Zbulohet në Durrës një ndërtesë luksoze publike, e periudhës bizantine

Arkeologia Brikena Shkodra Rrugia

INTERVISTË/

Në vitin e dytë të vijimit të projektit “Durrësi në antikeitetin e Vonë”, del në dritë pjesa tjetër e një ndërtese luksoze me funksion publik, që i përket periudhës bizantine.

Drejtuesja e projektit të Institutit të Arkeologjisë, arkeologia Brikena Shkodra Rrugia, u shpreh për “Amfora.al” se këtë vit është zbuluar vijimi i ndërtesës madhështore, ku ka dalë në dritë një pilastër në formë kryqi, me lartësi rreth 3.5 metër, pranë të cilit gjendet një sipërfaqe e shtruar me pllaka mermeri, ambient që besohet të ketë shërbyer si pishinë.

Arkeologia Rrugia bën me dije se në sipërfaqen e shtrojes me pllaka mermeri, janë zbuluar varre, iventari i të cilave i daton ato në shek VII të Erës Sonë. Ndërtesa luksoze duket se ka pasur edhe mozaik, për shkak se numri i copërave të gjetura orientojnë mbi ekzistencën e një mozaiku mural.

Monumenti që nga periudha bizantine ka njohur 4 nivele përdorimi, ku pas çdo braktisjeje të niveleve të banimit, hapësira shfrytëzohej për varreza. Një shtresë e djegur jep detaje për banimin e monumentit në mesjetën e hershme dhe të mesme. Por edhe në sipërfaqe, një pus dhe muret e një banese të shek XVIII, dëshmojnë për përdorimin në vijimësi të monumentit.

Zbulimi ka ngjallur interesin e qytetarëve durrsakë, të cilët e kanë vizituar monumentin përgjatë muajit që kryhej sondazhi arkeologjik. Gjithashtu zbulimi krijoi një “forum” ekspertësh, ku arkeologë, arkitekt, restaurator, dhe emra të njohur, si Artan Shkreli, përveç vizitës jepnin mendimin e tyre mbi zbulimin dhe funksionin e godinës publike.

Vendi ku u krye sondazhi arkeologjik gjendet në rrugën “Mustafa Varoshi”, në lagjen numër 11, që ka falur mrekulli të nëntokës së Durrësit, si mozaiku “Bukuroshja e Durrësit. Aktualisht objekti i zbuluar është mbuluar me dhe, me qëllim ruajtjen e tij, pasi gjendet midis shtëpive të banuara.

Gërmimet e këtij viti nuk do të ishin bërë të mundura pa kontributin e çmuar të familjes Dakoli, të cilët lejuan që në bahçen e tyre të bëhej sondazhi arkeologjik. Projekti “Durrësi në antikeitetin e Vonë” pritet të vijojë vitin e ardhshëm, për njohjen e pjesës tjetër të ndërtesës luksoze me funksion publik, po në pronën e familjes Dakoli.