Organizatat mjedisore kundërshtojnë Ramën për Zvërnecin: Vendimi i ka paraprirë studimeve mjedisore

Organizatat mjedisore i janë përgjigjur deklaratës së Kryeministrit Edi Rama për investimin në Zvërnec, duke ngritur pikëpyetje mbi procedurat e ndjekura dhe bazën mjedisore të projektit. Në një reagim të përbashkët, ato argumentojnë se leja e zhvillimit është dhënë përpara përfundimit të vlerësimeve që duhet të përcaktojnë ndikimin e tij në zonën e mbrojtur.

Flamingot janë ndër speciet më të njohura që frekuentojnë Lagunën e Nartës gjatë migrimit dhe dimërimit. Foto: Media Amfora

76 organizata mjedisore dhe të shoqërisë civile kundërshtuan deklaratën e Kryeministrit Edi Rama për projektin turistik në Zvërnec, duke argumentuar se vendimmarrja ka avancuar përpara përfundimit të studimeve mjedisore. Në një reagim të përbashkët organiztat hedhin poshtë një sërë argumentesh të paraqitura nga Rama, duke ngritur shqetësime për procedurat e ndjekura, mbrojtjen e zonës dhe transparencën e procesit.

“Vlerësimi Mjedisor duhet të kryhet kur projekti është ende ide dhe kur të gjitha alternativat janë të hapura, përfshirë zhvendosjen ose mosrealizimin e tij. Ajo duhet të tregojë nëse projekti mund të lejohet, jo të plotësojë dosjen e një vendimi politikisht të marrë”, shkruhet në reagimin e organizatave për mediat të publikuar të martën. 

Organizatat kundërshtojnë gjithashtu argumentin e Kryeministrit se leja e zhvillimit nuk përbën miratim të projektit. Sipas tyre, edhe pse nuk është leje ndërtimi, ajo përcakton në parim destinacionin dhe parametrat kryesorë të zhvillimit, duke e bërë procesin e mëvonshëm të vlerësimit mjedisor më pak vendimtar.

“Leja zhvillimore nuk është vërtet leje ndërtimi por nuk është as akt neutral. Ajo pranon në parim destinacionin, shtrirjen dhe parametrat themelorë të projektit. Kur pas saj jepet edhe leja e rrethimit, krijohet fakt i kryer dhe Vlerësimi Mjedisor rrezikon të shndërrohet nga instrument vendimmarrjeje në justifikim të vendimit”, shkrun organizata. 

Reagimi vjen pasi Kryeministri Edi Rama mbrojti të dielën projektin në një postim të gjatë në rrjetet sociale, ku argumentoi se investimi po ndjek procedurat ligjore të parashikuara dhe se pretendimet për cenimin e statusit të mbrojtur të zonës janë të pavërteta.

“Pretendimi se statusi i mbrojtur i zonës është hequr për t’i hapur rrugë investimit është një nga gënjeshtrat më të mëdha të përhapura kundër këtij investimi”, shkroi Rama.

Projekti turistik i propozuar në Zvërnec është kundërshtuar nga organizata mjedisore dhe të shoqërisë civile, të cilat argumentojnë se vendimmarrja për zhvillimin e zonës ka avancuar përpara përfundimit të studimeve mjedisore dhe procesit të konsultimit publik.

Debati mbi projektin është përqendruar te procedurat e ndjekura për miratimin e tij, ndikimi i mundshëm në zonat e mbrojtur dhe ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024 për zonat e mbrojtura. Projekti në Zvërnec është kthyer në një nga debatet më të forta mjedisore të muajve të fundit, duke nxitur protesta publike dhe reagime të vazhdueshme nga organizata që kundërshtojnë zhvillimin e planifikuar në zonën e mbrojtur.

Një tjetër pikë përplasjeje lidhet me ndryshimet në ligjin për zonat e mbrojtura, të miratuara në vitin 2024. Rama argumentoi se zona “Pishë Poro-Nartë” nuk e ka ndryshuar kategorinë e saj si “Peizazh i Mbrojtur” dhe se statusi i mbrojtjes ka mbetur i pandryshuar.

“Zona ‘Pishë Poro-Nartë’ nuk e ka ndryshuar asnjëherë kategorinë e saj si ‘Peizazh i Mbrojtur’ që prej vitit 2004 dhe vazhdon të mbetet e klasifikuar si Kategoria V sipas IUCN”, shkroi Rama.

Organizatat mjedisore kundërshtojnë këtë interpretim, duke argumentuar se edhe pse emërtimi i zonës ka mbetur i njëjtë, ndryshimet ligjore kanë zgjeruar aktivitetet e lejueshme brenda saj dhe kanë dobësuar mbrojtjen e pjesëve më të ndjeshme ekologjikisht.

“Fakti është që në vitin 2024 u zgjeruan aktivitetet e lejueshme, u përfshi ‘turizmi i ekselencës’, u hoq nënzonimi dhe u dobësua mbrojtja e pjesëve më të ndjeshme ekologjikisht. Pra, etiketa mbeti, por rregullat ndryshuan”, reaguan organizatat. 

Organizatat kundërshtuan gjithashtu argumentin e Ramës se konfliktet e pronësisë nuk ndikojnë në zhvillimin e projektit, duke argumentuar se proceset gjyqësore dhe pretendimet mbi titujt e pronësisë krijojnë pasiguri juridike për çdo investim të kësaj shkalle.

“Një investitor serioz, nëse ka të tillë siç pretendon Kryeministri, kërkon siguri juridike për titullin. Një shtet serioz nuk e trajton konfliktin e pronësisë si një pengesë që mund të anashkalohet”, shkruhet në reagim.

Organizatat ngritën gjithashtu pikëpyetje mbi transparencën e procesit, duke argumentuar se nuk janë bërë publike studimet dhe dokumentet mbi të cilat është mbështetur vendimmarrja për projektin.

“Jemi dëshmitar që përveç deklaratave politike, nuk ka asnjë faqe studim fizibiliteti, të dhëna, shifra etj., që si rregull shoqërojnë projekt-idenë të zhvillimeve nga më të voglat te më të mëdhatë”, vijoi reagimi i organizatave.

 Kundërshtimi i organizatave ndaj projektit në Zvërnec vjen në një kohë kur ato kanë kërkuar vazhdimisht rishikimin e ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Më herët, një pjesë e tyre kanë bojkotuar edhe proceset e konsultimit publik, duke argumentuar se ndryshimet ligjore dobësojnë mbrojtjen e zonave natyrore dhe nuk marrin parasysh shqetësimet e ekspertëve të mjedisit.

Pavarësisht qëndrimit të qeverisë, projekti mbetet në qendër të një debati të gjerë publik, duke nxitur protesta të organizatave mjedisore, aktivistëve dhe qytetarëve që kundërshtojnë zhvillimin e planifikuar në zonën e mbrojtur.