Edi Rama: Rënia e një deputeti

Edi Rama kishte mundësinë mes viteve 2021-2025 ta bënte këtë qytet “si Tirana”. Të investonte këtu më shumë seç ishte investuar në 100 vitet e fundit. Nuk e bëri! Refuzoi ta bënte duke dështuar plotësisht. La një qytet më të keq seç gjeti. Një qytet që i ngjan shkollës së Manchester City F. C., që u ndërtua vetëm në kokën e tij. Në Durrës Edi Rama dështoi! Ai këtu ra! Dhe bashkë me të ra miti i tij.

Kryeministri Rama gjatë një inspektimi punimesh në Durrës. Foto: Edi Rama - "Facebook"

Aty nga fundi i fushatës elektorale 2021, nga Stadiumi “Niko Dovana” në Durrës, kandidati për deputet Edi Rama ulëriste se “në katër vitet e ardhshme, Durrësi do të pësojë transformimet që nuk i ka parë në 100 vjet”. Në stadiumin ku ndodhesha edhe unë, u ngrit një ovacion i padëgjuar, aq sa për pak çaste pata frikën e një tërmeti të ri. Socialistët, me sytë e përlotur përqafonin njëri-tjetrin sikur t’i kishte rënë llotaria. Në dalje vlonin komentet e tipit, “Ja këtu do jemi, Durrësi do bëhet si Tirana”. “Çfarë Tirane thua more – dëgjohej dikush tjetër – këtu do lidhen fijet e gjithë Evropës”. 

I gjori popull mendova, jo vetëm që ka filluar ta hajë sapunin për djathë, por ka filluar të besojë edhe se sapuni ka vlera më të larta ushqyese se djathi. Nuk shpjegohet ndryshe se si për dekada gënjehet sistematisht nga i njëjti person. I njëjti person që premton ujë 24 orë dhe rritjen e pensionit minimal dhe më pas, pak fjali më tutje, premton një Durrës si Dubai dhe portin më të madh të jahteve në Mesdhe. Nga skamja në delir brenda pak fjalish. Dhe populli brohoret: Edi, Edi, Edi…

Edi në fakt ka kuptuar se për të vazhduar të ulet në fronin e një Shqipërie të përdhunuar, mjafton të bësh dy gjëra: Të gënjesh, duke bërë budallain dhe të krahasohesh me dikë më të keq se vetja. Gënjen për çdo gjë. Gënjen për ujin 24 orë, gënjen për rritjen ekonomike të cilën e quan fakt, gënjen për shëndetësinë falas, gënjen për Shqipërinë në BE, të cilën e ka futur plot 3 herë deri më tani, gënjen për rinovimin e partisë, gënjen për afatet me të cilat do të përfundojnë veprat infrastrukturore, gënjen për Reformën në Drejtësi, gënjen se i hanë kumbulla pas shpine… për çdo gjë. Por populli e fal! E fal sepse sapo dikush ia përmend sa më sipër, ai nxjerr me mjeshtëri nga nënmënga e tij e palarë, kartën e një kuçedre që quhet Sali Berisha. 

Mendjet e vogla, të cilat mendojnë me “ose-ose”, menjëherë llogorizohen në një antiberishizëm të verbër dhe miop, që Edit i jep glukozë. Nuk ka për shembull rëndësi se Edi ja ka lënë pushtetin politik në Durrës një të dënuari me “arrest lokali” (duhej të ishte “arrest shtëpie”, po nuk ka shtëpi që e mban gjigandin tonë 1.50 metër të gjatë) dhe një trafikanti droge, pas të cilit mund të qëndrojë arsyeja e zbarkimit në Shqipëri të agjencive kundër narkotikëve. Nuk ka rëndësi se demokracia në qytet ka vdekur. Nuk ka rëndësi se dikush që shet vezë dhe mbjell domate mund të ndikojë tek caktimi i drejtorit të Policisë së Qarkut apo se kokainën e gjen po aq lehtë sa Amuchinën. Nuk ka rëndësi që po shkatërrohet trashëgimia kulturore e qytetit, që të rinjtë kanë emigruar dhe rrugët janë bosh. Nuk ka rëndësi se si kandidat për deputet popullit i propozohet një montues kondicionerësh dhe një drejtor rrobaqepësie apo sesi administrata kërcënohet me bukën e gojës, nëse nuk bën 5 vota në diasporë për 70% të stafit. Nuk ka rëndësi që lulishtet po shkatërrohen për t’i lënë vend strukturave të betonit që ngjajnë bukur vetëm te koka e Edi Ramës dhe se po vidhen me qindra miliona euro nga “5D”-ja dhe simotrat e saj në qytet. Nuk ka rëndësi që 70% e pensionit të një pensionisti shkon vetëm për të paguar ilaçe, ujë dhe energji elektrike. Mjafton që të mos votohet Sali Berisha!

Copëza realiteti nga Durrësi
Copëza realiteti nga Durrësi

E keni vënë re Durrësin?! Qyteti i dytë më i madh në vend. Më i vjetri në Adriatik. Nuk ka sot çfarë i tregon turistëve përveç pallatit të Ver Shalës, që ngrihet si dordolec mu aty ku duhej të shkëlqente arkitektura. Nuk ka çfarë i ofron kulturës sepse drejtor kulture ka njërin që ka studiuar inxhineri ndërtimi dhe shquhet se njeh rusishten. Nuk ka çfarë i ofron urbanistikës sepse ka për kryetare bashkie një fantazëm, që kur thotë “po” ka shumë mundësi të ndryshojë mendje sapo të kalojë dreka. Një qytet i pistë, i zymtë, në reanimacion kulturor dhe i pashpresë. I kthyer plotësisht në provincë. I drejtuar fatalisht nga një pseudoelitë, e degraduar plotësisht në të gjitha dimensionet. 

Durrësi i Moikom Zeqos, i Vangjel Toçit, i Gjergj Vlashit, i Mirush Kabashit dhe i Fadil Hasës, i Fatos Muços dhe i Lea Ypit, sot njihet kryesisht për paraburgimin dhe kontrabandën, për deputetët mediokër të lidhur me krimin dhe për kastën e analfabetëve funksionalë që drejtojnë institucionet publike dhe partinë në pushtet. Këta të fundit patën aftësinë që ta zbrisnin Durrësin në vendin e pestë për nga rëndësia ekonomike edhe pse e gjetën të dytin 2 dekada më parë.

Edi Rama kishte mundësinë mes viteve 2021-2025 ta bënte këtë qytet “si Tirana”. Të investonte këtu më shumë seç ishte investuar në 100 vitet e fundit. Nuk e bëri! Refuzoi ta bënte duke dështuar plotësisht. La një qytet më të keq seç gjeti. Një qytet që i ngjan shkollës së Manchester City F. C., që u ndërtua vetëm në kokën e tij. Në Durrës Edi Rama dështoi! Ai këtu ra! Dhe bashkë më të ra miti i njeriut punëtor.