Organizatat e medias denoncojnë presionin policor ndaj Aldo Mustafës

Dy organizata mediash kanë reaguar publikisht pas një episodi të ndodhur në Durrës, ku gazetari Aldo Mustafa është penguar nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës.

Organizatat e gazetarëve në vend reaguan më 30 janar, pas një episodi të ndodhur në Durrës, ku gazetari Aldo Mustafa është penguar nga punonjës të Policisë së Shtetit gjatë ushtrimit të detyrës, teksa po raportonte mbi vendosjen e masave administrative ndaj drejtuesve të automjeteve, një çështje me interes të drejtpërdrejtë publik.

“Kjo sjellje përbën një tentativë të qartë presioni dhe shantazhi ndaj një gazetari në ushtrim të detyrës, duke cenuar rëndë të drejtën për informim dhe duke shkelur parimet themelore të lirisë së medias, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe konventat ndërkombëtare ku vendi ynë është palë”, thuhet në reagimin e Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)

Sipas AGSH situata është përshkallëzuar më tej me mbërritjen e shërbimeve mbështetëse të Policisë së Shtetit në vendngjarje, duke ngritur shqetësime serioze për shkelje të rënda ligjore dhe dyshime për konsumimin e veprimeve me elementë penalë nga ana e punonjësve të policisë.

Në këtë kontekst, AGSH i ka bërë thirrje Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës që të sqarojë publikisht dhe në mënyrë transparente të gjitha rrethanat e ngjarjes, ndërsa ka kërkuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisjen e menjëhershme të hetimeve administrative dhe penale.

Në të njëjtën linjë ka reaguar edhe Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, (UGSH) Dega Durrës, i cili e cilëson rastin si reagim arbitrar dhe pengesë të pajustifikuar ndaj punës së gazetarit, duke theksuar se raportimi kishte interes të drejtpërdrejtë publik.

“Detyra e gazetarit është të informojë publikun për gjithçka me interes për të, përfshirë veprimtarinë e institucioneve shtetërore dhe agjencive ligjzbatuese, veçanërisht kur bëhet fjalë për masa që prekin drejtpërdrejt qytetarët”, theksoi UGSH, Dega Durrës.

Sipas unionit, punonjësit e Policisë Rrugore nuk kanë pranuar të njohin statusin profesional të gazetarit, pavarësisht se ai është identifikuar me kartë gazetari, përfshirë edhe në mënyrë virtuale, ndërsa as mbërritja e kolegëve të tij në terren nuk ka ndikuar në ndryshimin e qëndrimit të policisë.

“Filmimi dhe dokumentimi i veprimeve të Policisë së Shtetit në hapësira publike, kur kryhen në respekt të rregullave të sigurisë, nuk përbëjnë shkelje, por janë pjesë e ushtrimit normal të profesionit të gazetarit”, thuhet më tej në reagimin e UGSH-së, e cila ngre pyetjen se përse transparenca duhet të perceptohet si kërcënim.

Në një prononcim për Median Amfora, gazetari Aldo Mustafa, i cili punon si gazetar i Report Tv në Durrës, ka deklaruar se në momentin e incidentit ka qenë në krye të detyrës dhe se çështjen tashmë ia ka lënë në dorë organeve të drejtësisë.

Media Amfora i është drejtuar Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës për një koment lidhur me këtë episod, por deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi nuk ka marrë asnjë përgjigje.