Vritet efektivi në Maliq gjatë operacionit për kapjen e një të kërkuari
Një operacion i Policisë së Shtetit për arrestimin e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit në Maliq, u mbyll tragjikisht me vrasjen e efektivit të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli dhe plagosjen e kolegut të tij, Edison Adri. Personi i kërkuar, Violand Braçellari, u plagos gjatë shkëmbimit të zjarrit dhe u arrestua.
"Screenshot" nga video e Policisë së Shtetit, kur transportohet efektivi i plagosur
Një efektiv i Policisë së Shtetit humbi jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur gjatë një operacioni për kapjen e një personi në kërkim në zonën e Lozhanit, në Maliq.
“Nga të shtënat humbi jetën inspektori Enea Mekolli, 34 vjeç, pjesë e Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë. Gjatë sulmit mbeti i plagosur edhe inspektori Edison Adri, 36 vjeç, gjithashtu efektiv i së njëjtës strukturë”, u njoftua për mediat.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, operacioni u zhvillua në Malin e Bodenit në kuadër të arrestimit të personave në kërkim, por duke dërguar aty një ekip të forcave “Shqiponja” dhe jo njësitë speciale të policisë për operacione të kësaj shkalle dhe rrezikshmërie.
“Rreth orës 07:30, forcat policore rrethuan stanin ku dyshohej se fshihej Violand Braçellari, 43 vjeç”, u njoftua një deklaratë për mediat.
Sipas policisë, ai ishte një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar në vitin 2017 me 9 vite burg për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ndërkohë, në vitin 2011 ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Policia njoftoi se efektivët i kanë bërë thirrje Braçellarit të dorëzohej, por ai nuk iu bind urdhrit dhe hapi zjarr në drejtim të punonjësve të policisë. Gjatë shkëmbimit të zjarrit mbeti i plagosur edhe i kërkuari, Violand Braçellari, i cili më pas u arrestua nga policia.
Presidenti Bajram Begaj shprehu ngushëllimet për humbjen e efektivit Enea Mekolli dhe uroi shërim të shpejtë për policin e plagosur, duke theksuar se Policia e Shtetit do të vijojë me vendosmëri luftën kundër krimit.
Ndërsa ministri i brendshëm, Besfort Lamallari, vizitoi efektivin e plagosur në Spitalin e Traumës dhe deklaroi se ngjarja do t’i nënshtrohet një hetimi të thelluar për të përcaktuar përgjegjësitë dhe për të garantuar sigurinë e punonjësve të policisë.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon veprimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ngjarja shënon një nga episodet më të rënda për Policinë e Shtetit në vitet e fundit, duke i marrë jetën një efektivi gjatë ushtrimit të detyrës dhe duke lënë të plagosur një tjetër gjatë një operacioni për arrestimin e një personi në kërkim.