Tjetër viktimë nga aksidentet rrugore, në Durrës rastet u trefishuan gjatë korrikut
Një 49-vjeçar humbi jetën këtë të hënë në Kavajë, pasi motomjeti që drejtonte u përplas me një automjet. Të dhënat e fundit të INSTAT-it tregojnë se në Durrës rastet u trefishuan gjatë korrikut, nga 5 një vit më parë në 15 këtë vit.
Aksident rrugor. Foto ilustruese Media Amfora
Përplasja mes një automjeti dhe një motomjeti në aksin Gosë-Vilbashtovë, në Kavajë, i mori jetën mëngjesin e së hënës një 49-vjeçari. Aksidenti ndodhi rreth orës 09:05, ndërsa viktima ishte duke drejtuar motomjetin.
“Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, njoftoi policia e Durrësit.
Aksidenti fatal vjen ndërsa të dhënat më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT) tregojnë se gjatë korrikut rastet në qarkun e Durrësit u trefishuan krahasuar me të njëjtin muaj të një viti më parë.
Në korrik 2026 u regjistruan 15 aksidente rrugore, nga 5 në korrik 2025. Rritje shënoi edhe numri i personave të vdekur dhe të plagosur së bashku, nga 7 në 17.
Në rang vendi, gjatë korrikut u regjistruan 165 aksidente rrugore, në të cilat 235 persona mbetën të vdekur ose të plagosur. Sipas INSTAT-it, 90.3% e aksidenteve ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve.
Grupmosha 25-34 vjeç paraqiti numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 21.8% të totalit të regjistruar gjatë muajit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu se 25.5% e aksidenteve ndodhën në intervalin 19:00-24:00, që ishte edhe harku kohor me numrin më të lartë të rasteve. Sipas ditëve të javës, e enjtja kishte përqindjen më të lartë, me 18.8%, ndërsa e marta më të ulëtën, me 12.1%.
Rritja e aksidenteve rrugore në Durrës është evidentuar edhe gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, ndërsa vetëm gjatë muajit gusht disa aksidente të rënda kanë shkaktuar viktima.