Ndahet nga jeta Kujtim Buza, piktori që i dha shpirt peizazhit

Kujtim Buza u nda nga jeta pas një veprimtarie shumëvjeçare në artet figurative shqiptare, duke lënë gjurmë veçanërisht në gjininë e peizazhit, ku natyrën, dritën dhe ngjyrën i shndërroi në ndjenjë e poezi në telajo. I biri i piktorit Abdurrahim Buza, ai u rrit pranë artit, por ndërtoi gjuhën e vet krijuese, duke i dhënë peizazhit shqiptar një identitet që kolegët e lidhin me ndjeshmërinë, atmosferën dhe shpirtin e krijimtarisë së tij.

Piktori Kujtim Buza u nda nga jeta të enjten, duke lënë pas një krijimtari të gjatë dhe një kontribut në jetën artistike e institucionale të vendit.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta u bë i ditur nga kolegët dhe miqtë e afërt të piktorit, përmes mesazheve të publikuara në rrjetet sociale.

Ai ishte i biri i Abdurrahim Buzës, një prej themeluesve dhe mjeshtërve të pikturës moderne shqiptare. I rritur në një familje me prejardhje nga Gjakova, ku arti ishte pjesë e jetës së përditshme, Kujtim Buza u njoh me pikturën që në fëmijëri, duke formuar më pas identitetin e tij krijues.

Nga studioja ku dikur pikturonte pranë të atit, ai ndërtoi profilin e vet artistik, ku një vend të rëndësishëm zuri gjinia e peizazhit.

Krahas krijimtarisë, Buza u angazhua edhe në drejtimin e institucioneve të artit. Ai drejtoi Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë gjatë viteve 1966-1969.

Përgjatë krijimtarisë së tij, Buza ishte i pranishëm në jetën ekspozuese dhe veprimtaritë e arteve figurative brenda e jashtë vendit. Për vite me radhë ai ishte pjesë e grupimit “Plein Air”, duke marrë pjesë në koloni artistike dhe ekspozita të përbashkëta në Shqipëri dhe jashtë saj.

Veprat e tij gjenden në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve dhe në koleksione private brenda e jashtë Shqipërisë. Krahas krijimtarisë, Buza u angazhua edhe në studimin dhe dokumentimin e artit shqiptar.

Ndarja e tij nga jeta solli reagime nga artistë dhe njerëz të artit. Piktori Pashk Përvathi e kujtoi Buzën si profesor, koleg dhe mik, duke u ndalur veçanërisht te vendi që peizazhi zinte në krijimtarinë e tij.

“Ai ishte një mjeshtër i peizazhit. E deshi natyrën, dritën, ajrin, ngjyrën dhe atmosferën shqiptare”, shkroi Përvathi.

Në vlerësimin e Përvathit, peizazhi në krijimtarinë e Buzës kapërcente riprodhimin e natyrës, duke marrë një dimension emocional dhe poetik.

“Në telajot e tij, peizazhi nuk ishte thjesht një pamje që duhej riprodhuar. Ai e shndërronte atë në ndjenjë, në poezi, në kujtim”, shkroi më tej piktori.

Përvathi e cilësoi Buzën si “një impresionist të lindur”, duke vlerësuar mënyrën se si natyra, drita dhe ngjyrat shqiptare gjenin vend në krijimtarinë e tij.

Krahas profilit të tij si krijues, Përvathi veçoi edhe marrëdhënien e Buzës me artistët më të rinj dhe gatishmërinë për të ndarë përvojën me ta.

“Ishte gjithmonë i gatshëm të ndihmonte të rinjtë, t’u jepte një këshillë, t’u hapte një derë, t’u tregonte një rrugë”, kujtoi Përvathi.

“Njerëz të tillë nuk largohen plotësisht. Ata mbeten në veprat që lanë pas, në kujtimet e miqve dhe kolegëve, në brezat që mësuan prej tyre”, shkroi Përvathi në mesazhin e lamtumirës.

Edhe piktori Agron Polovina reagoi për ndarjen nga jeta të Kujtim Buzës, të cilin e kujtoi si një prej frymëzuesve të grupit të artistëve të “Plein Air-it”, me të cilët kishte pikturuar dhe ekspozuar ndër vite.

“I paharruar do të mbetet në kujtime për të gjithë që e njohën, për ne që e kishim pranë, që pikturuam dhe ekspozuam së bashku”, shkroi Polovina.

Për ndarjen nga jeta të Buzës reagoi edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili vlerësoi kontributin e tij si piktor dhe studiues, si edhe angazhimin shumëvjeçar në jetën kulturore të vendit.

Ndarja nga jeta e Kujtim Buzës u përcoll me mesazhe ngushëllimi nga emra të artit figurativ shqiptar dhe përfaqësues të jetës kulturore, të cilët vlerësuan krijimtarinë dhe kontributin e tij shumëvjeçar në art.