Komisioni Evropian dënon dhunën në protestat e studentëve
Komisioni Evropian ka dënuar aktet e dhunës gjatë protestave në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, duke përmendur zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve dhe dëmtimin e pronës. Në reagimin zyrtar, institucioni evropian thekson se përgjigjja e autoriteteve duhet të jetë e ligjshme dhe proporcionale, ndërsa e drejta për protestë paqësore duhet të mbrohet.
Gjatë protestave të studentëve në Tiranë. Foto: Media Amfora
Komisioni Evropian reagoi më 18 tetor, lidhur me protestat e ditëve të fundit në Shqipëri, të cilat janë shoqëruar me përplasje mes të rinjve dhe forcave të policisë, si dhe dëmtime të pronës publike dhe private.
Në deklaratën zyrtare, Komisioni dënoi përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera, duke përfshirë zjarrvëniet dhe sulmet ndaj institucioneve shtetërore.
“Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe përgjigjja ndaj saj duhet të mbetet brenda ligjit dhe proporcionale”, shkruhet në deklaratë.
Institucioni evropian kërkoi gjithashtu që personat përgjegjës për aktet e dhunës të mbajnë përgjegjësi përmes një procesi të rregullt ligjor.
Krahas dënimit të dhunës, Komisioni Evropian theksoi rëndësinë e mbrojtjes së lirive themelore të qytetarëve, përfshirë të drejtën e tubimit dhe të shprehjes.
“Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, që duhen respektuar dhe ushtruar në mënyrë paqësore”, shkruhet në reagim.
Komisioni mirëpriti angazhimin e autoriteteve shqiptare për mbrojtjen e së drejtës për protestë, ndërsa kërkoi që pakënaqësitë e qytetarëve të trajtohen përmes dialogut.
Në deklaratë përmendet edhe procesi i integrimit evropian të Shqipërisë. Komisioni e përshkruan vendin si kandidat të angazhuar në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe që po shënon përparim në këtë drejtim.
Sipas institucionit, në këtë kontekst, shqetësimet dhe pakënaqësitë duhet të adresohen përmes dialogut konstruktiv dhe mjeteve paqësore.
Reagimi vjen pas disa ditësh protestash të të rinjve në Shqipëri, gjatë të cilave janë raportuar përplasje me policinë, persona të lënduar, arrestime dhe dëmtime të pronës në disa qytete.
Përmes deklaratës, Komisioni Evropian kërkon njëkohësisht përgjegjësi për aktet e dhunës, respektimin e ligjit nga autoritetet dhe garantimin e së drejtës së qytetarëve për të protestuar paqësisht.