Eksperienca virtuale e trashëgimisë mesdhetare, anija “Art Explora” priti mbi 35 mijë vizitorë
Anija muze “Art Explora”, tërhoqi vëmendjen e vizitorëve në Durrës gjatë 10 ditëve të qëndrimit të saj në portin e qytetit. Ajo ndërmori turneun kulturor mesdhetar që do të zgjasë deri në vitin 2027 dhe në Durrës u vizitua nga mbi 35 mijë persona.

Kryeveprat e Muzeut të Luvrit u ofruan për publikun. Foto: Media Amfora
Veliera “Art Explora” mbylli ditët e qëndrimit në Shqipëri në fillim të javës, për të vijuar udhëtimin e saj mesdhetar dhe në Durrës ajo regjistroi mbi 35 mijë vizitorë që përjetuan eksperiencat virtuale të trashëgimisë kulturore.

A ankoruar në Portin e Durrësit midis datave 10 – 21 prill, anija velierëv ofroi një festival për audiencën vendase dhe atë ndërkombëtare, duke ndërthurur trashëgiminë historike të Durrësit me skenën globale të artit dhe kulturës bashkëkohore.

Me titull “Për qytetet dhe gratë Një flaut, një kambanë, ujëra”, programi artistik u ndoq me interes nga të rinjtë, vizitorët nga qytetet e ndryshme, rezidentët e huaj, por edhe nga shumë turistë që ndodheshin në Durrës gjatë këtyre ditëve.

“Art Explora” ofroi një eksperiencë digjitale, që përmes teknologjisë risolli disa prej qyteteve më të rëndësishme të antikitetit dhe të civilizimit, si Aleksandria, Athina dhe Venecia. Festivali që anija ofroi solli përvoja artistike dhe edukative për publikun, përmes ekspozitave, shfaqjeve, koncerteve dhe punëtorive.

Përmes shfaqjes virtuale ajo solli kryeveprat e Muzeut të Luvrit, në Francë, duke nxjerrë në pah përmes pikturave dhe artefakteve arkeologjike, rolin dhe fuqinë e gruas përgjatë historisë në Mesdheun e pasur me tradita dhe ndërthurje të kulturave.

Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe aktorë të ndryshëm të fushës së kulturës, ky projekt synoi të krijojë ura të reja shkëmbimi mes vendeve dhe qytetërimeve të Mesdheut. Nga pranvera e vitit 2024, deri në vjeshtë të vitit 2027, anija muze do të udhëtojë në 15 vende të Mesdheut.
