Organizatat e medias: RTSH-ja të reformohet me mjete demokratike

Organizata shqiptare dhe ndërkombëtare për lirinë e medias i kërkojnë qeverisë që reforma e RTSH-së të bëhet vetëm përmes mjeteve ligjore dhe institucionale, jo përmes presionit financiar, pezullimit apo mbylljes së transmetuesit.

Ndërtesa qendrore e Radio Televizionit Shqiptar. Foto Media Amfora

Organizata shqiptare dhe ndërkombëtare për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve i kanë bërë thirrje të përbashkët qeverisë shqiptare që reforma e Radio Televizionit Shqiptar (RTSH) të ndiqet vetëm përmes mjeteve ligjore dhe demokratike, duke shkuar në përputhje me standardet evropiane për median e shërbimit publik.

Deklarata vjen pas komenteve të fundit publike të kryeministrit Edi Rama mbi performancën dhe financimin e RTSH-së, ku u përmendën disa opsione, si pezullimi i financimit, privatizimi apo edhe mbyllja e mundshme e institucionit. 

Deklarata këto që kanë rihapur debatin mbi të ardhmen e transmetuesit publik në një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe duke i nxitur organizatat e medias që  të theksojnë se megjithëse RTSH-ja përballet prej vitesh me probleme serioze strukturore, nevojiten reforma të besueshme dhe llogaridhënie e qartë, veçanërisht pas emërimit në vitin 2025 të një këshilli të ri drejtues dhe të një drejtori të ri përgjithshëm, të cilët kanë mandatin për të adresuar këto problematika.

Organizatat theksojnë se standardet evropiane bëjnë dallim të qartë mes nevojës për reformë dhe mënyrës se si zbatohet ajo. Sipas tyre, financimi i medias së shërbimit publik duhet të jetë i qëndrueshëm, i parashikueshëm dhe i mbrojtur nga ndërhyrjet politike.

Në deklaratë thuhet se përdorimi i instrumenteve si tërheqja e financimit, pezullimi i transmetimit apo mbyllja institucionale nuk është në përputhje me parimet e Bashkimit Evropian për median e shërbimit publik.

RTSH-ja financohet përmes një kombinimi burimesh publike, përfshirë tarifën e detyrueshme që paguhet nga familjet përmes faturës së energjisë elektrike, si edhe të ardhura të tjera publike e komerciale. Ky model sipas organizatave nënshkruese, përfshirë Qendrën Amfora, synon të garantojë pavarësinë editoriale dhe vazhdimësinë e shërbimit publik.

Organizatat ndërkombëtare dhe ato vendase, theksojnë se Akti Evropian për Lirinë e Medias dhe standardet e Këshillit të Evropës kërkojnë mbrojtjen e medias publike nga ndërhyrjet politike, përfshirë atë përmes presionit financiar.

Në kuadër të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, veçanërisht në kapitullin e parëm “Themeloret”, një transmetues publik i pavarur, i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm konsiderohet si një kërkesë thelbësore demokratike.

Organizatat nënshkruese:
Partnerët e Media Freedom Rapid Response (MFRR);
Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI);
Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ);
Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF);
Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT);
Reporterët pa Kufij (RSF);
Aleanca për Median Publike (PMA);
Rrjeti SafeJournalists;
Shoqata e Gazetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës;
Asosacioni i Gazetarëve të Kosovës;
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë;
Shoqata e Gazetarëve Kroatë;
Shoqata e Pavarur e Gazetarëve të Serbisë;
Sindikata e Medias e Malit të Zi.
Organizata të shoqërisë civile në Shqipëri:
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA);
Qendra për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV);
Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM);
Sindikata e Gazetarëve dhe Punonjësve të Medias (SGPM);
AËA (Gratë Shqiptare në Audiovizual);
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH);
Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative – BIRN Shqipëri;
Qendra Amfora;
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ);
Faktoje – nënshkruar pas publikimit të deklaratës më 9 Shkurt 2026.