E-maili me përmbajtje terroriste kërcënon disa institucione me vendosje bombe
Disa institucione në qytete të ndryshme të vendit morën mëngjesin e së enjtes e-mail kërcënues, ku pretendohej se në ambientet e tyre ishte vendosur bombë. Kontrollet e policisë nuk konstatuan lëndë eksplozive, ndërsa dyshohet se kërcënimi ka mbërritur në Gjykatën dhe Bashkinë e Durrësit.
Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit: Foto ilustruese Media Amfora
Një e-mail kërcënues për vendosje eksplozivi mbërriti mëngjesin e së enjtes në adresat elektronike të disa institucioneve në qytete të ndryshme të vendit, duke sjellë ndërhyrjen e menjëhershme të policisë.
“Mëngjesin e sotëm, në adresat elektronike të disa institucioneve në disa qytete të vendit, është dërguar një e-mail nga një adresë ende e paidentifikuar, me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste”, njoftoi Policia e Shtetit.
Pas marrjes së informacionit për e-mailin kërcënues, strukturat e policisë nisën verifikimet në institucionet e përfshira dhe kontrollet e ambienteve për praninë e mundshme të lëndëve eksplozive.
“Nga kontrollet e kryera deri tani, nuk ka rezultuar të jetë vendosur bombë apo ndonjë lloj tjetër eksplozivi”, bëri të ditur Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit, në njoftimin e shpërndarë për mediat, nuk bëri të ditur se në cilat institucione dhe qytete kishte mbërritur e-maili me përmbajtje kërcënuese dhe terroriste. Megjithatë, media të ndryshme raportuan se mes institucioneve ku kishte mbërritur kërcënimi ishin SPAK-u dhe GJKKO-ja, ndërsa në Vlorë u raportua për Gjykatën, Bashkinë, Prokurorinë dhe Spitalin.
Dyshohet se e-maili kërcënues ka mbërritur në Gjykatën dhe Bashkinë e Durrësit, por deri në publikimin e këtij lajmi asnjëri prej institucioneve nuk kishte reaguar për rastin. Ndërkohë, në qytet është vërejtur lëvizje e shtuar e mjeteve të policisë së rendit.
Ndërkohë, hetimet për identifikimin e autorit dhe gjurmimin e adresës elektronike nga e cila janë dërguar kërcënimet po zhvillohen nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antiterrorit dhe agjenci të tjera ligjzbatuese.
Policia e Shtetit u bëri thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke deklaruar se strukturat e saj po vijojnë verifikimet për garantimin e sigurisë publike.