50% progres për punimet e Xhamisë së Plumbit, monumenti rrezikon përsëri përmbytjen

Punimet për restaurimin dhe mbrojtjen nga përmbytjet të “Xhamisë së Plumbit” në Shkodër, nisën në shtator të vitit 2022 dhe tashmë kanë shkuar deri në gjysmë, duke rrezikuar që monumenti i kulturës i kategorisë së parë të përmbytet përsëri me ardhjen e sezonit të shirave, ngjashëm si në nëntor të vitit të kaluar.

Në fushën midis Lumit të Drinit dhe kodrës së Kalasë së Rozafës, dallohen disa kube në të njëjtën lartësi, një më e madhe mbi sallën e lutjeve dhe aty pranë një minare gati e prerë përgjysmë.

Të gjitha përbëjnë kompleksin e monumentit të kulturës “Xhamia e Plumbit”, që e mori emrin nga veshja fillimisht e kubeve të saj me material plumbi. Por objekti i kultit është bërë më i famshëm për pamjet që përsëriten gati vit pas viti, me ujin që pushton ambientet e saj pas përmbytjeve të stinës së dimrit.

“Problemi kryesor i bartur prej dekadash është ai i përmbytjes së territorit dhe të vetë objektit gjatë stinës së dimrit, problematikë që pritet të frenohet me realizimin e sistemit të ri [që është] në proces”, shpjegoi për Median Amfora, Helidon Sokoli, përgjegjës i Sektorit të Parqeve Arkeologjike Rozafa-Lezhë, pranë Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Shkodër.

Për ta shpëtuar nga përmbytjet e shpeshta objektin e kultit është miratuar një projekt restaurimi përmes Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale, pranë Ministrisë së Kulturës, me vendimin numër 1, të datës 11.01.2022.

“…për ngritjen e sistemit mbrojtes nga përmbytjet dhe restaurim të plotë të objektit, fasadë e jashtme dhe e brendshme, ndriçim të jashtëm dhe të brendshëm, rindërtim të minares, sistemim sheshi dhe rikualifikim urban për vizitorët”, shpjegoi Sokoli për nivelin e ndërhyrjeve.

Kantieri i punimeve u përmbyt tërësisht së bashku me monumentin e kulturës në nëntor të vitit të kaluar dhe duket se me afrimin e sezonit të shirave situata mund të përsëritet.

“Zbatimi i projektit ka nisur në shtator të vitit 2022, ku faza e parë, ajo e ndërtimit të veprës inxhinierike (sistemit mbrojtës nga përmbytja) ka ecur në mbi 50% të punimeve, duke qenë se për shkak të tipologjisë dhe llojit të ndërhyrjes kërkohet periudha e thatë stinore”, tregoi Sokoli.  

Për Xhaminë e Plumbit është premtuar stinë pas stine se do të përfundonte së restauruari, por i vemti që e ka mbajtur premtimin ka qenë Lumi Drin, që sa herë e ka përmbytur zonën nuk e ka kursyer monumentin e kulturës të kategorisë së parë.

Më 21 janar 2018 ish-ministrja e kulturës, Mirela Kumbaro, njoftoi për Vendimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, ku u shqyrtua në detaje projekti, “Restaurimi i Xhamisë së Plumbit, Shkodër”, hartuar nga studio “Ecolimarlik”, me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi.

Në mars të vitit 2021, pasardhësja e saj, Elva Margariti, së bashku me kryeministrin Rama e vizituan xhaminë për të shpjeguar ndëryrjen restauruese dhe zgjidhjen e problemit të përmbytjeve, me krijimin e një sistemi kullimi të sigurt dhe pengimin e ujërave vërshuese të lumit.

Monumentet e kulturës në Shkodër janë rrezikuar vazhdimisht nga përmbytjet dekadat e fundit. “Ura e Bahçallëkut”, Monument Kulture i Kategorisë së Dytë mbi Lumin Drin në Shkodër, humbi rreth 60 metra nga vërshimi i lumenjve Drin dhe Kir, në nëntor 2022, për të cilën Ministria e Kulturës nuk ka ndërmarrë asnjë veprim në terren.

Xhamia që pret zgjidhje të ngutshme të fenomenit të përmbytjes u ndërtua rreth viteve 1768-1770, nga Mehmet Pashë Bushati (“Plaku”), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës.  

Megjithëse që pas vitit 1967 kur ju vu dryni nga sistemi komunist, nuk u vendos më dorë për ta restauruar, monumenti duket se ja ka dalë me sukses t’i rezistojë edhe përmbytjeve të shpeshta.

“Objekti në fjalë në aspektin konservues ruhet mirë, nuk ka çedime strukturore, çarje dhe paqëndrueshmëri statike”, analizoi Helidon Sokoli, nga DRTK Shkodër.

Projekti për restaurimin e “Xhamisë së Plumbit” dhe për zgjidhjen e problemit të përmbytjes po zbatohet me donacionin e qeverisë turke, përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve, në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Turqisë.  

Për nga forma e ndërtimit ajo ngjason me xhamitë e sulltanëve në Turqi dhe është e vetmja në Shqipëri për nga tipologjia. Gjithashtu ky monument është i vetmi nga Shqipëria i përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë. 

“Xhamia e Plumbit” i rihapi dyert për besimtarët myslimanë më 16 nëntor të vitit 1990, një ditë xhumaje (e premte), në të cilën mbi 55 mijë shkodranë morën pjesë në faljen e namazit të parë të xhumasë pas 23 vitesh ndalimi nga sistemi komunist.