Nis parkimi me pagesë në Durrës, të paqarta alternativat falas për banorët

Parkimi me pagesë nis në Durrës me një skemë që përfshin 16 akse rrugore dhe tri sheshe parkimi. Banorëve u mbeten pa pagesë hapësirat publike mes pallateve dhe parkimet jashtë akseve të tarifimit, por mbetet e paqartë sa vende janë në dispozicion dhe nëse ato përmbushin nevojat e banorëve.

Bashkia Durrës nisi të hënën e 5 tetorit parkimin me pagesë në rrugët kryesore dhe tri sheshe të qytetit, pa sqaruar sa vende falas mbeten në dispozicion dhe nëse ato mjaftojnë për nevojat e banorëve.

“Miratimin e parkimit pa pagesë për rezidentët në hapësirat publike midis pallateve në të gjithë territorin administrativ të bashkisë Durrës përfshirë edhe zonën A dhe B”, është përcaktimi të cilit bashkia iu referua në përgjigjen ndaj kërkesës për informacion. 

Media Amfora kërkoi numrin dhe vendndodhjen e parkimeve alternative falas. Bashkia renditi rrugët me pagesë dhe sqaroi se rrugët e tjera nuk përfshihen në skemë, por nuk dha numrin e vendeve ku qytetarët mund të parkojnë pa paguar.

Më 16 shtator, Këshilli Bashkiak i Durrësit miratoi ndryshimet për parkimet me pagesë, me kartë rezidenti dhe vende të rezervuara në rreth 100 sheshe brenda blloqeve të banimit, si dhe shtimin e Policisë Bashkiake me 20 punonjës për kontrollin e skemës, ndërsa këshilltarët demokratë votuan kundër.

Skema përfshin 16 akse rrugore dhe tri sheshe. Sipas bashkisë, në hapësirat e shqyrtuara për projektin janë llogaritur 3.487 vende parkimi: 3.080 vende të përgjithshme me pagesë, 108 të rezervuara për subjekte dhe 142 për taksi, gjithashtu me pagesë. Për personat me aftësi të kufizuara janë parashikuar 157 vende pa pagesë. Këto shifra nuk përfaqësojnë të gjitha parkimet në Durrës.

Në rrugë, pagesa bëhet përmes celularit, ndërsa në tri sheshet pranohet vetëm karta bankare.

“Qytetarët informohen se, në këto tre sheshe parkimi, pagesa kryhet vetëm nëpërmjet kartës bankare dhe nuk pranohet asnjë mënyrë tjetër pagese”, njoftoi Policia Bashkiake përpara nisjes së sistemit.

Bëhet fjalë për sheshin “Jorgji Ziu”, pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, sheshin pranë Pallatit të Sportit “Ramazan Njala” dhe atë në Vollga, pranë Autoritetit Portual Durrës. Njoftimi nuk parashikon një alternativë për qytetarët që nuk kanë kartë bankare.

Për banorët e zonave të përfshira në skemë, statusi i rezidentit nuk e bën falas parkimin në rrugët me pagesë gjatë orareve të tarifimit. Ata mund të zgjedhin një abonim prej 10 mijë lekësh në vit për një automjet, në vend të pagesës sipas orëve të qëndrimit.

Kjo tarifë është miratuar që në qershor të vitit 2024. Vendimi bën dy përcaktime të veçanta: parkim falas për rezidentët në hapësirat publike mes pallateve dhe abonim vjetor për përdorimin e rrugëve me pagesë.

Abonimi mbulon parkimin “brenda njësisë së banimit ku janë rezident, vetëm për një automjet”, përcakton vendimi.

Bashkia e shpjegon këtë si të drejtën për të parkuar në rrugët me pagesë brenda njësisë administrative ku banon rezidenti. Abonimi nuk mbulon të gjitha rrugët me pagesë të Durrësit dhe as tri sheshet. Dokumentet nuk parashikojnë një vend të rezervuar ose të garantuar për secilin abonent.

Pas pagesës, banorët pajisen me një “Vërtetim abonimi për rezident”. Për aplikimin kërkohen dokumenti i pronësisë së automjetit, certifikata e pronësisë së banesës ose kontrata e qirasë, dokumenti i identifikimit dhe vërtetimi i banimit nga njësia administrative.

Për parkimet në rrugë, tarifa është 100 lekë në orë në zonën A dhe 40 lekë në zonën B. Nga 1 tetori deri më 31 maj, sipas vendimit, pagesa zbatohet nga e hëna në të premte, në orarin 08:00–16:00. Nga 1 qershori deri më 30 shtator, paguhet çdo ditë të javës, në orarin 08:00–20:00. Jashtë orarit të tarifimit, parkimi në këto rrugë është falas.

Zona A përfshin rrugët “Taulantia”, të Currilave, “Egnatia”, “Mars 91”, të Dëshmorëve, “Adria”, “Pavarësia” dhe “Hafiz Ali Podgorica”, bulevardet “Epidamn” e “Dyrrah”, si dhe segmentin e parë të rrugës “Aleksandër Goga”.

Zona B përfshin segmentin e dytë të rrugës “Aleksandër Goga” dhe rrugët “Mujo Ulqinaku”, “Stefan Kaçulini”, “Glaukia” e “Hysen Kërtusha”.

Tabelat pranë parkimeve tregojnë zonën, tarifën, orarin dhe numrin ku drejtuesit duhet të dërgojnë mesazhin me targën e automjetit dhe zonën e parkimit.

Në sheshe, qëndrimi deri në pesë minuta është falas. Pas këtij kufiri, qëndrimi deri në dy orë kushton 100 lekë. Tarifa është 200 lekë për dy deri në pesë orë, 300 lekë për pesë deri në tetë orë, 400 lekë për tetë deri në 12 orë dhe 500 lekë për 12 deri në 24 orë.

Policia Bashkiake njoftoi se punonjësit do të jenë çdo 500 metra në rrugët kryesore, pranë parkimeve, për të ndihmuar qytetarët me pagesën përmes celularit. Në tri sheshet, shërbimi i policisë do të jetë i pranishëm 24 orë.

Dokumentet ngrenë pikëpyetje edhe për parkimet e personave me aftësi të kufizuara. Sipas kritereve që shoqërojnë vendimin, të paktën 5% e vendeve duhet të rezervohen për ta, pa pagesë. Por 157 vendet e raportuara përbëjnë rreth 4,5% të totalit prej 3.487 vendesh.

Nëse përqindja llogaritet mbi këtë total, do të duheshin të paktën 175 vende, ose 18 më shumë. Dokumentet nuk sqarojnë se cilat vende janë përfshirë në llogaritjen e bashkisë, ndaj mbetet për t’u sqaruar nëse kërkesa prej 5% është përmbushur.

Amfora kërkoi edhe studimet mbi trafikun, nevojat për parkim dhe kostot e skemës.

“Propozimi i zonave të administrimit të parkimit si dhe i tarifave të shërbimit të parkimit me pagesë në rrugë dhe sheshe është bërë sipas vlerësimeve të grupit përkatës të punës të ngritur nga Institucioni i Bashkisë Durrës për këtë qëllim”, u përgjigj institucioni.

Bashkia nuk vuri në dispozicion një studim të tillë. Materialet e dhëna nuk tregojnë sa është kërkesa për parkim dhe sa të zëna janë vendet në zonat e përzgjedhura, megjithëse vendimi i rendit këto ndër kriteret për ndarjen e tyre.

Edhe numërimi i vendeve ka kufizime. Procesverbali i grupit të punës i datës 17 mars 2026 i përshkruan përllogaritjet si të përafërta, për shkak të mungesës së mjeteve të posaçme për matje dhe kushteve të punës në terren. Ai evidenton vende të mundshme parkimi, ndërsa dokumentet e vëna në dispozicion nuk përfshijnë një numërim përfundimtar pas vijëzimit.

Për vijëzimin dhe vendosjen e sinjalistikës në 16 akset rrugore dhe tri sheshet, bashkia parashikoi rreth 10,7 milionë lekë, ndërsa kontrata u lidh për rreth 8,1 milionë lekë. Të dyja shifrat janë pa TVSH dhe financimi vjen nga buxheti i bashkisë.

Përgjigjja nuk jep koston e plotë të ngritjes dhe funksionimit të sistemit, përfshirë pajisjet, mirëmbajtjen dhe kontrollin e pagesave. Ajo nuk sqaron plotësisht as se kush do ta administrojë sistemin dhe si do të verifikohet nëse drejtuesit kanë paguar.

Ndërkohë, vendimi i vitit 2024 miraton më shumë sheshe me pagesë sesa tri ku njoftohet nisja e sistemit. Në shtator 2025, Këshilli Bashkiak shtoi edhe sheshin “26 Nëntori 1912”, pranë Stacionit të Trenit. Ky ndryshim nuk prek tarifën për rezidentët dhe materialet e dhëna nuk tregojnë kur do të nisë pagesa në sheshet e tjera.

Me nisjen e skemës, tarifat dhe mënyrat e pagesës janë përcaktuar. Për banorët që do të kërkojnë parkim falas, mbetet pa përgjigje sa vende kanë në dispozicion dhe nëse ato mjaftojnë.