Organizatat mjedisore kundër resortit në zonën e mbrojtur Bunë-Velipojë
Planet për ndërtimin e një resorti në zonën e Baks-Rrjollit kanë sjellë kundërshtime nga organizatat për mbrojtjen e natyrës. Sipas tyre, projekti prek një peizazh të mbrojtur me status kombëtar dhe ndërkombëtar.
Bregdeti i Rrjollit dhe makineritë në kantierin e resortit. Foto: Media Amfora
Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Natyrës në Shqipëri (PPNEA) kundërshtoi projektin turistik “Blue Borgo” në zonën e Baks-Rrjollit në Velipojë, përmes një deklarate të shpërndarë për mediat më 13 shkurt, duke paralajmëruar pasoja për ekosistemin e peizazhit të mbrojtur Bunë-Velipojë.
“Ndërhyrjet masive, betonizimi dhe ndryshimi në një Zonë të Mbrojtur dhe Ramsar përbëjnë një rrezik real dhe të menjëhershëm për dëme të pakthyeshme në biodiversitet, në shërbimet jetike që ofron ligatina dhe në mirëqenien e komuniteteve lokale”, shkruhet në deklaratën e PPNEA.
Organizata thekson se zona ku planifikohet ndërtimi ka status të mbrojtur dhe vlera të veçanta natyrore që, sipas saj, nuk mund të përballojnë ndërhyrje të mëdha ndërtimore.
“Lumi i Bunës-Velipojë është Zonë e Mbrojtur me ligj dhe njëkohësisht Ligatinë me Rëndësi Ndërkombëtare (Ramsar), zona më e madhe e kësaj konvente në Shqipëri”, vë theksin deklarata.
Banorët e Rrjollit kanë dalë në protesta kundër projektit, duke thënë se investimi po zhvillohet mbi toka të trashëguara ndër breza dhe me çështje pronësie ende të pazgjidhura. Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e institucioneve dhe pezullimin e punimeve, ndërsa konflikti për tokën mbetet pa një zgjidhje përfundimtare.
Sipas projektit, në zonë parashikohet ndërtimi i një kompleksi turistik me struktura akomoduese, vila dhe hapësira shërbimi, të shoqëruara me infrastrukturë të brendshme. Investimi synon zhvillimin e një resorti bregdetar në territorin pranë ligatinës dhe dunave të zonës së Baks-Rrjollit.
Organizata që kundërshton projektin thekson se territori përfshin një mozaik habitatësh bregdetarë që shërbejnë si strehë dhe korridor migrimi për shumë specie.
“Në këtë zonë strehohen qindra shpendë shtegtarë, përfshirë lloje të rrezikuara globalisht, duna bregdetare të paprekura, laguna, habitate të rralla dhe korridore ekologjike jetike për peshqit dhe gjitarët e egër”, shpjegohet më tej.
Sipas organizatës, ndërhyrjet e mëdha ndërtimore në këtë territor bien ndesh me detyrimet ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e zonave me status të veçantë.
“Zhvillimi i qëndrueshëm nuk mund të ndërtohet duke dobësuar statusin e mbrojtjes së një zone me vlera kaq të jashtëzakonshme natyrore. Mbrojtja e saj është një detyrim ligjor, kombëtar dhe ndërkombëtar”, thekson deklarata.
Më 12 shkurt, banorët e Rrjollit iu bashkuan një proteste para Kuvendit së bashku me banorë nga disa lagje të Durrësit, të cilët kundërshtojnë projektin TID, ndërsa u shprehën se nuk do të tërhiqen nga e drejta e tyre.
Organizata mjedisore PPNEA deklaroi se qëndron në mbrojtje të ekosistemit dhe të zonës së mbrojtur, një pasuri e përbashkët që nuk mund të zëvendësohet dhe një e mirë publike që duhet t’i lihet banorëve të zonës për përkujdesje dhe zhvillim të qëndrueshëm.