Dy të arrestuar në Durrës dhe 23 të gjobitur në Tiranë pas protestave të fundjavës

Policia ka arrestuar dy aktivistë dhe ka nisur hetimet ndaj nëntë të tjerëve pas protestës me vezë ndaj eskortës së kryeministrit Edi Rama në Gjirin e Lalzit. Ndërkohë, 23 protestues janë gjobitur me nga 5 mijë lekë për bllokimin e rrugës gjatë tubimit të së dielës në Tiranë.

Protestat në vend vijojnë të shoqërohen me ndalime nga policia, arrestime dhe gjoba ndaj pjesëmarrësve. Gjatë fundjavës, policia ka marrë masa ndaj protestuesve në Durrës dhe Tiranë, ku u zhvilluan dy protesta të ndryshme.

Të shtunën, më 14 nëntor, një grup aktivistësh hodhën vezë drejt eskortës së kryeministrit Edi Rama, teksa ai po udhëtonte drejt Gjirit të Lalzit, ku Partia Socialiste zhvilloi mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.

Pas protestës, aktivistët u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Durrës, ndërsa të dielën policia njoftoi arrestimin e dy prej tyre dhe nisjen e hetimeve ndaj nëntë të tjerëve.

Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, në fshatin Kameras në aksin rrugor Maminas-Gjiri i Lalzit.

“Këta shtetas, më datë 14 nëntor, rreth orës 10:00, në fshatin Kameras, në aksin rrugor Maminas-Gjiri i Lalzit, kanë tentuar të bllokojnë rrugën dhe kanë hedhur vezë dhe sende të forta në drejtim të automjeteve të personaliteteve të larta shtetërore”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Dy të arrestuarit, të dy banues në Tiranë, dyshohen për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës”.

Ndërsa nëntë persona të tjerë, të moshave nga 23 deri në 50 vjeç, po hetohen në gjendje të lirë për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Materialet i janë referuar Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.

Edhe protesta e zhvilluar pasditen e së dielës në Tiranë është shoqëruar me masa ndaj pjesëmarrësve.

Policia e Tiranës njoftoi të hënën se kishte gjobitur 23 protestues për bllokimin e rrugës gjatë tubimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Sipas policisë, protestuesit “kanë bllokuar rrugën dhe kanë penguar qarkullimin e mjeteve të transportit, pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit”.

Secili prej tyre është gjobitur me 5 mijë lekë, në zbatim të aktit normativ të miratuar më 28 tetor 2026 nga qeveria, që ndryshoi ligjin “Për tubimet”.

Që prej hyrjes në fuqi të këtij akti, policia ka gjobitur edhe dhjetëra protestues të tjerë për bllokimin e rrugëve gjatë tubimeve në kryeqytet.