Durrësi nën masa të forta sigurie, policia rrethon Bashkinë dhe godinat e shkollave
Forca të shumta të Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake rrethuan godinën e Bashkisë së Durrësit gjatë protestës së të rinjve të hënën. Në sheshin “Liria”, prania e efektivëve ishte e madhe, ndërsa prezenca e policisë nuk mungoi dhe jashtë godinave të shkollave.
Policia përpara Bashkisë së Durrësit gjatë protestës së të hënës. Foto: Media Amfora
Qendra e Durrësit u vendos nën masa të shtuara policore paraditen e së hënës, ndërsa një grup të rinjsh u mblodh në sheshin “Liria” për të vijuar protestën e nisur pesë ditë më parë.
Forca të Policisë së Rendit dhe Policisë Bashkiake u vendosën përreth godinës së Bashkisë, ndërsa në shesh numri i efektivëve ishte më i madh se ai i protestuesve.
Në tubim morën pjesë studentë dhe nxënës të shkollave të mesme. Pjesëmarrja ishte e kufizuar, megjithëse organizatorët kishin bërë thirrje në rrjetet sociale që protestës t’i bashkoheshin edhe prindër dhe qytetarë të tjerë. Prezenca e policisë nuk mungoi dhe jashtë godinave të shkollave, ku furgonë të policisë mbajtën nën monitorim territoret.
Grumbulli i protestuesve përpara bashkisë kundërshtoi filmimin nga afër me frikën e identifikimit nga ana e policisë.
“Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Hiqni kapelet” ishin disa prej thirrjeve të të rinjve gjatë grumbullimit.

Ndryshe nga protestat e javës së kaluar, tubimi i së hënës përfundoi pa përplasje me policinë dhe pa incidente të raportuara.
Gjatë ditëve të mëparshme, protestat në Durrës ishin shoqëruar me hedhje sendesh të forta dhe mjetesh piroteknike, dëmtime të pronës publike, si dhe persona të lënduar në radhët e protestuesve dhe të policisë.
Një ditë më parë, të dielën, Gjykata e Durrësit caktoi masat e sigurisë për 22 persona të arrestuar pas përplasjeve të së enjtes. Katër prej tyre u lanë në masën “arrest në shtëpi”, ndërsa për 18 të tjerët u vendos masa “detyrim për t’u paraqitur”.
Gjykata kishte shqyrtuar më herët edhe rastet e dy të miturve të arrestuar gjatë protestave. Për njërin prej tyre, arrestimi u vlerësua i paligjshëm, ndërsa për të dy u caktua masa e detyrimit për t’u paraqitur.
Protesta e së hënës u zhvillua kështu me pjesëmarrje më të ulët dhe prani të shtuar të policisë pranë Bashkisë së Durrësit, pa u përsëritur incidentet e regjistruara gjatë javës së kaluar.