Arrestohet në Durrës Ergys Agasi, i kërkuar nga SPAK-u për dosjen e AKSHI-t

Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme në kuadër të hetimeve për tenderët e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), u arrestua mbrëmjen e së mërkurës në Durrës. Bashkë me të u arrestua edhe ish-punonjësi i Policisë së Shtetit, Uljan Shpataraku, i cili gjithashtu rezultonte në kërkim.

"Screenshot" nga videoja e shpërndarë nga Policia e Shtetit

Ergys Agasi dhe Uljan Shpataraku u arrestuan mbrëmjen e së mërkurës pranë Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “The Wanted”, të zhvilluar nga policia lokale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe me SPAK-un.

Agasi u arrestua në zonën e Plepave në Durrës, teksa udhëtonte me automjet së bashku me Shpatarakun dhe u dërguan menjëherë drejt ambienteve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Sipas njoftimit për mediat nga SPAK-u, arrestimi i Agasit erdhi pas disa javësh pune të përbashkët mes strukturave operacionale të Policisë së Shtetit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Prokuroria e Posaçme sqaroi gjithashtu se Uljan Shpataraku, që e shoqëronte Agasin në momentin e ndalimit, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.

Agasi ishte shpallur në kërkim që prej dhjetorit të vitit 2025, në kuadër të hetimeve të SPAK-ut për procedurat e prokurimit të zhvilluara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Sipas të dhënave të publikuara për dosjen, SPAK dyshon se Agasi, së bashku me biznesmenin Ermal Beqiraj dhe persona të tjerë, kanë qenë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal që ndikonte në procedurat e prokurimeve publike.

Ndaj Agasit janë ngritur dyshime për vepra penale që përfshijnë, “Konkurrencën e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqjen e paligjshme të lirisë”, “Shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, “Grupin e strukturuar kriminal” dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.

Hetimet lidhen ndër të tjera me dyshimet për paracaktimin e operatorëve fitues në tenderët e AKSHI-t dhe pagesa të kryera ndërmjet kompanive të përfshira. Një prej të hetuarve, Ermal Beqiraj, u arrestua së fundmi nga autoritetet franceze gjatë një fluturimi të tij me avion privat.

Ndërsa Uljan Shpataraku është ish-punonjës i Policisë së Shtetit. Ai kishte mbajtur detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit dhe ishte larguar nga radhët e Policisë në maj të këtij viti për mosparaqitje në detyrë.

Shpataraku ishte shpallur në kërkim më 6 gusht, pas një kallëzimi të bërë nga punonjësit e një hoteli në Dhërmi. Ai dyshohet se kishte kërcënuar me jetë një kamarier dhe administratorin e hotelit pas një konflikti.