Arkeologët në kërkim të gjurmëve të Durrësit të Antikitetit të Vonë

Prej pak javësh në lulishten pranë Sheshit Pranvera në Durrës arkeologë dhe studentë janë përqendruar në gjurmimin e qytetit të Durrësit përgjatë periudhës së Antikitetit të Vonë.

12 varre që i përkasin 3 fazave të ndryshme kronologjike, që mendohet se nisin nga fundi i shekullit 6 të Erës Sonë, deri në shekullin 8 kanë dalë në dritë nga gërmimi arkeologjik që pritet të ketë zbulime edhe më të rëndësishme në ditët në vijim.

“Ne njohim fare pak nga mënyra se si qyteti e kishte të organizuar pjesën e vet suburbane dhe jemi menjëherë në pjesën jashtë mureve të qytetit”, shpjegon për Amfora.al arkeologia që drejton gërmimin, Prof. as. dr. Brikena Shkodra.

“Deri më tani zbulimi lidhet me njohuritë që ne i kemi me shfrytëzimin e hapësirave jashtë mureve, që është një varrezë”, përfundon ajo.

FOTO: Pamje e një varri të zbuluar. Foto Geri Emiri – Media Amfora

Ekspedita arkeologjike është faza e dytë e projektit në vazhdim të Institutit të Arkeologjisë, i cili synon studimin e qytetit të Durrësit gjatë periudhës së Antikitetit të Vonë, në shekujt 5-7 të Erës Sonë.

Më herët në këtë zonë të qytetit që njihet si lagja numër 11 zbulimet arkeologjike kanë qenë të shumta dhe aty pranë dolën rrënojat e një lagjeje të periudhës romake, në gjurmën e ish-Lulishtes 1 Maji, pjesa më e madhe e të cilave u betonizuan për ngritjen e një kompleksi pallatesh.

FOTO: Pamje e gjurmës së gërmimit arkeologjik në lulishten pranë Sheshit Pranvera në Durrës. Foto Geri Emiri – Media Amfora

Projekti i arkeologes ka bashkuar studentë të arkeologjisë, vullnetarë dhe të pasionuar që po ndihmojnë për zbulimin e shtresave arkeologjike në kuadër të kërkimit shkencor.

“Synojmë që të gërmojmë për një periudhë 1 mujore në këtë hapësirë, të marrim informacionin arkeologjik dhe pas mbarimit të gërmimit do e mbulojmë hapësirën dhe do e rikthejë në gjendjen e mëparshme, që është lulishte”, shpjegoi për Amfora.al arkeologia Brikena Shkodra.

FOTO: Gërmimi arkeologjik zbuloi një shtresë së Markatës së Vjetër, që qëndroi e hapur deri rreth viteve’ 80. Foto Geri Emiri – Media Amfora

_________

Foto në krye: Pamje e disa prej varreve të zbuluara që i përkasin 3 fazave të ndryshme kronologjike. Foto: Geri Emiri/ Media Amfora


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109