“The Albanian Files” në SPAK, aktivistët kërkojnë hetim për projektet e ndërtimit

Një grup aktivistësh dorëzoi në SPAK librin “The Albanian Files: Freedom and Architecture”, duke kërkuar hetimin e vendimmarrjeve që, sipas tyre, lidhen me projektet e mëdha të ndërtimit dhe ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura. Sipas aktivistëve, libri përmban të dhëna që ngrenë dyshime mbi mënyrën e miratimit të disa prej këtyre projekteve.

Një grup aktivistësh dorëzoi të mërkurën në ambientet e Prokurorisë së Posaçme librin “The Albanian Files: Freedom and Architecture”, të autores Anneke Abhelakh, duke kërkuar që informacionet e përfshira në libër të shërbejnë si bazë për hetime nga SPAK. 

“Ne, qytetarë të Republikës së Shqipërisë dhe protestues prej më shumë se 31 ditësh në shesh, jemi sot këtu përpara institucionit të Prokurorisë së Posaçme për të sjellë provën që sipas nesh dëshmon disa prej shkeljeve më të rënda të bëra nga kryeministri i vendit Edi Rama,” deklaroi një prej aktivisteve para gazetarëve.

Sipas tyre, libri dokumenton vendimmarrje që kanë favorizuar projekte të mëdha ndërtimi. Sipas protestuesve, libri dokumenton 523 projekte të realizuara, në ndërtim ose të planifikuara, të cilat, sipas tyre, tregojnë mënyrën se si janë zhvilluar vendimmarrjet për territorin dhe projektet urbanistike. Ata thanë se botimi evidenton raste kur konsultimi publik është anashkaluar dhe vendimet janë marrë, sipas tyre, në favor të interesave të investitorëve dhe zhvilluesve të projekteve të ndërtimit.

“Në këtë libër gjenden edhe projektet e Zvërnecit që kryeministri Rama tha që nuk ekzistojnë. Datojnë që në vitin 2022, edhe më përpara se ligji të ndryshohej. Pra, për ne ka të dhëna që ligji është ndryshuar me porosi, sepse projektet kanë ekzistuar përpara se ligji të ndryshohej,” u shpreh aktivistja.

Dorëzimi i librit në SPAK u zhvillua në ditën e 31-të të protestës së aktivistëve. Ata kundërshtojnë ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura dhe mënyrën se si, sipas tyre, janë miratuar projekte ndërtimi në zona me rëndësi mjedisore, duke kërkuar hetim institucional dhe përgjegjësi për vendimmarrjet.

Botuar në qershor të këtij viti, “The Albanian Files: Freedom and Architecture” ka nxitur debat publik, pasi përfshin qindra projekte arkitekturore dhe urbanistike në Shqipëri, mes tyre edhe zhvillime në zona të mbrojtura që janë kundërshtuar nga aktivistët.

Aktivistët e konsiderojnë librin një pasqyrë të zhvillimit intensiv të ndërtimit në Shqipëri dhe pretendojnë se ai përfshin projekte në zona të mbrojtura, si Divjaka dhe Zvërneci, të cilat, sipas tyre, janë miratuar pa transparencën e nevojshme.

Kryeministri Edi Rama i ka hedhur poshtë akuzat e ngritura pas botimit të librit, duke i cilësuar ato si “inkuizicion”.

Deri në publikimin e këtij lajmi, SPAK nuk ka bërë një reagim publik lidhur me dorëzimin e librit nga aktivistët.