Hapësirat e katër kalave historike u ofrohen privatëve, kontrata deri në 20 vjet
Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka shpallur konkurrimin për dhënien në përdorim të 700 metrave katrorë në katër kala historike, me kontrata deri në 20 vjet. Dhënia e hapësirave për aktivitete tregtare rikthen në vëmendje mungesën e transparencës për kontratat dhe tarifat e përdorimit të monumenteve të kulturës.
Bar-restorant brenda Kalasë së Shkodrës. Foto Media Amfora
Katër kala, monumente kulture të kategorisë së parë, janë përfshirë në një procedurë konkurrimi për dhënien në përdorim të ambienteve të shërbimit, sipas një njoftimi të publikuar më 19 tetor 2026 nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit.
Procedura përfshin Kalanë e Rozafës në Shkodër, Kalanë e Kaninës në Vlorë, si dhe kalatë e Prezës dhe Petrelës në Tiranë. Të katërta gëzojnë statusin e monumentit të kulturës së kategorisë së parë.
Në njoftimin zyrtar, ministria e paraqet dhënien në përdorim të këtyre ambienteve si pjesë të përpjekjeve për rijetësimin e pasurive kulturore.
“Dhënie në përdorim ambienti shërbimi në pasurinë kulturore Kalaja e Shkodrës (Rozafës), monument kulture, kategoria e parë, me qëllim rijetësimi”, shkruhet në njoftim.
I njëjti përcaktim përdoret edhe për tri kalatë e tjera.
Në total, konkurrimi përfshin 700 metra katrorë hapësira shërbimi. Sipërfaqja më e madhe, prej 300 metrash katrorë, ndodhet në Kalanë e Kaninës, ndërsa në Kalanë e Rozafës parashikohet përdorimi i 200 metrave katrorë në oborrin e tretë.
Në kalatë e Prezës dhe Petrelës janë përcaktuar nga 100 metra katrorë për secilën, në hapësirat e oborreve të tyre.
Kontratat e përdorimit parashikohen të zgjasin deri në 20 vjet, me mundësi rinovimi, ndërsa investimet për shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e ambienteve do të financohen nga subjektet fituese.
Ministria ka publikuar katër dokumente të veçanta konkurrimi, një për secilin monument. Subjektet e interesuara duhet të paraqesin projektet dhe të dëshmojnë se kanë kapacitetet financiare, teknike dhe profesionale për realizimin e investimeve.
Ndër kriteret financiare parashikohet një garanci për administrimin e pronës, jo më e ulët se 10% e vlerës së investimit të propozuar. Gjithashtu, xhiroja mesatare vjetore e tre viteve të fundit duhet të jetë të paktën sa gjysma e investimit të parashikuar.
Projektet do të vlerësohen edhe për masat e mbrojtjes së monumenteve, vlerën e investimeve dhe cilësinë e propozimeve për rijetësimin e hapësirave. Secili prej këtyre tre kritereve përfaqëson 20 pikë nga 100 pikët e vlerësimit.
Kushtet përfshijnë gjithashtu ruajtjen e vlerave kulturore, sigurimin e aksesit të publikut dhe parashikimin e fondeve vjetore për mirëmbajtjen e pasurive. Në hapësirat ku ndodhen gjurmë arkeologjike, kërkohen edhe burime financiare për studimet përkatëse.
Media Amfora ka trajtuar më herët në një analizë çështjen e aktiviteteve tregtare brenda kalave dhe parqeve arkeologjike, duke evidentuar mungesën e transparencës për kontratat dhe tarifat e përdorimit të këtyre hapësirave.
Në përgjigje të kërkesës për informacion, ministria kishte deklaruar se nuk kishte nënshkruar kontrata apo marrëveshje për ushtrimin e aktiviteteve tregtare brenda monumenteve të kulturës, ndërsa për tarifat iu referua kuadrit ligjor në fuqi.
Tri nga kalatë e përfshira në konkurrimin e ri, Rozafa, Preza dhe Petrela, ishin pjesë edhe e verifikimeve të mëparshme të Amforës.
Ministria ka shpallur hapjen e procedurave për ambientet e shërbimit, por nuk ka njoftuar ende përzgjedhjen e fituesve apo lidhjen e kontratave. Konkurrimi nuk përfshin dhënien në përdorim të kalave në tërësi, por hapësira të caktuara brenda tyre.