Zjarrvënia në makinën e gazetarit Sami Curri në Bulqizë dyshohet për shkak të detyrës
Automjeti i gazetarit Sami Curri u dogj në orët e para të mëngjesit në Bulqizë, në një ngjarje që dyshohet si zjarrvënie e qëllimshme. Vetë Curri e lidh incidentin me aktivitetin e tij gazetaresk dhe raportimet mbi çështje të ndjeshme lokale të medias që ai drejton. Organizatat e medias reaguan ashpër, duke e cilësuar rastin si kërcënim serioz.
Foto e automjetit pas ngjarjes. Burimi: Media Amfora
Automjeti i gazetarit Sami Curri u përfshi nga flakët në orët e para të mëngjesit të së dielës, pas një zjarrvënie që dyshohet si e qëllimshme dhe që lidhet me veprimtarinë e tij profesionale.
Rreth orës 02:58 në “Lagjen e Re” në Bulqizë, pak metra larg apartamentit të gazetarit dhe botuesit te medias lokale “Bulqiza Ime”, nga fqinjët u vunë re flakët në pjesën e brendshme të kabinës së automjetit, të cilët lajmëruan menjëherë Currin.
“…paraprakisht dyshohet për djegie të qëllimshme”, njoftoi Policia e Dibrës, e cila në bashkëpunim me prokurorinë po vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes që cenon lirinë e medias në Shqipëri.
“Ngjarja e ndodhur është e lidhur drejtpërdrejtë me punën time si gazetar”, tha Sami Curri, duke shpjeguar se presionet ndaj tij kanë qenë të shtuara javët e fundit për çështjet lokale që raporton media e drejtuar prej tij.
“Prej afro 10 vitesh punoj si gazetar dhe me shumë përkushtim kam themeluar Bulqizaime.al, me synimin për të ndërtuar një media lokale të pavarur, profesionale dhe në shërbim të qytetarëve”, shpjegoi Curri.
Ngjarja u dënua nga të gjitha organizatat e medias në Shqipëri dhe në rajon, të cilët bënë thirrje për reagim të shpejtë të autoriteteve, me qëllim zbardhjen dhe vendosjen përpara drejtësisë të autorëve.
“Kolegu ka trajtuar pa kompromis tema delikate, në mbështetje të banorëve të Qarkut Dibër për çështje të ndjeshme si HEC-et, parqet fotovoltaike, apo prokurimet e pushtetit vendor”, theksoi në deklaratë Unioni Shqiptar i Gazetarëve dhe dega lokale në Dibër.
“Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt” (SafeJournalists), një mekanizëm reagimi për median në nivel rajonal në të gjithë Ballkanin, dënoi me forcë djegien e makinës së gazetarit në Bulqizë dhe kërkoi reagim urgjent nga autoritetet.
“Sami Curri u shpreh për SafeJournalists se beson që incidenti lidhet me raportimet e tij të fundit dhe ato në vijim mbi abuzime të dyshuara në shkallë të gjerë me fondet publike, duke shtuar se situata ka pasur ndikim serioz edhe te familja e tij”, citoi deklarata e rrjetit.
“Ky incident, përbën një alarm serioz për sigurinë e gazetarëve dhe klimën në të cilën ata ushtrojnë profesionin e tyre. Deklaratat publike të gazetarit Curri, i cili e konsideron ngjarjen si një mesazh kërcënues për shkak të punës së tij, e bëjnë edhe më urgjente një reagim institucional të shpejtë dhe të plotë”, shkruajti në një tjetër deklaratë Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, AGSH.
Gjithashtu Shoqata Ndërkombëtare e Gazetarëve Evropianë, seksioni i Shqipërisë, kërkoi nga autoritetet që të garantojnë sigurinë fizike të Currit dhe të familjes së tij.
“Ky akt i rëndë nuk është thjesht një sulm mbi pronën private të një individi, por një përpjekje e hapur për të intimiduar gazetarinë investigative në terren. Sami Curri njihet për raportimet e tij guximtare mbi çështjet sociale dhe problemet e mjedisit në zonën e Bulqizës dhe ky incident mbart të gjitha shenjat e një mesazhi kërcënues për të heshtur zërin e tij”, shkruajti shoqata.
Sami Curri ka një karrierë 10 vjeçare në gazetari, i njohur për raportimet investigative në Qarkun Dibër, si edhe për artikujt e thelluar me në fokus komunitetet lokale që preken nga projekte publike dhe ato private.
“Ky është një mesazh frikësimi, por dua ta them qartë se ata që e kanë bërë këtë akt nuk do të arrijnë të më kërcënojnë apo të më ndalin”, komentoi Curri pas ngjarjes.
Më 7 mars të vitit 2017 ai themeloi median lokale “Bulqizaime.al”, e njohur për raportimet e thelluara për pushtetin vendor në Qarkun Dibër, një iniciative mediatike e mbështetur nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias dhe për zhvillimin e gazetarisë së pavarur.
Curri është autor i publikimeve në media të ndryshme investigative, përfshirë Rrjetin Ballkanik për Gazetarinë Investigavite, i njohur si BIRN, në publikimin në shqip, Reporter.al.
“Për mua, gazetaria nuk është thjesht profesion, por mision në shërbim të publikut dhe do të vazhdoj ta ushtroj me të njëjtin përkushtim, me çdo çmim”, komentoi me vendosmëri gazetari dhe botuesi Curri, për ngjarjen që krijoi një solidaritet të gjerë në komunitetin e gazetarëve dhe të aktivistëve.