Mbi 41 kg kokainë ende pa autorë, rasti i tretë në 23 ditë në Portin e Durrësit

Tre ngarkesa me kanabis dhe kokainë janë zbuluar në Portin e Durrësit brenda 23 ditësh, duke e çuar sasinë e sekuestruar në mbi 229 kilogramë. Dy ngarkesat e para erdhën nga Kanadaja, ndërsa rasti i fundit lidhet me një kontejner nga Brazili dhe ende nuk ka persona të identifikuar.

Një kontejner me origjinë nga Brazili, që sipas dokumentacionit transportonte mish pule, u kontrollua më 14 shtator në Portin e Durrësit. Në kapakët e jashtëm të tij u gjetën 37 paketime me kokainë.

Sasia e sekuestruar peshonte 41 kilogramë e 350 gramë dhe kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 2 milionë eurosh. Autoritetet nuk kanë njoftuar deri më tani për persona të arrestuar apo të shpallur në kërkim për këtë rast.

Hetimet po vijojnë për të përcaktuar origjinën dhe destinacionin e kokainës, si dhe personat e përfshirë në transportimin e saj. Operacioni u emërtua nga policia “Anchor 3”.

Por kokaina e ardhur nga Brazili është ngarkesa e tretë me lëndë narkotike e zbuluar në Portin e Durrësit që prej 22 gushtit.

Atë ditë, një automjet i porositur për blerje në Kanada rezultoi i modifikuar për fshehjen e 127 pakove me rreth 80 kilogramë kanabis të llojit “Gelato”. Sipas policisë, droga sigurohej në Ontario dhe, pasi mbërrinte në Shqipëri, dyshohej se shpërndahej edhe drejt Kosovës. 

Tre shtetas kosovarë u arrestuan në atë rast, ndërsa dy persona të tjerë u shpallën në kërkim. Policia e përllogariti vlerën e kanabisit në rreth 1 milion euro. 

Më 9 shtator, një tjetër kontejner i ardhur nga Kanadaja solli në Portin e Durrësit dy automjete dhe një kamper. Brenda hapësirave të modifikuara të kamperit, të mbuluara me veshje druri, u gjetën 190 pako me 107.7 kilogramë kanabis “Gelato”. 

Ngarkesa u vlerësua në rreth 1.2 milionë euro, ndërsa dy persona u shpallën në kërkim. Gjatë kontrollit u sekuestruan edhe 43 cigare elektronike, disa prej të cilave kishin mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë të (THC)-së, substancës së kanabisit që shkakton efektin psikoaktiv. 

Dy ngarkesat nga Kanadaja kishin sjellë në Portin e Durrësit rreth 188 kilogramë kanabis brenda 18 ditësh, duke përdorur në të dyja rastet automjete të modifikuara për fshehjen e drogës.

Me 41.35 kilogramët e kokainës të sekuestruar të hënën, në tre rastet janë kapur në total mbi 229 kilogramë lëndë narkotike, ndërsa vlera e përllogaritur nga policia për ngarkesat arrin në rreth 4.2 milionë euro.

Tre rastet janë emërtuar nga policia “Anchor”, “Anchor 2” dhe “Anchor 3”. Megjithatë, nga informacionet e bëra publike deri tani nuk është sqaruar nëse përdorimi i të njëjtit emërtim lidhet me një procedim të përbashkët apo nëse personat dhe rrjetet e dyshuara pas ngarkesave kanë lidhje mes tyre.