Policia blindon Durrësin, pengohen grumbullimet e të rinjve

Dita e tretë e protestës së të rinjve në Durrës u shoqërua me masa të shtuara policore dhe shpërndarjen e grupeve të protestuesve në qendër të qytetit. Gjatë së shtunës u regjistruan djegie të koshave të mbeturinave dhe shoqërime të të rinjve nga policia.

Qendra e Durrësit u vendos nën masa të shtuara sigurie të shtunën, më 17 tetor, ndërsa të rinjtë vijuan për të tretën ditë protestat kundër qeverisë. Forcat e policisë ndërhynë për të shpërndarë grupet që mblidheshin në rrugë dhe hapësira publike.

Në sheshin “Liria”, grumbullimet e të rinjve shpërndaheshin nga punonjësit e policisë, ndërsa qendra e qytetit mbahej nën vëzhgim nga efektivë me uniformë, punonjës të maskuar dhe Policia Bashkiake.

Godinat e Bashkisë dhe Prefekturës së Durrësit u vendosën nën masa sigurie, me forca policore të dislokuara në perimetrin e tyre.

Gjatë paradites, një grup të rinjsh u mblodh në qendër të qytetit dhe marshoi në disa rrugë, ndërsa në zona të ndryshme u regjistruan djegie të koshave të mbeturinave dhe dëmtime të pronës publike.

Situata u shoqërua me tensione edhe pranë filialit të Postës Shqiptare, ku një grup protestuesish dëmtoi xhamat e jashtëm të godinës. Pas incidentit, forcat e policisë ndërhynë për të shpërndarë pjesëmarrësit dhe nisën shoqërimin e disa të rinjve.

Sipas raportimeve nga terreni, gjatë protestës së të shtunës u shoqëruan 25 persona, mes tyre tre të mitur. Efektivë me uniformë dhe punonjës me veshje civile ndoqën grupet e protestuesve edhe në rrugicat e qytetit.

Masa të shtuara policore ishin marrë edhe gjatë dy ditëve të mëparshme të protestave në Durrës.

Koshat e djegur në rrugl gjatë protestës. Foto: Media Amfora

Të enjten, më 15 tetor, marshimi i studentëve dhe gjimnazistëve u shoqërua me incidente në sheshin “Liria”, ndezjen e zjarreve dhe dëmtime të godinës së Prefekturës.

Një ditë më pas, të premten, të rinjtë vijuan protestën duke marshuar drejt Drejtorisë Vendore të Policisë së Durrësit me thirrjet “Lironi çunat!”, në mbështetje të personave të shoqëruar gjatë tubimit të mëparshëm.

Sipas të dhënave të raportuara nga Policia e Durrësit për dy ditët e para, të enjten ishin shoqëruar 35 persona dhe të premten 25 të tjerë.

Ndryshe nga dy ditët e mëparshme, të shtunën prania policore ishte përqendruar në disa prej hapësirave kryesore të qytetit, ku grupet e të rinjve shpërndaheshin pas grumbullimit.