Albin Kurti në protestat e Tiranës: Imazhe të rreme shënjestruan kryeministrin e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u paraqit si pjesëmarrës dhe drejtues i protestave të të rinjve në Shqipëri përmes publikimeve në media dhe rrjetet sociale. Ndërsa një imazh e vendoste në protestën e Tiranës, Qeveria e Kosovës publikoi njoftime për aktivitetet e tij në Prishtinë, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje mohoi të kishte bërë thirrje për pjesëmarrje në tubime.

Gjatë protestave të studentëve dhe të rinjve në Shqipëri, emri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u lidh me tubimet në Tiranë përmes publikimeve në media dhe rrjetet sociale, ku pretendohej se ai kishte marrë pjesë në protestë apo kishte marrë drejtimin e saj.

“Albin Kurti i bashkohet protestës me të rinjtë në Shqipëri”, shkruhej në një publikim në Instagram të televizionit lokal në Fier, “Apollon TV”.

Sipas një njoftimi zyrtar të Qeverisë së Kosovës, më 24 tetor Kurti priti në Prishtinë një delegacion të klubit të futbollit FC Dardania Basel, të themeluar nga diaspora shqiptare në Zvicër.

“Observatori i Reziliencës” – pjesë e Amforës – e verifikoi se imazhi ishte gjeneruar me Inteligjencë Artificiale, duke e vendosur Kurtin në mesin e protestës së supozuar, ku dallohej në mesinë e të rinjve dhe me në sfond monumentin e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Për të rritur besueshmërinë posteri mbante logon e Televizionit Klan, mbishkrimet “Direkt-Tiranë” dhe “Lajmi i fundit”, duke shkruar: “Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, eshtë parë sot në sheshin Skendej në Tiranë, ku i është bashkuar protestës së të rinjve shqiptarë, që po kerkojnë më shumë drejtësi, punësim dhe një të ardhme më të mirë”.

Posteri mbante edhe një citim të rremë të Kurtit në kontekstin e protestës në Tiranë, duke cituar sikur të ishte shprehur: “Rinia eshtë, forca jonë më e madhe, së bashku mund të ndryshojmë kete vend”.

Po atë ditë, kryeministri Kurti publikoi edhe një adresim për qytetarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, në lidhje me zgjedhjet dhe pjesëmarrjen e tyre në votim. Njoftimet zyrtare mohojnë pjesëmarrjen e Kurtit në protestën e Tiranës.

Pretendime për një lidhje të kryeministrit të Kosovës me protestat në Shqipëri u shfaqën edhe në publikime të tjera në rrjetet sociale.

Pretendimet për lidhjen e Albin Kurtit me protestat në Shqipëri kishin nisur të përhapeshin edhe më herët. Përpara protestës kombëtare të 24 tetorit, emri i kryeministrit të Kosovës ishte përmendur në publikime që i atribuonin atij një rol në drejtimin e protestave.

Më 19 tetor, “Gazeta Tema” publikoi një artikull me titullin “Albin Kurti merr komandën e revoltave në Shqipëri, flet në emër të studentëve”.

Artikulli i referohej deklaratave të kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e cila kishte kërkuar që institucionet shqiptare të dëgjonin kërkesat e protestuesve.

“Është shumë e rëndësishme që kërkesat e protestuesve të dëgjohen nga institucionet”, deklaroi Haxhiu më 19 tetor, duke kërkuar që institucionet shqiptare të trajtonin kërkesat e studentëve.

Ajo kërkoi gjithashtu ndalimin e dhunës nga protestuesit dhe policia. E pyetur për përfshirjen e mundshme të mbështetësve të Vetëvendosjes në protesta, Haxhiu mohoi që partia të kishte organizuar pjesëmarrjen.

“Sa i përket pjesëmarrjes, duhet të theksoj që asnjëherë nuk ka pasur thirrje nga Vetëvendosja që të mbështeten protestat. Kjo nuk i takon Vetëvendosjes”, tha ajo.

Haxhiu shtoi se partia nuk mund të mbante përgjegjësi nëse mbështetës të saj vendosnin të merrnin pjesë individualisht në tubime.

Ndryshe nga titulli, ku thuhet se Albin Kurti kishte marrë drejtimin e protestave në Shqipëri dhe fliste në emër të studentëve, në përmbajtjen e artikullit nuk paraqitet asnjë deklaratë e tij apo provë që mbështet këtë pretendim. Artikulli i referohet vetëm deklaratave të Albulena Haxhiut, e cila kërkoi që institucionet shqiptare të dëgjonin protestuesit.

Narrativat paraprinë më hertë nga një ngjarje më 16 tetor. Vox News publikoi në Instagram një raportim për shoqërimin nga policia të dy të rinjve nga Prishtina gjatë protestës në Tiranë dhe duke iu referuar Top Channel, publikimi i atribuonte njërit prej të rinjve deklaratën se ishte simpatizant i Albin Kurtit dhe dëshironte një qeveri në Shqipëri më të afërt me politikat e Vetëvendosjes. Në të njëjtin përshkrim përfshihej edhe mohimi i të riut se kishte kryer veprime të dhunshme.

“Mbështetës të Albin Kurtit në Tiranë për të rrëzuar Edi Ramën, del dëshmia e kosovarit të ndaluar: Shqipëria do shkjaun, duhet qeveri tjetër pro kryeministrit tonë (Dokumenti)”, shkruhej në një artikull të Newsbomb Albania, të publikuar më 16 tetor. Publikimi e lidhte këtë titull me dëshminë që i atribuohej një shtetasi kosovar të ndaluar. Formulimi vendoste në qendër mbështetjen për Kurtin, dhe e citonte atë duke referuar se ishte lexuar nga redaksia një dokument i Policisë Gjyqësore e Komisariatir Nr. 1 në Tiranë.

“Për këtë arsye kam ardhur për të hedhur qeverinë shqiptare, me qëllim të vendoset një qeveri tjetër pro politikave të Lëvizjes Vetëvendosja dhe Albin Kurtit”, citohej ndër të tjera si dëshmi e parë në procesverbal.  

Protestat e studentëve dhe të rinjve në Shqipëri nisën më 13 tetor, me kërkesa për përmirësimin e kushteve në arsim dhe kundërshtimin e korrupsionit. Gjatë ditëve pasuese, ato u përhapën në disa qytete dhe u shoqëruan me kërkesën kryesore për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Publikimet e shqyrtuara e lidhën emrin e Albin Kurtit me këto protesta në mënyra të ndryshme, por nuk paraqitën prova që ai të kishte marrë pjesë personalisht, apo të kishte organizuar apo të kishte drejtuar tubimet në Shqipëri.