Dhuna ndaj kamerierit në Golem, në burg xhaxhai i armatosur dhe dy të arrestuarit

Gjykata e Durrësit caktoi masën “arrest në burg” pa afat për xhaxhain e kamerierit 18-vjeçar të dhunuar në Golem, i cili u kap i armatosur teksa po shkonte drejt hotelit ku kishte ndodhur ngjarja. Më herët, gjykata la në burg për 45 ditë edhe dy të arrestuarit për dhunimin e të riut.

Gjykata e Durrësit la në burg pa afat 47-vjeçarin Melison Nela, xhaxhain e kamerierit 18-vjeçar Genti Nela, i cili u dhunua më 29 gusht në hotelin ku punonte në zonën e Malit të Robit, në Golem.

Nela u arrestua pasi policia e ndaloi pranë hotelit, ndërsa gjatë kontrollit të automjetit iu gjetën një armë zjarri automatike, tre karikatorë dhe 84 fishekë. Sipas policisë, ai dyshohet se po shkonte drejt hotelit për t’u hakmarrë ndaj personave që kishin dhunuar nipin e tij.

Më herët gjatë së hënës, Gjykata e Durrësit caktoi masën “arrest në burg” me afat 45-ditor për Florian Habilajn, 28 vjeç dhe Enold Dragotin, 20 vjeç, të arrestuar për dhunimin e 18-vjeçarit.

Dy të arrestuarit akuzohen nga prokuroria për “plagosje të rëndë me dashje, të kryer në bashkëpunim”.

Ngjarja nisi pas një konflikti për pagesën e punës së 18-vjeçarit, i cili punonte si kamerier në lokalin e hotelit. Sipas të dhënave të policisë, Genti Nela dyshohet se u dhunua nga Florian Habilaj, Arbër Habilaj, Enold Dragoti dhe shtetasi me inicialet M. M., ndërsa pas dhunës u dërgua në spital. 

Florian Habilaj dhe Enold Dragoti u arrestuan, ndërsa Arbër Habilaj, 36 vjeç, u shpall në kërkim. M. M., 36 vjeç, u procedua në gjendje të lirë.

Gjatë hetimeve, policia konstatoi se vendi ku kishte ndodhur ngjarja ishte pastruar, ndërsa pajisja që regjistronte dhe ruante pamjet e kamerave të sigurisë ishte hequr dhe kabllot e kamerave ishin prerë.