Vjedhja e identitetit të gazetarit Armand Bajrami ekspozon rrezikun e sulmeve digjitale 

Vjedhja e identitetit të gazetarit Armand Bajrami dhe përdorimi i tij në mënyrë të paligjshme shënoi një precedent të ri në sulmet digjitale ndaj punonjësve të medias. Eksperienca me zbardhjet e pakta të sulmeve fizike ndaj gazetarëve, dëshmon për një sfidë edhe më të madhe në zbardhjen e atyre me natyrë digjitale.

Gazetari me përvojë Armand Bajrami, njoftoi të enjten se po përballet me një sulm kibernetik, pasi një person i panjohur i ka vjedhur identitetin, të cilin po e përdor për të mbledhur informacione nga institucionet e drejtësisë. 

Bajrami, një reporter i çështjeve gjyqësore dhe të krimit në Tiranë që prej vitit 2007, njoftoi përmes një postimi në “Facebook” se një person i paidentifikuar ka hapur një adresë postare elektronike false, me emrin, mbiemrin e tij dhe në një domain ku ai nuk ka pasur asnjëherë llogari.

“Në emailet ku pretendon të jetë Armand Bajrami, gazetar në A2 CNN, bashkangjit një fotokopje të ID-së sime, që nuk e di si e ka siguruar, numrin tim të telefonit si edhe adresën zyrtare të televizionit A2 CNN, ku unë punoj”, shkroi në postimin e tij gazetari.

Sipas Bajramit personi që i ka vjedhur identitetin po i përdor të dhënat e tij personale për të dërguar kërkesa për informacion në institucionet e ndryshme të drejtësisë.  

“Një plan gati perfekt, me qëllime të paqarta”, e komentoi ngjarjen gazetari me përvojë.

Për studiuesit e medias dhe të sigurisë digjitale, në këtë rast kemi të bëjmë edhe me një cenim të integritetit profesional dhe personal të punonjësve të medias, që deri më tani ishte parë në mesazhet kërcënuese apo sulmet ndaj llogarive personale në mediat sociale.

“Vjedhja e identitetit dhe përdorimi për qëllime të tjera dhe pa dijeninë e gazetarit, është cenim i integritetit të profilit të tij profesional, personal dhe cenon gjithashtu dhe marrëdhënien e gazetarit me publikun apo me institucionet me të cilat ai ndërvepron”, e komentoi rastin Blerjana Bino.

“Ne vlerësojmë që ky është një rast delikat dhe që kërkon vëmendjen maksimale të autoriteteve, në mënyrë që të krijohen precedentë pozitivë që vjedhja e identitetit të gazetarëve nuk tolerohet, por hetohet dhe fajtorët ndëshkohen”, shtoi Bino, përfaqësuese në Shqipëri e “Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt”.

Gazetari Armand Bajrami ka depozituar kallëzime penale pranë institucioneve ku janë dërguar kërkesat për informacion nga personi që i ka vjedhur identitetin.

“Pasi u njoha me këto episode, me shqetësim kam nxituar të bëj kallëzim penal pranë Prokurorisë së Tiranës dhe asaj të Elbasanit, territore në të cilat kanë mbërritur emailet”, shkroi ai. 

Bajrami ngriti shqetësimin se të dhënat personale kanë rrjedhur nga burime që duhej t’i mbronin ato.

“Kopjen e kartës sime të identitetit e kam lënë vetëm në institucione publike apo private, ku (në parim dhe sipas ligjit) duhet të më mbrohen të dhënat personale”, komentoi gazetari. 

Për studiuesen e medias dhe të sigurisë digjitale ky rast është delikat dhe si i tillë kërkon vëmendjen maksimale të autoriteteve shtetërore, duke ekspozuar brishtësinë e sigurisë në internet në vendin tonë.

“Është një rast që tregon për brishtësinë e sigurisë digjitale të gazetarëve në Shqipëri, një çështje që ne e kemi ngritur në çdo raport dhe që bashkë me rrjetin dhe SCiDEV [organizatë joqeveritare], po punojmë për fuqizimin e gazetarëve dhe mediave sa i takon sigurisë digjitale”, shtoi Bino.  

Për vetë gazetarin shqetësimi është serioz, pasi mund ta përfshijë atë apo median ku ai punon në situata të paqena. 

“Shqetësimi është serioz, pasi ky person përmes adresës së falsifikuar, mund të komunikojë me persona apo institucione të tjera, nën emrin tim, apo të televizionit A2 CNN, duke më vendosur në situata të paqena, ndoshta edhe penale”, shkroi gazetari. 

Bajrami komentoi se beson se autoritetet ku ka bërë denoncimet do të bëjnë punën e tyre, duke theksuar për këdo që të mos marrin parasysh emailet e mbritura nga adresa që nuk disponohet prej tij, me domainin “@protonmail.com”.

“Është e rëndësishme edhe solidarizimi me rastin e Armandit dhe të bëhet ndërgjegjësimi dhe aftësimi i plotë i gazetarëve apo profesionistëve të medias për mënyrat e mbrojtjes së të dhënave personale dhe përforcimin e sigurisë së tyre digjitale”, përfundoi komentin për Median Amfora, Blerjana Bino.

Media Amfora ka raportuar më herët se Prokuroria e Tiranës ka dështuar të hetojë me sukses sulmet fizike ndaj gazetarëve, duke ngritur shqetësimin për hetimin e rasteve të sulmeve kibernetike, të cilat këkrojnë më shumë ekspertizë për të gjurmuar keqbërësit.