SPAK sekuestron vilën në Dhërmi dhe zgjeron hetimet ndaj Ballukut
Prokuroria e Posaçme ka zgjeruar hetimin penal ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-drejtoreshës së Albcontrol, Belinda Balluku, duke ngritur dyshime të reja për korrupsion dhe pastrim parash, ndërsa një vilë në resortin turistik “White Rocks” në Dhërmi është vendosur nën sekuestro preventive me vendim të Gjykatës së Posaçme.
Foto e rezidencës nga "Google Maps": Edi H911
SPAK kërkoi sekuestrimin e një pasurie që dyshohet se u mor në këmbim të favorizimit të një kompanie gjatë një procedure prokurimi të zhvilluar nga “Albcontrol”, në periudhën kur Balluku drejtonte institucionin.
Vendimi i gjykatës u mor pas kërkesës së prokurorëve të posaçëm, të cilët argumentojnë se vila ndodhet në pronësi indirekte të Ballukut dhe se janë kryer veprime të dyshuara si fiktive për të fshehur pronësinë reale të saj.
Hetimi lidhet me një procedurë prokurimi për rikonstruksionin e godinës teknologjike të “Albcontrol”-it, me fond limit rreth 88.6 milionë lekë (ose rreth 886 mijë euro), si dhe me një shtesë kontrate prej më shumë se 14 milionë lekësh. Sipas SPAK, gjatë fazës së hartimit të dokumenteve të tenderit dhe zhvillimit të procedurës janë krijuar avantazhe të padrejta për kompaninë fituese “Eurocol” sh.p.k., e cila më pas ka përfituar edhe parapagim në masën 50% të kontratës.
Prokuroria pretendon se në këmbim të këtij favorizimi, Balluku ka kërkuar dhe marrë një vilë me vlerë 145 mijë euro në resortin “White Rocks”, një projekt i zhvilluar nga e njëjta kompani. Sipas hetimit, kërkesa për përfitimin e pasurisë është bërë gjatë periudhës kur kompania po përfitonte procedurat publike të lidhura me Albcontrol.
Në qendër të hetimit nuk është vetëm përfitimi i dyshuar, por edhe mënyra sesi pasuria është fshehur. SPAK thotë se janë përdorur kontrata dhe marrëdhënie juridike të dyshuara si fiktive për të shmangur identifikimin e pronarit real të vilës. Në dosje përmendet një kontratë porosie e vitit 2018 mes Igli Tares – ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare dhe aktualisht drejtori sportiv i Milanit – dhe pronarit të “Eurocol”, si edhe një kontratë qiraje e vitit 2022, e ndryshuar më vonë me amendime. Sipas prokurorëve, këto veprime janë përdorur për të maskuar origjinën e pasurisë.
Përveç Ballukut, SPAK përmend në skemën e dyshuar edhe Evis Berberin, në atë kohë përgjegjës për prokurimet në Albcontrol, si dhe anëtarë të njësisë së prokurimit të identifikuar me inicialet S.P., E.N. dhe A.M. Në hetim përmenden gjithashtu persona të tjerë që sipas organit të akuzës kanë shërbyer për realizimin e veprimeve juridike të dyshuara si fiktive.
Çështja përbën një zhvillim të ri në procedimin penal nr. 136/2025, ku Balluku është marrë më herët e pandehur për akuzën e shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera dhe ankande publike. Në muajt e fundit, SPAK ka zgjeruar hetimet edhe për procedura të tjera prokurimi të lidhura me ish-ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.