Organizatat e medias kërkojnë hetim për ndërhyrjen e policisë ndaj gazetares gjatë aksionit të SPAK-ut

Organizatat e gazetarëve kërkuan hetim dhe sqarim publik për ndërhyrjen e policisë ndaj gazetares Albana Aliaj gjatë raportimit të aksionit të SPAK-ut në Shkozet. Ajo denoncoi se efektivë të maskuar i morën telefonin, e kërcënuan me pranga dhe i fshinë pamjet e filmuara.

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës, kërkuan të martën hetim dhe sqarim publik për ndërhyrjen e policisë ndaj gazetares së Syri TV, Albana Aliaj, gjatë raportimit të aksionit të SPAK-ut në Shkozet të Durrësit, ku ajo denoncoi se efektivë të maskuar i morën telefonin, e kërcënuan me pranga dhe i fshinë pamjet e filmuara.

“Policia nuk mund të vendosë se çfarë duhet të filmojë një gazetar dhe as të fshijë materialet e tij gazetareske”, reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, duke e cilësuar rastin si cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe të punës së gazetarit.

AGSH kërkoi nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës dhe nga drejtuesit e Policisë së Shtetit që të sqarojnë publikisht ngjarjen, të identifikojnë efektivët e përfshirë dhe të marrin masa nëse konfirmohen veprimet e denoncuara nga gazetarja.

Sipas organizatës, filmimi dhe dokumentimi i veprimeve të policisë në hapësira ku raportimi është i ligjshëm është pjesë e punës së medias, për sa kohë gazetari nuk pengon zhvillimin e operacionit.

Edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Durrës, kërkoi verifikimin me transparencë të rastit dhe sqarimin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera ndaj gazetares.

“Gazetarët që ndodhen në terren për të informuar publikun duhet të lejohen të ushtrojnë detyrën e tyre pa presion, kërcënime apo ndërhyrje të pajustifikuara”, thuhet në reagimin e Unionit.

Sipas UGSH-së në Durrës, gazetarja ndodhej në një rrugë të një zone të banuar dhe nuk kishte cenuar ndonjë perimetër sigurie. Organizata kërkoi që të bëhen të qarta rrethanat e incidentit, identiteti i efektivëve të përfshirë dhe baza ligjore e ndërhyrjes.

Reagimet e organizatave erdhën pas denoncimit publik të gazetares Albana Aliaj, e cila po ndiqte operacionin policor të zhvilluar në Shkozet.

“Po filmoja një operacion policor kur efektivë të armatosur dhe me kapuça më rrethuan makinën. Më morën telefonin. U kërcënova me pranga nëse nuk bindesha, ndërsa videot që kisha filmuar po fshiheshin”, shkroi Aliaj.

Gazetarja tha se prej 10 vitesh ushtron profesionin dhe se ishte hera e parë që kishte ndier frikë gjatë raportimit.

“Jo nga ajo që po filmoja, por nga ata që duhej të garantonin sigurinë”, shkroi ajo, duke bërë të ditur se do të kërkojë përgjegjësi dhe hetim për ngjarjen.

Aliaj ndodhej në Shkozet për të raportuar kontrollet e zhvilluara nga SPAK dhe Policia e Shtetit në kompleksin e vilave të njohur si baza e grupit kriminal Troplini-Doçi.

Gjatë aksionit, rruga mes vilave u mbush me makina policie dhe efektivë të armatosur, ndërsa hyrjet u bllokuan me barriera. Gjykata e Posaçme kishte autorizuar kontrollin e kompleksit të vilave në kryqëzimin e rrugëve “Durrësi në Shekuj” dhe “Bajram Tusha”, në Shkozet.

Deri në momentin e publikimit, Policia e Shtetit dhe Drejtoria Vendore e Policisë Durrës nuk kishin bërë publik një reagim për denoncimin e gazetares dhe kërkesat e organizatave të medias.