SPAK mbyll hetimet për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Durrësit

SPAK dërgoi në gjykatë tetë persona, të akuzuar për një skemë të dyshuar të tjetërsimit të pronave nga Shijaku në Kepin e Rodonit. Sipas Prokurorisë, hetimi çoi në sekuestrimin e rreth 687 mijë metrave katrorë tokë, me një vlerë të përllogaritur mbi 16 milionë euro.

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njoftoi të martën se ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë tetë persona, të cilët akuzohen për ngritjen e një skeme të organizuar të tjetërsimit të pronave në bregdetin e Durrësit. Sipas SPAK, skema drejtohej nga Aleksandër Laho, i njohur edhe me nofkën “Rrumi”, dhe Vullnet Muça, të cilët, sipas hetimit, përmes falsifikimit të dokumenteve të pronësisë dhe manipulimit të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP), përvetësuan qindra mijëra metra katrorë tokë shtetërore dhe të papretenduar.

“Hetimi ka provuar se të pandehurit Vullnet Muça dhe Aleksandër Laho kanë krijuar dhe drejtuar një strukturë të mirëfilltë kriminale, ku bashkëpunimi i mbi tre personave shërbente për kryerjen e disa krimeve kundër pasurisë”, shkruhet në njoftimin e SPAK.

Sipas dosjes hetimore, pjesë e grupit të strukturuar kriminal rezultojnë edhe Agron Bejdolli, Vlash Brahja, Mikel Zaho dhe Artur Isaku, ndërsa aktiviteti kriminal u zhvillua për vite me radhë në zonën Shijak-Kepi i Rodonit. Prokuroria pretendon se qëllimi ishte përvetësimi i pronave shtetërore ose i atyre që nuk ishin pretenduar nga ish-pronarët, duke krijuar dokumentacion të falsifikuar që u jepte këtyre pasurive një bazë të rreme ligjore.

“Falë këtij bashkëpunimi të posaçëm, të pandehurit kanë bërë të mundur që të falsifikojnë masivisht dokumente të pronësisë së paluajtshme, t’i regjistrojnë ato në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Durrës, duke përvetësuar qindra mijëra metra tokë në zonat e bregdetit”, njoftoi institucioni.  Hetimi për këtë skemë u bë publik në tetor të vitit 2025, kur SPAK zhvilloi një operacion në Durrës dhe Tiranë, duke ekzekutuar masat e para të sigurisë ndaj personave të dyshuar për falsifikim dokumentesh dhe tjetërsim pronash.

Në qendër të skemës, sipas SPAK, ishin Aktet e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP). Hetimi pretendon se grupi identifikonte familje bujqësore me kryefamiljarë të moshuar, me nivel të ulët arsimor ose në vështirësi ekonomike dhe përdorte dokumentet e tyre për të ndërtuar tituj të rinj pronësie mbi toka shtetërore me vlerë të lartë në bregdet.

“Për të arritur qëllimin e tyre, tjetërsimin e pronave përmes falsifikimit të Akteve të Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)… kanë arritur të identifikojnë familjet bujqësore, kryefamiljarët e të cilave ishin në moshë të madhe, me nivel arsimor të ulët dhe në gjendje të vështirë ekonomike”, shkroi institucioni. 

Sipas Prokurorisë, pas falsifikimit të AMTP-ve, grupi prodhoi edhe dokumente të tjera të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga institucionet shtetërore, të cilat më pas u integruan në arkivën dhe sistemin e regjistrimit të pasurive, duke krijuar bazën për regjistrimin dhe më pas shitjen e pronave.

SPAK pretendon se në funksionimin e skemës kanë pasur rol edhe punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Durrës. Sipas hetimit, ata siguronin informacion mbi pronat shtetërore, vendosnin në dispozicion dokumente arkivore dhe kryenin regjistrime në sistemin elektronik, ndërsa juristët Artur Isaku dhe Mikel Zaho akuzohen se regjistruan në sistem dhe prodhuan kartela të falsifikuara për t’u dhënë pamje të ligjshme pronave të dyshuara si të falsifikuara.

“Këta persona nëpërmjet veprimeve të tyre të kundërligjshme kanë ndihmuar të pandehurit Aleksandër Laho, Vullnet Muça dhe Agron Bejdolli të legalizonin regjistrimin e pronave, dokumentet e të cilave ishin të falsifikuara si dhe t’i tjetërsonin përmes shitjes”, njoftoi SPAK.

Sipas dosjes, Agron Bejdolli kishte rolin e koordinatorit të aktivitetit kriminal, duke siguruar prokura, duke mbajtur kontakte me noterë, duke kryer aplikime në sportelet e ish-ZVRPP Durrës dhe duke tërhequr, në disa raste, edhe paratë nga llogaritë bankare të personave që figuronin si shitës të pronave. Ndërkohë, Vlash Brahja akuzohet për përfshirje në disa episode konkrete të tjetërsimit të pasurive.

Një pjesë e provave, sipas Prokurorisë, është siguruar nga komunikimet në platformën SkyECC, ekspertimet e telefonave celularë, dokumentet e sekuestruara dhe deklarimet e personave të përfshirë në hetim. Mbi bazën e këtyre provave, SPAK ka kërkuar kalimin për gjykim të Aleksandër Lahos, Vullnet Muçës, Agron Bejdollit, Vlash Brahjës, Artur Isakut, Mikel Zahos, Ermira Avdylit dhe Urim Agasit.

Me kërkesë të SPAK, Gjykata vendosi sekuestro preventive mbi disa ngastra toke me sipërfaqe totale prej rreth 687 mijë metrash katrorë, me një vlerë të përllogaritur mbi 16 milionë euro. Sipas SPAK, Urim Agasi dyshohet se përfitoi të ardhurat nga shitja e pesë ngastrave tokë me sipërfaqe totale prej 72 mijë metrash katrorë, të cilat, sipas hetimit, ishin prona shtetërore të regjistruara mbi bazën e dokumenteve të falsifikuara.