Viti i ri akademik nis me inaugurim dhe protestë në UAMD

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës nisi vitin akademik 2026–2027 me inaugurimin e një godine të re, ndërsa jashtë kampusit studentët protestuan në pritje të kryeministrit Edi Rama. Ai nuk mori pjesë në ceremoni, megjithëse universiteti e kishte njoftuar dhe shënuar si të konfirmuar pjesëmarrjen e tij.

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës hapi më 5 tetor vitin akademik 2026-2027 dhe inauguroi godinën e re të Fakultetit të Studimeve Profesionale në kampusin e Spitallës, në një ditë që u shoqërua edhe me protestë studentore dhe pretendime për pengimin e hyrjes në auditorë.

“Studentë që kanë kërkuar thjesht të hyjnë në universitet janë shoqëruar në komisariat”, shkroi kryetari i Partisë Demokratike në Durrës, Adrian Gashi, në një postim të shoqëruar me video.

Ai e lidhi pengimin e studentëve me përgatitjet për ceremoninë ku ishte njoftuar pjesëmarrja e kryeministrit Edi Rama. Sipas Gashit, masat për aktivitetin kishin cenuar mundësinë e studentëve për të hyrë në universitet në ditën e parë të mësimit.

“Siguria e Kryeministrit është përgjegjësi e institucioneve. Mësimi është e drejtë e studentëve. Njëra nuk mund të garantohet duke cenuar tjetrën”, u shpreh ai.  

Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës nisi vitin e ri akademik me inaugurimin e një godine të re, ndërsa jashtë kampusit studentët protestuan. Kryeministri Edi Rama nuk mori pjesë në ceremoni, megjithëse universiteti e kishte njoftuar praninë e tij.

Në një tjetër postim që shoqëronte pamjet nga kampusi, Sidorela Vatnikaj aktiviste, raportoi se studentët kishin bojkotuar mësimin dhe kishin bllokuar rrugën në pritje të Ramës. Në videot e shfaqura në rrjetet sociale u shfaqën studentë duke protestuar në hyrje të kampusit, ndërsa ndërhyn policia. 

E pyetur nga Media Amfora për shoqërimet në komisariat, Policia e Durrësit fillimisht deklaroi se nuk kishte persona të shoqëruar, por më pas sqaroi se një person ishte marrë për verifikim.

“Nuk ka asnjë të shoqëruar. Edhe ai që u shoqërua ishte për verifikim”, tha policia. Sipas saj, personi kishte kundërshtuar dhe nuk kishte pranuar të paraqiste dokumentet.

Policia nuk përcaktoi në përgjigje nëse ai ishte student dhe nuk dha hollësi për kohëzgjatjen apo përfundimin e verifikimit. Kryetari i PD Durrës Gashi, nga ana tjetër, nuk bëri të ditur numrin e personave që pretendonte se ishin shoqëruar.

Studentët e mbledhur në shenjë proteste duke pritur ardhjen e kryeministrit Edi Rama. Foto: Albana Aliaj

Pjesëmarrja e Ramës në ceremoni ishte njoftuar zyrtarisht nga UAMD-ja. Në ftesën drejtuar mediave, universiteti përcaktonte orën 10:00 për nisjen e aktivitetit, ndërsa agjenda e shënonte fjalën e kryeministrit si të konfirmuar.

“Ceremonia zyrtare nis në orën 10:00 dhe do të zhvillohet me pjesëmarrjen e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, z. Edi Rama”, shkruhej në njoftim.

Përfaqësuesve të mediave u kërkohej të konfirmonin paraprakisht praninë, për koordinimin me Protokollin e Kryeministrit. Programi parashikonte fjalime, prerjen e shiritit dhe një vizitë në ambientet e godinës së re, të njohur si “G3”.

Rama nuk mori pjesë në ceremoni, e cila u zhvillua me autoritet të tjera qëndrore dhe vendore. Pjesëmarrësit inaugurua godina e re e Fakultetit të Studimeve Profesionale. 

Në mesazhin e tij për nisjen e vitit akademik, rektori Shkëlqim Fortuzi u uroi mirëseardhjen studentëve të rinj dhe atyre që riktheheshin në auditorë.

“Universiteti nuk është vetëm vendi ku fitohet një diplomë. Është vendi ku formohen profesionistë, zhvillohen ide, krijohen mundësi dhe lind guximi për të synuar më shumë”, shkroi ai në urimin drejtuar studentëve.

Fortuzi u zotua për një universitet më të hapur dhe ndërkombëtar, me studentin në qendër.