Inflacioni gjinor prek Shqipërinë

Projektligji i ri për ripërcaktimin e konceptit të gjinisë ka ngjallur mjaft polemika në opinionin publik shqiptar. Për dekada, gjinia është njohur si koncept i lidhur drejtpërdrejt me seksin e rrjedhimisht është përcaktuar si një binare midis mashkullit e femrës, alias burrit e gruas. Si njeri i rrahur me debatet kulturore të Perëndimit, e koshient për polarizimin që çështja transgjinore ka sjellë në ato shoqëri, kundërshtoj fuqimisht çdo përpjekje për ta ripërcaktuar gjininë/seksin si asgjë më shumë sesa binari burrë-grua. Këtë kundërshti do e shpjegoj në këtë artikull.

Projektligji që vjen në kuadër të anëtarësimit në BE

Projektligji i ri i qeverisë shqiptare për barazinë gjinore ka qenë i shoqëruar nga kritika që në momentin e publikimit të draft-projektit të parë. Në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, qeveria shqiptare po ndërmerr hapa për unifikimin e legjislacionit shqiptar me atë të BE-së. Kjo përfshin një gamë të gjerë temash të debatit publik, si financat e shtetit, lufta ndaj korrupsionit, krimit e pastrimit të parave, ndërtimet e planimetria urbane, si edhe çështje sociale, duke përfshirë sistemin e mbrojtjes ndaj shtresave vulnerabël të shoqërisë apo të drejtave të njeriut. E deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por problemet nisin në momentin kur në emër të rrymave të caktuara ideologjike, goditet “common-sense” i njerëzve dhe e vërteta natyrore.

Ku bazohet e ku e ka fillesën ideologjia gjinore?

Vitet e fundit, dishepuj të lëvizjes LGBTQ në Perëndim kanë shtyrë tre ide, që edhe pse të pranueshme në pamje të parë, përbëjnë në fakt absurd logjik. Këto teza përfshijnë:

  • Idenë se gjinia është një konstrukt social, e rrjedhimisht mund të shpiket apo të lidhet me gjininë e seksit tjetër;
  • Idenë se seksi dhe gjinia janë dy koncepte të ndara, e të palidhura me njëra-tjetrën;
  • Idenë se gjinia është e natyrës “fluide” dhe mund të përcaktohet si spektër midis mashkullores e femërores sipas së cilës një individ mund të jetë biologjikisht femër, por të ketë tipare mashkullore. Nga kjo ide del edhe ideja false e “identitetit gjinor”.

Përpara se të merrem me përgënjeshtrimin e këtyre tezave, do më duhet të jap një histori të shkurtër në raport me prejardhjen e ideologjisë gjinore. Edhe pse Fridrih Niçe (“Friedrich Nietzsche”) nuk ka folur specifikisht për konceptin e identitetit gjinor apo “transgjinorizmit”, kornizat premisore të ideologjisë gjinore u vunë nga filozofi i famshëm gjerman, i cili me tezën e tij të “Vdekjes së Zotit”, asgjësoi të vërtetën objektive që vjen nga Krijuesi dhe e zëvendësoi atë me të “vërtetën” subjektive të njeriut. Sipas Niçes, individi do mund ta përcaktonte vetë si ndihej dhe si identifikohej, një tezë që vërtetohet më së miri në lëvizjen moderne gjinore, e cila është e bindjes se individi mund të identifikohet si gjinia tjetër, si kafshë apo edhe si objekt. Dhe gjuha në projektligjin në Kuvend është e qartë, ku gjinia përcaktohet si koncept që “ka kuptim gjithëpërfshirës në përputhje me parimet e barazisë dhe mosdiskriminimit lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore”. Gjithashtu projektligji kujdeset që termit “gjini” t’i asociojë edhe nocionin e shpikur të “identitetit gjinor”. Në draft-projektligj, koncepti fiktiv i “identitetit gjinor” përmendet si, “Çdo trajtim më pak i favorshëm i një personi për shkak të gjinisë, orientimit seksual, identitetit gjinor, shprehjes së identitetit gjinor ose karakteristikave të seksit, në krahasim me trajtimin që i bëhet, i është bërë ose do t’i bëhej një personi të gjinisë tjetër, në një situatë të njëjtë ose të ngjashme, përbën diskriminim të drejtpërdrejtë për shkak të gjinisë dhe ndalohet. Ky ndalim përfshin edhe diskriminimin ndërsektorial dhe të gjitha format e tjera të diskriminimit”. Pra, në përputhje me parimin e së vërtetës subjektive të Niçes, projektligji njeh “identitetin gjinor” si shembëlltyrën e ndjesisë dhe të vërtetës subjektive. Sigurisht që Niçja nuk është i vetmi kontributor në formëzimin e lëvizjes gjinore moderne. Vetë termi “identitet gjinor” u hodh për herë të parë nga psikologu Robert J. Stoller në vitin 1964, e që më pas u popullarizua nga famëkeqi John Money. E quaj “famëkeq” Money-n duke ditur që eksperimenti i tij me djalin 8 muajsh David Reimer i shkatërroi jetën një familjeje. Money i mbushi mendjen familjes së Reimer që djali t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale për ta kthyer atë në femër, një vendim që i shkatërroi jetën David-it, i cili kreu vetëvrasje në vitin 2002 për shkak të konfuzionit që ideologjia gjinore i kishte shkaktuar. Ideologjia gjinore vijoi rrugëtimin e saj nëpërmjet të ashtuquajturit “kujdes për afirmimin gjinor” dhe “operacionet e ndërrimit të gjinisë” të ndaluara me ligj nga shumica e shteteve të SHBA-ve.

Gjinia dhe seksi përshkruajnë të njëjtën gjë

Për t’u kthyer tek tezat e aktivistëve transgjinorë, vlen të thuhet se ka një gjysmë të vërtete tek ideja e gjinisë si “konstrukt social”. Në të vërtetë, gjinia është konstrukt social, por është krijuar për të shpjeguar realitetin e binarës së seksit. Pra, për të diferencuar midis femrës minorene e femrës adulte, u krijuan termat vajzë e grua dhe për të diferencuar midis mashkullit minoren e atij adult, u krijuan termat djalë e burrë. Pra, edhe pse nomenklaturat e klasifikimit gjinor, pra terma si “burrë” apo “grua”, janë konstrukte sociale siç është çdo fjalë që shërben për përshkrimin e një objekti apo qenieje, gjinia nuk ka kuptim pa seksin sepse gjinia përshkruan seksin. Dhe andaj shoqëria asocion vajzën e gruan me femrën, e burrin e djalin me mashkullin. Kjo sepse seksi dhe gjinia janë ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën. Nga ana tjetër, ideja që një individ është i lindur i seksit mashkull, por pretendon se është vajzë/grua është absurd.

Aktivistët gjinorë abuzojnë edhe me mashkullorinë e feminitetin, që sipas tyre vërteton ekzistencën e gjinisë si spektër. Është e vërtetë që ka meshkuj me tipare më femërore, siç ka edhe femra me tipare më mashkullore, por kjo nuk i bën ata pjesë e gjinisë tjetër. Pra, fakti që një djalë është i shkurtër dhe i pëlqen të shkruajë e artikulojë, karakteristika të asociuara zakonisht me gjininë femërore, nuk do të thotë që djali nuk është djalë/mashkull. Siç një vajzë e gjatë që i pëlqen të ngrejë pesha, mbetet sërish femër/grua pavarësisht karakteristikave më mashkullore të saj.

Vlen gjithashtu të thuhet se transgjinorizmi është në fakt një lëvizje politike e shpikur për të fshehur konditën mjekësore që qëndron pas idesë se një individ, ai/ajo, ka lindur në “gjinine e gabuar”. Kjo konditë quhet “disfori gjinore”, që nga institucioni prestigjioz “Mayo Clinic” konsiderohet një sëmundje mendore, ku “identiteti gjinor i individit bie ndesh me seksin e lindur të atij individi”. Edhe përkufizimi i Mayo Clinic përgënjeshtron dogmat transgjinore sipas së cilave seksi dhe gjinia janë dy gjëra të ndryshme, ku në përkufizim nënkuptohet një kontradiktë midis gjinisë së preferuar dhe seksit të lindur, pra duke konfirmuar që seksi në të cilin një njeri lind vjen me gjininë që e përshkruan atë seks. Kur gjinia e lindur nuk përputhet me gjininë e zgjedhur, kemi qartësisht të bëjmë me një anomali.

Projektligji nuk ripërcakton vetëm termin “gjini”, por ripërcakton edhe binaren e seksit duke shtuar kategorinë “interseks”. Kjo kuptohet, bëhet me qëllim për të thërrmuar idenë se seksi është binar, duke reflektuar fodullëk në raport me sa e rrallë është lindja e një individi si “interseks”. Për shembull, në SHBA, 1.7% e popullatës ka ndonjë prej variacioneve të interseksit, ku më të përhapura janë hibridizimi apo miksimi në një individ i pjesëve seksuale të mashkullit e femrës. Kategoria “interseks” në fakt provon që seksi është binar dhe se organi gjenital përcakton seksin e dikujt. Rastet e rralla ku një individ ka organe gjenitale të të dyja kategorive seksuale janë përjashtimet dhe jo rregulli, e për këto përjashtime sigurisht që nuk do duhej të krijohej një kategori e re. Siç ekziston një konditë e quajtur “polidaktili”, ku individi lindet me 6 gishta në dorë. Pavarësisht se ka raste të rralla të individëve që lindin me 6 gishta në dorë apo edhe individë që lindin me më pak se 5 gishta në dorë, asnjë shtet racional nuk u mëson fëmijëve të vet në shkollë se numri i gishtave në dorë është “spektër”, pra nga 1-6. U mëson se njeriu ka 5 gishta në dorë, sepse shumica dërrmuese e njerëzve kanë 5 gishta në dorë. E njëjta vijë logjike vlen edhe për dokrrën e gjinisë si spektër e si unikorn.

Pse e kundërshtoj idenë e ripërkufizimit të gjinisë?

Nëse ke mbërritur deri në këtë pikë të këtij shkrimi, mund të shtrosh pyetjen: “Si e dëmton shoqërinë shqiptare ripërcaktimi i seksit/gjinisë?”. Ka disa shqetësime që unë do doja t’i sillja në vëmendjen e lexuesit. Së pari, gjinia është binare dhe të mashtrosh në emër të komfortit emocional e dëmton thellësisht një shoqëri. Fabrikat e shëndetshme sociale bazohen tek e vërteta, e cila është objektive, e perceptueshme nga të gjitha shqisat dhe e bazuar në natyrë e biologji. Shoqëritë e gënjeshtërta degradojnë në konfuzion e imoralitet.

Së dyti, mund të ketë një ndikim në rënien e popullsisë së Shqipërisë. Kjo sepse kur u mëson fëmijëve të vënë në pikëpyetje gjininë e tyre, i shtyn drejt pëlqimit ndaj gjinisë së njëjtë, një zgjedhje legjitime në një shoqëri të lirë, por që sigurisht ka pasoja në një shoqëri që po plaket e shpopullohet si asnjë shoqëri tjetër në Evropë.

Së treti, siguria e vajzave dhe grave shqiptare do të vihet në dyshim duke parë përvojat e vendeve si SHBA-ja. Një prej debateve më të zëshme të Presidencialeve Amerikane të 2024-ës, ishte aksesi që disa meshkuj biologjikë me identifikim si vajzë/grua kishin tek dhomat e zhveshjes së vajzave. Ky fenomen kulmoi me fitoren e kampionatit universitar të notit nga “trans-gruaja” (mashkull biologjik) Lia Thomas, i cili kishte marrë hormone për kthim në vajzë, por që sigurisht ruante fuqinë fizike të një mashkulli, e cila i dha një supremaci në raport me vajzat që garonin. Kjo grabitje e trofeve të vajzave nga atletët transgjinorë është pasojë e drejtpërdrejtë e diferencave biologjike midis burrave dhe grave, që gjithashtu shpjegon edhe arsyen se pse vajzat në Universitetin e Pensilvanisë nuk ndiheshin rehat me një mashkull biologjik si Lia, që ndante dhomat e zhveshjes me vajzat duke u hequr si vajzë. Një raportim nga Kombet e Bashkuara tregon se rreth 900 trofe të sporteve të vajzave janë “fituar” nga meshkuj me identifikim gjinor grua dhe me leje speciale nga radikalët “woke”. Paradoksalisht, feministet radikale që pretendojnë të jenë mbështetëse të të drejtave të grave, kanë kyçur gojën për grabitjen e trofeve të vajzave nga meshkuj që identifikohen si vajza, që në fakt të tregon për mish-mashin ideologjik në të cilin ndodhet e majta moderne.

Së katërti, mbetet të thuhet që ky fenomen do ta përçajë shoqërinë shqiptare aq sa nuk thuhet. Përçarjet do të jenë në rrallë të parë të natyrës semantike, që në Perëndim është manifestuar me idenë qesharake të “përemrave të parapëlqyer”, ku burra e gra të rritur kanë humbur punën se kanë refuzuar të përdorin “ajo” për një mashkull që identifikohet si grua dhe e anasjellta. Shumë shpejt shqiptarëve do t’u jepen leksione nga ideologët gjinorë në lidhje me përdorimin e përemrave të “duhur” për mbi 70 gjinitë që këta ideologë njohin. Deri më tani, kur kemi të bëjmë akoma me projektligj e jo me ligj në Fletoren Zyrtare, debatet janë të zjarrta, andaj parafytyroni polarizimin social kur ky projektligj të kthehet në ligj. Gjasat që kjo e fundit të ndodhë janë të mëdha. Shqipëria sot vuan nga shpopullimi, korrupsioni, niveli “razoterra” i arsimit, varfëria e papunësia dhe këto probleme duhen adresuar me vullnet politik e publik. Shpërqendrimi me jo-probleme si zgjerimi i përkufizimit të gjinisë në emër të një koncepti “parafabrikat” të të drejtave të njeriut, nuk i bën mirë Shqipërisë e shqiptarëve.

Së fundmi, futja e këtyre dispozitave pa konsultim me grupet e interesit është e paprecedentë. Është raportuar në media se drafti fillestar i projektligjit nuk përfshinte ripërcaktimin e gjinisë dhe seksit, por ka qenë “Aleanca LGBT” e cila ka kërkuar përfshirjen e dispozitës në projektligj, e rrjedhimisht duke provokuar një debat të paqenë, e të panevojshëm në shoqërinë shqiptare. Pra një organizatë ka akses të drejtpërdrejtë tek ligjvënia duke propozuar ide të kundërshtuara nga shumica dërrmuese e shqiptarëve, siç konfirmohet dhe në një sondazh të fundit të Televizionit “News 24” tregon se 81% e shqiptarëve refuzojnë ripërcaktimin e gjinisë e seksit jashtë binares burrë-grua.

Për arsyet e sipërpërmendura, kundërshtoj fuqimisht projektligjin e ri për “barazinë gjinore”, bashkë me dispozitën qesharake dhe anti-biologjike të përcaktimit të gjinisë e seksit, si çdo gjë tjetër përveçse binarit mashkull-femër. Shoqëria shqiptare duhet të ngrihet për të mbrojtur të vërtetën dhe bazat e shoqërisë së ndershme e të pastër.

Ruel Domi

Ai është diplomuar në "Concordia College" (Minnesota, SHBA), për "Financë" dhe "Shkenca Politike" ("Magna Cum Laude"). Gjatë studimeve ka qenë aktiv në kërkime dhe debate mbi politikat publike dhe zhvillimet globale. Ka ndjekur "Spring Policy Academy", të "The Heritage Foundation", në Washington DC, ku është trajnuar mbi buxhetin federal, ekonominë amerikane dhe sigurinë kombëtare. Kontribuon rregullisht me analiza mbi zhvillimet politike, ekonomike dhe sociale në median shqiptare dhe ndërkombëtare. Që prej vitit 2024 drejton podcastin “Politikë Javore me Ruelin”, ku trajton temat kryesore të javës në politikën shqiptare dhe botërore, me një qasje të drejtpërdrejtë dhe të argumentuar. Aktualisht është fokusuar në analizën e politikave socio-ekonomike dhe kulturore, duke mbështetur ekspertizën e pavarur në debatin publik shqiptar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *