Nga Kruja në Himarë, zjarret ushqyen narrativën që fajëson izraelitët pa prova
Zjarret që përfshinë Shqipërinë gjatë verës u shoqëruan nga një valë postimesh që i lidhnin pa prova me turistët dhe shtetasit izraelitë. Pretendimet u përsëritën nga Kruja në Himarë, ndërsa të dhënat zyrtare nuk e mbështesin këtë lidhje dhe ekspertët e turizmit paralajmërojnë se narrativa të tilla mund të cenojnë perceptimin e Shqipërisë si destinacion i sigurt.
Grafikë ilustruese me postimet në rrjetet sociale. Përpunoi Media Amfora
“Krujë, o qytet i bekuar, prite, prite Izraelnë, po vjen si dron i maskuar të shkrumbojë mëmëdhenë”, shkruante më 29 gusht, llogaria “Kthetrat” në rrjetin social X, duke shpërndarë pamje të një zjarri në zonën e Krujës.
Ngjarja e regjistruar në vetvete ishte reale, por ajo nuk lidhej me shtetas izraelitë dhe aq më pak me një zjarrvënie prej tyre. Zjarri masiv u raportua më 29 gusht mes Kroit të Madh dhe fshatit Cudhi në Krujë dhe nuk identifikonte shkakun apo ndonjë person të dyshuar. Në postim, këto zjarre iu atribuuan izraelitëve, pa u paraqitur prova që mbështesnin këtë pretendim.
Nga monitorimi i Amforës i njëjti profil shpërndau midis datave 7 gusht – 3 shtator të paktën 110 postime ku në një pjesë të madhe i lidhte zjarret me izraelitët nga veriu në jug të vendit, duke spekuluar mbi interesat e tyre në miniera, në “Paketën e Maleve” dhe duke përdorur fjalinë, “Izraelitët djegin Shqipërinë…”, të cilës i shtohej vendndodhja e zjarrit sipas rastit. Një trend ky që u amplifikua edhe nga llogari dhe faqje të tjera në mediat sociale.
Për ekspertët e turizmit përsëritja e narrativave që fajësojnë shtetas të huaj për zjarret apo ngjarje të tjera pa prova, në këtë rast izraelitët, mund të ndikojë edhe në perceptimin e Shqipërisë si destinacion i sigurt.
“Gjuha retorike apo teoritë konspirative që u atribuojnë përgjegjësinë për zjarret grupeve apo kombësive të caktuara, përfshirë vizitorët apo investitorët izraelitë, kanë ndikim të menjëhershëm dhe mjaft negativ në sigurinë e perceptuar”, tha për Amforën eksperti i turizmit, Zak Topuzi.
Turistët izraelitë futen në kornizën e zjarrvënësve
“24 orë para se Dajti të përfshihej nga flakët, një grup me izraelitë e vizituan zonën cep më cep…”, shkruajti “Vatani News” përmes një postimi në “Instagram”, duke ndarë fotot e disa personave teksa lëviznin në Malin e Dajtit dhe në hapësirën e teleferikut. Publikimi mori 1500 pëlqime, 277 komente dhe 212 rishpërndarje, duke i “faturuar” turistëve izraelitë dyshimet për zjarrvënie.
“Vatani News” paraqitet si një kanal informativ, që deri më tani ka publikuar përmbajtje për zjarret në Shqipëri me tituj emocionalë dhe pyetës, në komentet e të cilave janë shfaqur akuza të pambështetura ndaj izraelitëve teksa edhe vetë ky kanal i shënjestroi më herët ata. Një narrativë tashmë e gjerë në nivel global, ku qindra postime në mediat sociale i paraqesin izraelitët si autorë të zjarreve në Liban dhe në vende të tjera, megjithëse nuk përmbajnë fakte të verifikuara.
Amfora.al shqyrtoi komunikatat publike dhe përmbledhjet 24-orëshe të Policisë së Shtetit për periudhën 1 korrik – 31 gusht 2026 lidhur me autorët e dyshuar të zjarrvënieve. Në rastet ku jepeshin të dhëna individuale, personat e ndaluar, arrestuar ose proceduar për zjarrvënie identifikoheshin vetëm shtetas me vendbanim në Shqipëri.
Në përmbledhjen kombëtare e 14 korrikut, Policia e Shtetit njoftoi se 29 persona ishin arrestuar ose proceduar si autorë të dyshuar të zjarrvënieve – ndërsa në njoftimet për rastet në Mirditë dhe Himarë, të dyshuarit identifikoheshin me vendbanim në Shqipëri dhe asnjëri nuk paraqitej nga policia si shtetas i huaj.
Ndërsa “dyshimet” dhe aludimet përfunduan deri në profile ndërkombëtare, si në rrjetin social “X”. Më 6 shtator, llogaria “Rabbi Jeff” publikoi pamje nga zjarret në Himarë, duke shkruar se në zonë ndodhej një grup i madh turistësh izraelitë dhe se më herët kishte pasur tensione me vendasit, përpara se të ngrinte pyetjen: “Rastësi?”. Postimi mori një audiencë të konsiderueshme, me rreth 209 mijë shikime, 11 mijë pëlqime, 4 mijë ripostime dhe mbi 500 përgjigje.
Kjo llogari paraqitet si profili rezervë zyrtar i “Parody Jeff”, një kanal që më 26 gusht Amfora e identifikoi si një nga përhapësit kryesorë të pretendimit të rremë se një kabinë elektrike e djegur në Vlorë ishte një “Airbnb” të cilit i ishte vënë flaka pasi pronari kishte dëbuar ushtarë izraelitë. Dy postimet përsërisin të njëjtën mënyrë kornizimi, lidhjen e zjarreve në Shqipëri me praninë e izraelitëve përmes insinuatave, pa paraqitur prova për autorësinë e tyre dhe tashmë “X” e ka mbyllur llogarinë tjetër, “Parody Jeff”.
Narrativa e shfaqur verën e nxehtë të këtij viti duket të jetë shfaqur që prej fillimit të vitit, kur më 13 janar, Faqja “Libri Komenti”, publikoi në Facebook një video të një proteste, që mbante mbishkrimin: “Sionizmi jashtë Kilit, jashtë Argjentinës dhe jashtë Amerikës Latine”.

Videoja e ndarë në shqip shoqërohej me përshkrimin: Si e shpjegoni këtë protestë? A mund të ketë ndodhur e njëjta gjë me zjarret në Shqipëri? Nëse keni izraelitë në vendin tuaj, jeni në rrezik.
Mijëra protestues në Argjentinë dhe Kili po kërkojnë dëbimin e izraelitëve dhe ndërprerjen e lidhjeve me entitetin terrorist sionist, pasi turistët izraelitë dyshohet se kanë ndezur zjarre në pyje në Argjentinë dhe Kili”, përfundoi postimi.
Për ekspertët amplifikimi i pretendimeve të tilla mund të ndikojë si tek vendimet individuale për të udhëtuar drejt Shqipërisë, ashtu edhe tek reagimi i operatorëve turistikë. Për Zak Topuzin tregu izraelit është mjaft i ndjeshëm ndaj çështjeve të sigurisë personale dhe amplifikimit në media.
“Gjuhë të tilla, jo vetëm që zbehin dëshirën e vizitorëve individualë për të udhëtuar drejt Shqipërisë, por mund të çojë gjithashtu në rishikimin e këshillave të udhëtimit nga agjencitë qendrore të turizmit apo në anulime masive nga operatorët turistikë”, tha Topuzi për Amforën.
Një tjetër eksperte e fushës paralajmëron se, nëse narrativa që i lidh izraelitët me zjarret shtohet dhe përsëritet në të ardhmen, ajo mund të ndikojë në mënyrën se si komunitetet i perceptojnë këta vizitorë dhe të krijojë problematika.
“Nëse i shtohet shumë këtij elementi mund të shkaktojë reagim tek komuniteti i thjeshtë nga ajo që diskutohet në lidhje me izraelitët“, tha Brunilda Liçaj, pedagoge në fushën e turizmit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës.

Këto raste shfaqen në një periudhë kur numri i vizitorëve nga Izraeli në Shqipëri është në rritje. Sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, në maj 2026 vizitorët nga Izraeli u rritën me 48% krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Deri tani nuk ka të dhëna publike që të lidhin përhapjen e këtyre narrativave me rënie të numrit të izraelitëve që zgjedhin të njohin Shqipërinë. Megjithatë sipas ekspertëve në situata të tilla komunikimi transparent dhe i mbështetur në të dhëna zyrtare nga institucionet shtetërore dhe sektori privat mbetet thelbësor.
“Duhet të shmanget gjuha akuzuese apo supozimet pa argumente ligjore, duke ia lënë hetimin e shkaqeve organeve të drejtësisë“, tha eksperti Zak Topuzi.
Topuzi u ndal edhe tek nevoja për një sistem të drejtpërdrejtë paralajmërimi gjatë emergjencave, që të informojë në kohë reale banorët dhe turistët që ndodhen në zonat e rrezikuara.
“Shqipëria duhet të implementojë direktivën evropiane ‘EU-Alert’, duke aktivizuar protokollin ‘Cell Broadcast’ në nivel kombëtar, të lidhur me Mbrojtjen Civile”, përfundoi ai.
Situata e zjarreve në Shqipëri u përhap gjerësisht në kanale vendase dhe të huaja, duke lidhur pa fakte dhe prova turistët izraelitë me djegen masive të pyjeve nga veriu në jug, që deri më tani kanë rrezikuar edhe qytete si Kruja dhe Himara.