Shoqëria Civile: Sulmet ndaj gazetarëve dhe aktivistëve po ngushtojnë hapësirën qytetare
Organizatat e Shoqërisë Civile kanë shprehur shqetësimin për shtimin e sulmeve publike ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve të angazhuar në debatin publik. Përmes një deklarate të përbashkët, ato kërkojnë mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe hapësirës qytetare, duke u bërë thirrje institucioneve shqiptare dhe partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë për garantimin e standardeve demokratike në vend
Mediat gjatë raportimit të protestave qytetare të njohura si "Revolucioni i flamingove". Foto ilustruese nga Media Amfora
Organizata të Shoqërisë Civile, media të pavarura dhe organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kanë ngritur shqetësimin për atë që e cilësojnë si përshkallëzim të fushatave të denigrimit ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe qytetarëve që angazhohen në debatin publik, duke paralajmëruar se këto praktika rrezikojnë lirinë e shprehjes dhe standardet demokratike në vend.
Përmes një deklarate publike të nënshkruar nga 32 organizata dhe drejtuar Kuvendit, institucioneve të Bashkimit Evropian, OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe institucioneve të pavarura shqiptare, organizatat argumentojnë se sulmet ndaj zërave kritikë nuk përbëjnë më raste të izoluara, por një model komunikimi që synon të zhvendosë debatin nga çështjet me interes publik tek diskreditimi i individëve që i ngrenë ato.
“Në vend të debatit mbi argumentet, vihen në shënjestër personat. Në vend të diskutimit mbi faktet, vihen në dyshim motivet”, thuhet në deklaratën e nënshkruar edhe nga Qendra Amfora.
Përdorimi i etiketimeve, insinuatave dhe narrativave denigruese sipas nënshkruesve krijon një klimë presioni ndaj gazetarëve, aktivistëve dhe Organizatave të Shoqërisë Civile, duke dekurajuar pjesëmarrjen në jetën publike dhe duke ngushtuar hapësirën qytetare.
Organizatat vlerësojnë se situata bëhet edhe më shqetësuese kur këto sulme sipas tyre përforcohen nga persona që ushtrojnë funksione publike. Ato theksojnë se zyrtarët kanë përgjegjësi të zhvillojnë debat mbi fakte dhe argumente, ndërsa përdorimi i autoritetit publik për të ekspozuar me emër gazetarë, aktivistë apo qytetarë ndaj fushatave të denigrimit nuk përputhet me standardet demokratike.
Në deklaratë kujtohet se liria e medias, liria e shprehjes, e drejta për tubim paqësor dhe garantimi i një mjedisi të sigurt për shoqërinë civile janë pjesë e angazhimeve që Shqipëria ka marrë në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian.
Nënshkruesit theksojnë gjithashtu se organizatat e shoqërisë civile dhe gazetaria e pavarur nuk janë kundërshtarë të institucioneve, por aktorë që kontribuojnë në rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe besimit publik. Ata kundërshtojnë edhe përpjekjet për të delegjitimuar bashkëpunimin e organizatave shqiptare me partnerët ndërkombëtarë, duke e konsideruar atë si pjesë të zhvillimit demokratik të vendit.
Përmes deklaratës, organizatat u bëjnë thirrje institucioneve shtetërore të garantojnë mbrojtjen efektive të lirisë së shprehjes, atw të medias dhe të drejtës për tubim paqësor. Ato kërkojnë që aktorët politikë të shmangin gjuhën denigruese dhe sulmet personale, ndërsa mediave u bëjnë thirrje të respektojnë standardet profesionale dhe Kodin e Etikës.
Një apel u drejtohet edhe partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në, për të vijuar monitorimin e zhvillimeve që lidhen me hapësirën qytetare, lirinë e medias dhe liritë themelore në Shqipëri.
Deklarata është nënshkruar nga 32 organizata dhe media, të renditura si më poshtë:
- Këshilli Shqiptar i Medias;
- Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë;
- Rrjeti Erasmus Tirana;
- Qendra Amfora;
- Aleanca Kundër Diskriminimit LGBTI;
- Civil Rights Defenders, Shqipëri;
- Partners Albania;
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit;
- Qëndresa Qytetare;
- AWEN – Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri;
- AWA – Albanian Women in Audiovisual;
- “Faktoje”;
- Shteg.org;
- Academy of Political Studies;
- Fondacioni “Së Bashku”;
- Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV);
- Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER);
- Institute for Political Studies (ISP);
- Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim;
- CRCA Shqipëri;
- Drejtësi Sociale;
- Shoqata “Unë, Gruaja” – Pogradec;
- Forumi i Gruas – Elbasan;
- Shoqata “Gender, Paqe e Siguri” – Durrës;
- Rrjeti i Informimit dhe Qytetarisë Aktive;
- Citizens Channel;
- All Green Centre;
- Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore;
- Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative Shqipëri;
- Together for Life;
- Qendra ResPublika;
- Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM).