Sekuestrohen në Portin e Durrësit objekte të dyshuara të trashëgimisë kulturore
Objekte dhe monedha të dyshuara si pjesë e trashëgimisë kulturore janë sekuestruar në Portin e Durrësit gjatë një kontrolli në vijën e dytë. Sipas autoriteteve, materialet janë referuar në Prokurori, ndërsa objektet do t’i nënshtrohen verifikimeve të mëtejshme.
Objektet dhe monedhat e sekuestruara. Foto: Dogana Durrës
Një sasi objektesh dhe monedhash të dyshuara si pjesë e trashëgimisë kulturore u sekuestruan në Portin e Durrësit gjatë një kontrolli të ushtruar nga Policia Kufitare dhe Dogana.
“Gjatë një kontrolli të ushtruar në vijën e dytë u konstatuan dhe u ndaluan një sasi objektesh të dyshuara si pjesë e trashëgimisë kulturore, mes tyre sende dhe monedha antike”, shkroi Dogana e Durrësit në një njoftim të publikuar në faqen e saj zyrtare në rrjetet sociale.
Në fotot që shoqërojnë njoftimin vihen re dhjetëra monedha, objekte metalike dekorative dhe disa sende që ngjajnë me enë apo objekte përdorimi. Mes tyre dallohen edhe objekte me reliev dhe punime të detajuara, të cilat do t’i nënshtrohen verifikimeve nga autoritetet kompetente.
E pyetur nga Media Amfora, Policia e Durrësit tha se rasti nuk lidhet me strukturat vendore të policisë, por me Policinë Kufitare që operon në Portin e Durrësit.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditura më shumë detaje mbi mënyrën e zbulimit apo destinacionin e objekteve.
Media Amfora ka raportuar më herët mbi problematikat që lidhen me identifikimin dhe verifikimin e objekteve të dyshuara si pjesë e trashëgimisë kulturore, mes mungesës së ekspertëve të profilizuar dhe rasteve kur hetimet për trafik të veprave të artit nuk janë provuar nga ekspertizat.