteti të ndaluar, si një mundësi mbijetese për një popullsi që nuk ka se ku të sigurojë jetesën, kupton se edhe Kalaja e Ishmit ka hyrë në krizë të thellë identiteti. Më kot të kontrollosh muret e saj. Asnjë tabelë me mbishkrimin “Monument Kulture i Kategorisë I, Mbrohet nga Shteti”. Të kërkosh tabelë informuese për monumentin, do dukej sikur të kërkoje kanal vaditje për tokat që janë kthyer në shterpë.

Shteti nga kalaja e Ishmit kishte ikur që në vitin jo të largët 1990-të. Kjo kala u shpall Monument Kulture i Kategorisë I, në vitin 1977-të. Pas vitit 1990-të, ciceroni nuk ishte më aty dhe gurët e kalasë filluan të shkëputen njëri pas tjetrit. Sot ato i gjen kudo përreth kalasë. Copat e qeramikës nuk mungojnë. Disa grumbuj i gjen rrëzë gurëve shekullor të mureve rrethuese, e disa në ndonjë shteg që kanë hapur banorët aty pranë.

Copa qeramike

Po të mos na sqaronte Haxhiu, do të mendonim se ishmakët kanë filluar ta qajnë lënien e kalasë në harresë të plotë. Mbi gurët e saj qëndronin filxhanë kafeje. “Për netët e mira këtu banorët marrin një filxhan me vaj ulliri, i vendosin pak pambuk ose një leckë dhe e ndezin për shpirtrat e të afërmve të tyre që kanë ndërruar jetë”, na tregon Haxhiu.

Që larg dëgjohet një kep që punon tokën. Njëra prej nuseve të katër familjeve që jetojnë këtu, na sqaron se një pjesë e familjeve janë me mbiemër Kalaja dhe pjesa tjetër me mbiemër Hyzoti. Të parët janë vendosur këtu dekada më parë. “Kemi frikë të çojmë kalamajtë në shkollë, se po na shemben muret e kalasë”, na përgjigjet prerë, duke shtuar fjalinë klishe për shumë monumente kulture në vend, “Shteti nuk interesohet fare”.

Tullat dhe llaçi i freskët po i jepnin jetë disa dhomave të vogla. Dukej se shpresa për banorët ishte shuar. Askush nuk ju ofrua për shpronësim, e sot ata shohin si zgjidhje ngritjen e banesave të reja brenda mureve të kalasë. Por këtu kupton edhe promovimin luksoz të përpara disa javëve, të librit mbi arritjet dhe vështirësitë e zyrës së Legalizimeve Durrës, në 4 vite. Sipas banorëve, brenda oborrit të kalasë një prej ndërtesave disakatëshe ishte legalizuar.

Muri i kalasë në anën perëndimore, që kishte nisur rrëshqitjen në themel, nuk dukej se stononte kushedi me kotecin e pulave apo dykatëshen e vjetër, që i kishin hipur në kurriz murit rrethues të kalasë.

Pak më tej gurët e kalasë ishin nxirë. Duhej parë në disa kënde, se edhe mund të mendoje se ndonjë tentativë për të larguar turqit me zjarr nga kalaja, kishte lënë gjurmë aty. Një televizor i vjetër ishte djegur, duke nxirë murin ku formohej një kënd nga bashkimi i mureve.

“Ka rënë shumë numri i popullsisë. Rinia është e papunë”, na ftillon Haxhiu, duke lënë të kuptohet se halli më i madh i banorëve të këtushëm, nuk është kalaja, por sigurimi i bukës së përditshme. Shpëtimi duket në horizont, në peizazh, ku midis pemëve gjarpëron lumi i Ishmit. Dikur ishte i lundrueshëm. Një skelë detare e ngritur në periudhën e mesjetës, shërbente për përpunimin e anijeve vendase dhe të huaja.

Disa vjet më parë, u përgatit një projekt për ngritjen e një muzeu, kushtuar piktorit Ibrahim Kodra, si edhe për rivitalizimin e kalasë, por çdo gjë mbeti në letër. Vitin e kaluar një debat i ethshëm ndezi arenën kulturore në vend. Banorët e Ishmit protestuan kundër vendimit të ministrisë së Kulturës dhe bashkisë Durrës, për të zhvarrosur eshtrat e piktorit shqiptar me famë botërore.

Me gjithë se rruga që nga Tirana deri këtu zgjat rreth 40 minuta, aq sa edhe nga Durrësi, duket se dhe këtë mundësi për të sjellë vizitorë në Ishëm, donin t’ia hiqnin pa u menduar dy herë.