Tubi i ujësjellësit po e degradon monumentin antik në Durrës

Prej 27 vitesh një tub për furnizimin me ujë të pijshëm përshkon përmes Forumin Rrethor në Durrës, një monument i shekujve V-VI të Erës Sonë. Tubi plastik ka rrjedhje të shumta përgjatë tij, të cilat po degradojnë strukturat arkeologjike, ndërsa Ujësjellësi i Durrësit mbetet në pritje të projekteve dhe kredieve të huaja, për ta riparuar dhe zhvendosur në një zonë tjetër.

Brikena Shkodra-Rrugia është arkeologe në Institutin e Arkeologjisë dhe e nisi karrierën e saj në Forumin Rrethor, një monument unik në Shqipëri, i cili mendohet se i përket shekujve V-VI të Erës Sonë.

Ajo ishte studente kur në vitin 2000 u përfshi në gërmimet për zbulimin më tej të strukturës antike. Shumë gjëra kanë ndryshuar në qytetin e Durrësit, por tubi plastik që e përshkon përmes monumentin mbetet po aty, si në ditën e parë kur arkeologia nisi rrugëtimin e saj profesional.

“Rasti dhe rastësia e deshi që unë të gërmoja ekzaktësishtë aty ku kalon tubi”, tregoi arkeologia, e cila u rikthye për të disatin vit rasdhazi për të zbuluar më tej monumentin. Tubi i shërben furnizimit me ujë të lagjes 11 të qytetit dhe fillimisht ishte shqetësues nga ana estetike, teksa tashmë prej disa vitesh rrjedhjet e tij të shumta po dëmtojnë monumentin.

“Në dy pikat më të rëndësishme të strukturës, në dy elementët ku tubi mbështetet, muri i anës juguore të ambientit dhe shkalla funksionale që lidh dy katet e kësaj strukture, pikon ujë në të dyja këto pjesë”, tregoi arkeologia për ndikimin e tubit në strukturën e zbuluar këtë vit.

“Tubi prek stukturat dhe për fat të keq të dyja këto struktura janë çdo ditë nën lagështirën e ujit që rrjedh sa herë që ujësjellësi hap rubinetin për të shpërndarë ujë në banesat e qytetarëve”, shpjegoi arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia.

Tubi plastik tashmë i dalë boje, vende-vende rrjedh sa herë që zona furnizohet me ujë të pijshëm dhe teksa kalon përgjatë të gjithë monumentit, qëndron i fiksuar në disa mbajtëse metalike të vendosura në tokë. 

“Ky është një tub plastik 150 mm që lidh unazën e rrjetit të ujësjellësit për furnizimin me ujë të lagjes 11 të qytetit”, sqaroi në një përgjigje zyrtare për Median Amfora, Shoqëria Rajonale e Ujësjellës Kanalizimeve Durrës (SHRUKD).

Tubi i ujësjellësit e përshkon në të djathtë të gjithë Forumin Rrethor. Foto Media Amfora

Sipas ujësjellësit tubi është vendosur aty në vitin 1996 dhe uji e përshkon atë çdo ditë në oraret e furnizimit. Megjithëse dukshëm larg standardeve bashkëkohore, në 27 vite ujësjellësi nuk i ka dhënë zgjidhje zhvendosjes së tij, megjithëse ai dëmton monumentin dhe imazhin e tij, teksa fiksohet në fotot e vizitorëve.

“Për momentin nuk mund të bëhen ndërhyrje sepse rruga që kalon ngjitur me monumentin është mjaft e ngushtë, por ky problem pritet të zgjidhet kur të ndërtohet rrjeti i ri i furnizimit me ujë për këtë zonë të qytetit”, sqaroi Ujësjellësi i Durrësit. 

Më herët edhe Ministria e Kulturës ka depozituar kërkesë për zhvendosjen e tubit, por ujësjellësi ka parë të pamundur ndërhyrjen dhe e pret zgjidhjen pas ndërtimit të rrjetit të ri të qytetit. 

“Kemi marrë kërkesë nga Ministria e Kulturës për zhvendosjen e tubit, por u kemi shpjeguar situatën dhe rastin konkret”, shpjegoi përgjigja e Ujësjellësit të Durrësit. 

Rrjedhjet e përditshme të ujit në disa pika të tij shqetësojnë ekspertët e arkeologjisë, në monumetin që gëzon shkallën më të lartë të mbrojtjes, të Kategorisë së Parë.

“Myqet që krijohen në rastet e një sipërfaqeje murale që është vazhdimisht nën efektin e ujit”, renditi pasojën e parë për monumentin, arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia.

“Por efekti në kohë ka për të qënë më i madh sepse llaçi që e mban strukturën e lidhur do të shpërbëhet nga lagështira e vazhdueshme”, tregoi ajo më tej. 

Teksa Ujësjellësi i Durrësit e sheh të largët zhvendosjen e tubit, riparimi i pikave në të cilat ka rrjedhje uji dhe  që ndikon edhe në humbjet në rrjet, po ashtu duket i largët.

“Në qoftë se nuk do të merren masa për atë tubacion uji për ta zhvendosur në një pozicion tjetër, që të mos e preki më strukturën, duhet që minimalisht të riparohen dëmet”, apeloi arkeologia Brikena Shkodra-Rrugia. 

“Shoqëria ka bërë gati projektet për rikonstruksionin e rrjetit të ujësjellësit për zonën e qytetit dhe në bashkëpunim me Qeverisjen Qendrore është bërë i mundur miratimi i kredisë me anë të Agjencisë Franceze për Zhvillim, pjesë e të cilit është rikonstruksion i rrjetit shpërndarës në qytet, me në fokus furnizimin 24 orë me ujë të qytetit”, shpjegoi ujësjellësi.

“Në momentin që do të zbatohet ky projekt, do të marrë zgjidhje edhe problemi i tubit plastik që kalon tek Forumi Bizantin”, përfundoi përgjigja e Ujësjellësit të Durrësit.

Tubi i ujësjellësit vështirësoi gërmimet arkeologjike të kësaj vere. Foto Media Amfora

Forumi Rrethor, i njohur edhe si “Forumi Bizantin”, është një nga pasuritë e rëndësishme të qytetit antik të Durrësit, i cili herë pas here nxjerr në dritë thesare të çmuara për historinë dhe arkeologjinë. 

Në ekspeditën e këtij viti, arkeologët për herë të parë zbuluan ambientin e një banje që i përket fundit të shekullit VI, gjë e cila dëshmon për nivelin e jetesës dhe kushtet e higjienës në qytetin e Durrësit. 

Ndërsa sot qyteti duket larg këtij standardi, pasi pjesa më e madhe zonave ku është përqendruar popullsia, si Shkozeti, Ish-Këneta, Spitalla apo Porto-Romano, kanë pjesërisht rrjet për largimin e ujërave të përdorura (“të zeza”) që dalin nga banesat dhe bizneset, duke shkaktuar ndotje të lartë mjedisore.


Notice: ob_end_flush(): failed to send buffer of zlib output compression (0) in /home3/nwmcvqij/public_html/wp-includes/functions.php on line 5109