Videoja e uljes së flamurit izraelit në Tiranë, reagojnë Ministria e Jashtme dhe ambasadorja Peleg
Një grua e maskuar u shfaq të shtunën duke ulur flamurin izraelit në ndërtesën ku gjendet ambasada në Tiranë, teksa protesta po zhvillohej intensivisht disa kilometra më larg. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dënoi heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë, ndërsa ambasadorja izraelite falënderoi institucionet shqiptare për dënimin e incidentit.
Ndërtesa "ATTI Tower" ku gjendet ambasada e Izraelit në Shqipëri. Foto: Faqja e Ambasadës së Izraelit në Shqipëri
Një video e ndarë në rrjetet sociale shfaqi një grua të maskuar që uli flamurin izraelit në ndërtesën ku gjendet ambasada në Tiranë, ngjitur me “Shtëpinë e Gjetheve”, teksa protesta po zhvillohej e përqendruar përpara kryeministrisë me një pjesëmarrje masive.
Megjithëse protesta për herë të parë në 20 ditë ndryshoi traditën e marshimit masiv nga rrugët e kryeqytetit, duke përshkuar disa herë përreth ndërtesën e Kryeministrisë, video e shpërndarë shfaqi një grup personash që po kalonin përpara ndërtesës në qendër të Tiranës – tek ATTI Tower – ku gjendet ambasada izraelite dhe paralelisht një grua e maskuar uli flamurin izraelit, në një perimetër që zyrtarisht monitorohet nga Policia e Shtetit.
Paraditen e së dielës Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, dënoi heqjen dhe përdhosjen e flamurit të Ambasadës së Shtetit të Izraelit në Tiranë, ndërsa më tej vetë ambasadorja izraelite falënderoi institucionet shqiptare për dënimin e incidentit.
Në një deklaratë zyrtare, ministria e cilësoi incidentin si një akt që nuk lidhet me lirinë e shprehjes apo të drejtën për protestë paqësore, por me nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës.
“Sjellje të tilla nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes, të drejtën legjitime për protestë paqësore apo me vlerat tona demokratike dhe standardet evropiane”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.
Sipas ministrisë, ngjarja bie ndesh me traditën shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin dhe nuk përfaqëson as shtetin shqiptar dhe as qytetarët e tij.
“Ky akt i turpshëm bie ndesh me traditën e gjatë shqiptare të mikpritjes, harmonisë dhe respektit për tjetrin. Ato nuk përfaqësojnë as Shqipërinë, as popullin shqiptar”, thuhet më tej në deklaratë.
Ministria riafirmoi angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe simboleve të tyre, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Në reagim shprehet gjithashtu solidaritet me Ambasadën e Izraelit në Tiranë, ndërsa theksohet se dhuna, intimidimi dhe gjuha e urrejtjes nuk kanë vend në një shoqëri demokratike.

Ndërsa ambasadorja e Izraelit në Shqipëri, Galit Peleg, reagoi në rrjetin social “X” pas ngjarjes, duke falënderuar institucionet shqiptare për qëndrimin e mbajtur. Ajo shpërndau deklaratën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke e konsideruar reagimin si një dëshmi të vlerave që karakterizojnë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit.
“Si ambasadore e një shteti demokratik, besoj te e drejta e popullit shqiptar për të ushtruar të drejtën e tij qytetare për të protestuar. Megjithatë, një akt i tillë jo vetëm që nuk i shërben kauzës së protestës publike, por gjithashtu cenon dinjitetin e popullit shqiptar dhe trashëgiminë e tij krenare”, shkruaji ambasadorja Peleg në “X”.
Autoritetet nuk kanë bërë ende publike informacione nëse janë identifikuar apo proceduar persona lidhur me incidentin. Protesta shënon sot ditën e 21-të të reagimit popullor kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
E shtuna mblodhi në shesh edhe pjesëtarë të diasporës shqiptare, me një pjesëmarrje të jashtëzakonshmë krahasuar me ditët e para të saj. Grupet organizatore kanë bërë thirrje të shpeshta për shmangien e thirrjeve apo të pankartave antisemite, por kjo narrativë ka nisur të qarkullojë që në ditët e para të protestës në kanale të ndryshme në internet, që dezinformonin dhe manipulonin qëllimet e protestës në shesh.