Tre muaj pas djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri, ngjarja mbetet pa autorë

Djegia e automjetit të gazetarit Sami Curri mbetet e pazbardhur gati tre muaj pas ngjarjes. Teksa Prokuroria e Dibrës po heton pistën e lidhur me profesionin e tij Curri tha se pas deklarimit fillestar nuk është kontaktuar më nga organet hetimore.

Autorët e djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri në Bulqizë mbeten ende të paidentifikuar tre muaj pas ngjarjes, ndërsa Prokuroria e Dibrës konfirmon se po heton pistën e lidhur me ushtrimin e profesionit të tij.

“Hetimet janë shtrirë edhe në lidhje me ushtrimin e profesionit të gazetarit që kryen Sami Curri”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.

Institucioni konfirmoi se hetimet vijojnë ende në fazën paraprake, pa identifikuar ende autorët e ngjarjes.

“Aktualisht çështja hetimore ndodhet në fazën e hetimeve paraprake, ku vijon kryerja e veprimeve hetimore në drejtim të zbulimit të autorëve të mundshëm dhe motiveve të ngjarjes”, thuhet në përgjigjen zyrtare për Median Amfora.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 26 prillit në “Lagjen e Re” të Bulqizës, ku automjeti në pronësi të gazetarit Sami Curri u përfshi nga flakët dhe u dogj plotësisht.

Pas veprimeve të para hetimore, Prokuroria e Dibrës regjistroi procedim penal për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, duke e trajtuar rastin si një zjarrvënie të dyshuar të qëllimshme.

“…pas kryerjes së veprimeve të para hetimore nga policia gjyqësore, si dhe referimit të faktit dhe veprës penale, Prokuroria ka regjistruar procedimin penal për veprën penale ‘Shkatërrimi i pronës me zjarr’, duke u dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme”, thuhet në përgjigjen e institucionit.

Sami Curri është gazetar në Bulqizë dhe themelues i portalit lokal Bulqizime.al, i fokusuar kryesisht në raportimin e çështjeve që lidhen me industrinë nxjerrëse, qeverisjen vendore dhe problematikat e komunitetit.

Ndërsa Prokuroria e konsideron aktivitetin e tij profesional si një nga drejtimet e hetimit, vetë Curri shprehet i bindur se ngjarja lidhet vetëm me detyrën dhe punën e tij të përditshme.

“Prokuroria ka të drejtën e saj të hetojë në çdo drejtim të mundshëm. Por siç e kam thënë edhe pas ngjarjes por edhe në qëndrimet e tjera publike, ajo që ndodhi lidhet vetëm me detyrën dhe punën time të përditshme”, tha Sami Curri për Median Amfora.

Gazetari tha se, përveç dëshmisë së dhënë menjëherë pas ngjarjes, nuk është kontaktuar më nga organet hetimore për të dhënë sqarime të tjera që mund të ndihmonin në zbardhjen e rastit.

“Përpos deklarimit të dhënë pas ngjarjes nuk jam ftuar herë tjetër për të dhënë sqarime apo diçka që mund të ndihmojë në zbardhjen e ngjarjes”, tha gazetari.

Disa ditë pas ngjarjes, organizata të medias vendase dhe përfaqësues ndërkombëtarë zhvilluan takime në Bulqizë me gazetarin Sami Curri, si dhe me drejtues të Policisë dhe Prokurorisë së Dibrës. Takimet u organizuan në shenjë solidariteti me gazetarin dhe me thirrjen për një hetim të plotë të rastit.

I pyetur për pritshmëritë që ka nga hetimi, Curri u shpreh skeptik për mundësinë e zbardhjes së ngjarjes.

“Institucionet ligjzbatuese në Dibër dihet mirë se në çfarë niveli janë. Dua të them të kapaciteteve që kanë për zbardhjen e ngjarjeve dhe shumë e shumë problemeve të tjera”, tha ai.

Rasti nxiti reagimin e kolegëve të gazetarit, organizatave të medias dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët kërkuan zbardhjen e plotë të ngjarjes. Pavarësisht këtij interesimi, tre muaj pas djegies së automjetit të gazetarit Sami Curri, autorët e ngjarjes mbeten ende të paidentifikuar.