Deputeti Pandeli Majko refuzoi gazetaret duke shtyer mikrofonat, organizatat: “Akt antietik dhe fyes”

Nisja e seancës plenare të së enjtes shënoi një rast jo etik, të kryer nga deputeti socialist Pandeli Majko, i cili pyetjes insistuese të gazetares Eksiola Shehu dhe të kolegeve, ju përgjigj me shtyrjen e mikrofonave, veprim i cili është dënuar menjëherë nga organizatat e mbrojtjes së gazetarëve. Majko kërkoi ndjesë më pas edhe përballë kritikave të kolegeve të opozitës.

Paraditen e së enjtes gazetarët që mbulojnë ngjarjet politike të vendit ishin vendosur përpara godinës së Kuvendit, në pritje të deputeteve që do të futeshin në seancën plenare. 

Drejt sallës u drejtua edhe deputeti Pandeli Majko, i cili ndërsa është pyetur nga gazetarët nëse ndihej i rrezikuar me ndryshimet që ka bërë kryeministri Edi Rama për listat e hapura dhe të mbyllura për t’u rizgjedhur deputet, ka shtyrë mikrofonat, veprim ky që ngjalli reagimin e organizatave të mbrojtjes së gazetarëve.

“Ju si drejtues politik, duke i’u referuar 2020-ës mund të rrezikoni zgjedhjen deputet”, dëgjohet të jetë pyetur Majko, nga gazetarja Eksiola Shehu, nga televizioni “EuroNews” Albania. 

Deputeti Majko refuzoi t’i përgjigjej pyetjes së gazetares dhe ndëhyrjeve të kolegëve të saj, duke i shtyrë mikrofonët.

“Të lutem tani…”. Kështu dëgjohet të ketë thënë deputeti duke i’u drejtuar Kuvendit, ndërsa në krah të tij qëndronte gazetarja Shehu, e cila dallonte se ishte shtatzënë.

Pas këtij episodi jo të hijshëm reagoi reagoi Unioni i Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) dhe Shoqata e Gazetarëve Europian, seksioni shqiptar.

Sipas deklaratës së UGSH-së gjesti i deputetit, ai i shtyrjes me nervozizëm i mikrofonit dhe refuzimi për komunikim ndaj gazetarëve përbën një akt antietik dhe fyes. 

“Ky gjest vjen prej një politikani me karrierë dhe jetë të gjatë politike dhe dëshmon qartazi, ikje prej detyrimit publik për komunikim, reagim dhe transparencë të demokracisë së brendshme të forcës politike së cilës i përket”, shkroi Unioni në deklaratë. 

Ajo vijoi duke shpjeguar se në rastin e gazetares Shehu, një gjest i tillë përkon me faktin e një zonje shtatzënë, e cila ishte në krye të detyrës dhe meritonte sjelljen etike prej politikanit.

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë i adresoi zotit Majko thirrje për ndjesë publike ndaj gazetares dhe apeloi që deputetët të jenë bashkëpunues me të gjithë gazetarët, të cilët investohen për transparencë dhe informim të publikut.

Shoqata e Gazetarëve Europian (AEJ), seksioni shqiptar, në një reagim në rrjetin social “Facebook” e dënoi sjelljen e Majkos dhe kërkoi reagim nga kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, për të mbrojtur të drejtat e gazetarëve nga sjelljet që cenojnë punën dhe misionin e tyre, duke e cilësuar si një akt intimidues.

“Shtyrja me forcë e gazetarëve Eksiola Shehu, Raziela Myslimaj, Fjoralba Beleshi, të cilat në mënyrë etike dhe profesionale i kërkuan një reagim publik, është një akt i dënueshëm dhe intimidues ndaj mediave”, shkruhej në deklaratën e AEJ, seksioni shqiptar

Më pas gjatë seancës parlamentare deputeti socialis Pandeli Majko, mori fjalën për të kërkuar falje për incidentin dhe në veçanti ndaj gazetares që ishte shtatzënë.  

“Dëshiroj të shpjegoj se e vlerësova që të kërkoj një ndjesë karshi gazetarëve për shtyrjen e mikrofonëve sot në mëngjes. Ndjesën më të veçantë ja kërkoj gazetares që ka qenë shtatzënë”, tha Pandeli Majko, i cili u kritikua edhe nga koleget gra të opozitës për këtë gjest.

Gjestet fizike për të penguar gazetarët të bëjnë punën e tyre janë regjistruar më së shumti nga socialistët, teksa më 19 mars të këtij viti kryeministri Edi Rama ju përgjigj me komente nënçmuese pyetjes së gazetares Ambrozia Meta, duke e shtyrë atë fizikisht në zonën e fytyrës. 


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109