“Guri i mistershëm i Përmetit”, shumë i ekspozuar dhe pak i eksploruar

“Guri i Përmetit”, një monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe njëkohësisht Monument Natyre, “mban mbi supe” struktura ndërtimore që ruajnë të dhëna arkeologjike. Megjithatë kërkimet kanë qenë të pakta dhe ende nuk është përcaktuar përdorimi i tyre të paktën që nga mesjeta.

“Përveç detit, kemi gjithçka tjetër!”, është moto mbi një tabelë të madhe të vendour në hyrje të qytetit të Përmetit, e cila ngjall kërshërinë e çdo vizitori që mbërrin në qytetin e luleve, siç edhe njihet ndryshe. 

Pas motos Përmeti ofron për vizitorët natyrën e pasur, siç janë edhe banjat termale, kulinaria, degustimi i verës dhe rakia e zonës, pa lënë mënjanë edhe glikotë e famshme. 

Por ai që e dominon për së largu qytetin është “një gur” me përmasa të mëdha që duket sikur ka dalë nga legjendat. I njohur si “Guri i Përmetit” apo si “Guri i Qytetit”, gjeologët e kanë përkufizuar si një masiv shkëmbor gëlqeror që mund të jetë shkëputur nga Mali i Dhëmbelit pas një fenomeni natyror, siç mund të ketë qenë një tërmet.

Sipas tabelës informuese të vendosur në pjesën e brendshme të rrethimit ku ndodhet “guri”, ai ka vlera të shumta kulturore dhe natyrore, prandaj është shpallur “Monument Kulture i Kategorisë së Parë” dhe “Monument Natyre”. 

Përmes disa shkallëve metalike të montuara mbi shkëmb, vizitorët mund të ngjiten deri në pikën më të lartë të gurit, e cila ofron një panoramë fantastike të të gjithë qytetit dhe luginës së Lumit Vjosa. 

Fillimisht ishte Instituti i Shkencave që më 16 tetor 1948 e identifikoi si monument me vlera arkeologjike. Më pas ishte Rektorati i Universitetit Shtetëror të Tiranës më 15 janar 1963 dhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës më 10 qershor 1973, që i dhanë atij statusin e mbrojtjes për shkak të vlerave historike.

“Gërmime arkeologjike nuk janë kryer edhe pse guri nga ana historike e turistike përbën një resurs”, shkruan tabela në hyrje të monumentit.

Pamja e qytetit nga “Guri i Përmetit”. Foto: Media Amfora

Sipas të dhënave teknike “Guri i Qytetit” ka një gjerësi 15 metra, me 25 metra lartësi dhe me diametër rreth 30 metra, në një sipërfaqe rreth 650 metra katror. Gjurmët arkeologjike janë të pranishme në sipërfaqen e shkëmbit dhe në anët e tij dallojnë fragmente muresh me llaç dhe me gëlqere të trashë. 

Të dhënat e pakta arkeologjike dëshmojnë se aty mund të ketë qenë ndërtuar një sterë, për mbledhjen e ujërave të shiut, me përmasat 5 me 2.5 metër. Megjithëse kërkimet e pakta arkeologjike datojnë para viteve’ 90, mendohet se aty ngrihej edhe një kullë vrojtimi me përmasat 3 me 3 metra.

“Nisur nga traket e veçuara të mureve mund të themi se kemi të bëjmë me një fortesë të ngritur në mesjetën e hershme mbi Gurin e Qytetit”, shkruan tabela informuese e monumentit.

Përveç vlerave arkeologjike, prezenca e gurit lidhet edhe me legjendën që mendohet se i ka dhënë emrin qytetit.  

“Ky simbol lidhet me legjendën e pushtitmit më 1417 të Përmetit nga osmanët, sipas së cilës qeveritari vendas Premti, pasi rezistoi heroikisht dhe për të mos rënë i gjallë në duart e pushtuesve osmanë, së bashku me të bijën, Aleksandrën, u hodhën nga guri drejt Lumit Vjosa dhe me këtë vdekje martire i dha emrin e tij qytetit, Përmet”, shpjegon më tej tabela. 

E gjithë zona ku ndodhet guri është e rrethuar dhe e mirëmbajtur mirë, ndërsa vizitorët mund të shkojnë edhe gjatë mbrëmjes, pasi zona është e ndriçuar dhe sfidë mbetet vetëm mungesa e gërmimeve arkeologjike, që do të nxirrte në dritë të tjera dëshmi historike.