Katër jetë të humbura në tre ditë, aksidentet rrugore u rritën me 20% në Durrës

Katër persona kanë humbur jetën në dy aksidente rrugore në Qarkun e Durrësit në tre ditët e fundit, ndërsa një tjetër aksident i rëndë u regjistrua mëngjesin e së premtes. Të dhënat e Institutit të Statistikave tregojnë se aksidentet janë rritur me rreth 20% gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Vasil Hasani, 32 vjeç dhe baba i dy fëmijëve, po shkonte në punë me biçikletë mëngjesin e së premtes, kur u përplas për vdekje nga një automjet në Rrashbull, në aksin Shkozet-Shijak. Drejtuesi i automjetit u largua nga vendngjarja.

Aksidenti ndodhi rreth orës 06:15. Sipas informacionit paraprak të Policisë së Durrësit, Hasani ndërroi jetë në vendngjarje, ndërsa drejtuesi i automjetit nuk ishte identifikuar dhe vijonte puna për kapjen e tij.

32-vjeçari u gjet pa jetë nga kalimtarë të rastit rreth dy orë pas përplasjes.

Vdekja e Hasanit e çoi në katër numrin e personave që kanë humbur jetën në dy aksidente të rënda në qarkun e Durrësit, nga 19 deri më 21 gusht.

Në orët e para të së mërkurës, tre persona humbën jetën dhe dy të tjerë u plagosën në një aksident në një rrugë dytësore në Manzë. Viktimat ishin drejtuesi i automjetit, Kleo Vrioni, 25 vjeç, pasagjerja Sara Brugnatelli, 26 vjeçe, dhe Alvi Muhaxhiri, 15 vjeç. Dy pasagjerë të tjerë u dërguan në Tiranë për ndihmë mjekësore, ndërsa një 16-vjeçar u raportua në gjendje të rëndë. 

“Rreth orës 02:22, në rrugën dytësore në Manzë, shtetasi K. V., 25 vjeç, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe, për pasojë, automjeti është përplasur me një bordurë betoni”, njoftoi Policia pas aksidentit.

Mëngjesin e së premtes u regjistrua edhe një tjetër aksident i rëndë në Durrës. Rreth orës 02:30, një automjet doli nga rruga pranë Vilës së Zogut dhe përfundoi rreth 40 metra më poshtë. Drejtuesja e automjetit u dërgua në spital për ndihmë mjekësore.

Ngjarjet e kësaj jave i shtohen një bilanci që tregonte rritje të aksidenteve në Durrës që në gjashtëmujorin e parë të vitit.

Vendi i ngjarjes ku u aksidentua 32 vjeçari. Foto: Elitjona Doko

Sipas të dhënave më të fundit të Institutit të Statistikave (INSTAT), gjatë periudhës janar-qershor 2026 në qarkun e Durrësit u regjistruan 59 aksidente rrugore, kundrejt 49 në të njëjtën periudhë të vitit 2025, ose rreth 20% më shumë. Numri i personave të vrarë dhe të plagosur së bashku u rrit nga 67 në 86. 

Vetëm në qershor, në Durrës u regjistruan 21 aksidente dhe 24 persona të vrarë ose të plagosur, ndërsa në qershorin e vitit 2025 ishin regjistruar tetë aksidente dhe 15 persona të vrarë ose të plagosur. 

Rritja është evidentuar edhe në rang vendi. Në gjashtë muajt e parë të 2026-s u regjistruan 679 aksidente rrugore, kundrejt 636 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ose 6.8% më shumë. Në qershor, sipas INSTAT, 93.9% e aksidenteve ndodhën si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. 

Aksidente me pasoja të rënda janë raportuar edhe në qarqe të tjera gjatë ditëve të fundit. Në aksin Peshkopi-Bulqizë, tre persona u plagosën në një aksident, ndërsa njëri prej tyre u transportua drejt Tiranës për ndihmë të specializuar. 

Ngjarjet përkojnë me muajt e sezonit turistik, kur lëvizja e automjeteve në akset kombëtare dhe zonat bregdetare shtohet. Megjithatë, shkaqet e secilit aksident përcaktohen veçmas nga hetimet dhe nuk mund t’i atribuohen vetëm fluksit të shtuar të qarkullimit.