Çmime për aktivistët e aftësisë së kufizuar, me pjesëmarrjen e aktorit hollivudian RJ Mitte

Për të gjashtin vit është organizuar “Dita Kombëtare e Aktivizmit”. Tema e këtij viti ishte “Aftësia e kufizuar dhe gjithëpërfshirja”, duke u shoqëruar me shpërndarjen e 5 çmimeve për aktivistët në këtë fushë dhe me “Panairin e Aktivizmit”, që u zhvilluan me pjesëmarrjen e aktorit hollivudian, “RJ Mitte”.

“Dita Kombëtare e Aktivizmit” bashkoi në të gjithë Shqipërinë aktivistë dhe organizata të shoqërisë civile, të cilët organizuan aktivitete me qëllim evidentimin e nevojës që shoqëria ka për vullnetarizmin dhe angazhimin në përmirësimin e jetës në komunitet.

Ditën e djeshme në Tiranë u organizuan një sërë aktivitetesh, që kulmuan me shpërndarjen 5 çmimeve për kontributin ndaj personave me aftësi të kufizuara dhe “Panairi i Aktivizmit”, të cilat u zhvilluan me pjesëmarrjen e veçantë të aktorit të Hollivudit, “RJ Mitte”. Tema e këtij viti ju dedikua personave me aftësi të kufizuar dhe gjithëpërfshirjes së tyre.

“Jemi mësuar që njerëzit të na thonë shpesh nuk mundesh. Nuk mundesh të bësh këtë ose atë. Por unë dua t’ju them se kjo është një gënjeshtër”, u shpreh “Rj Mitte”, i cili është i njohur për rolin e tij si, “Walter White Jr.”, në serialin “Breaking Bad”.

“Kurrë nuk duhet të kesh frikë për të treguar se kush je. Ajo që duhet të bësh është të dukesh dhe të shihesh dhe kurrë të fshihesh”, shtoi ai. 

Përgjatë ceremonisë u shpërndanë 5 çmime për aktivizmin në fushën e promovimit të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. “Çmim i Mirënjohjes” ju dha organizatës “MEDPAK”, me përfaqësuese Zela Kokën, “Çmimi i Kurajos” ju dha Gersi Trokës, i riu me “Sindromën Down”, i shquar për arritjet në kampionatet e notit.  

“Çmimi i aktivizmit si organizatë” ju dha “Shoqatës Kombëtare Shqiptare të Njerëzve që nuk Dëgjojnë” (ANAD), ndërsa “Çmimi i aktivizmit si individ” ju dha Suela Lalës, e njohur për kontributin e saj në advokimin për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. “Çmimi i angazhimit komunitar” ju dha Fondacionit “OAZ”. 

“Dua t’i uroj të gjithë të nominuarit sepse ju e bëni diferencën, jo vetëm në këtë vend, por edhe në botë. Shoqëria juaj po rritet dhe më pëlqen shumë përfshirja juaj”, komentoi aktori i njohur hollivudian.

“Aktori e përfaqëson më të miri aktivizmin, pasi ka pasur një rol të rëndësishëm kundër bullizmit”, theksoi në ceremoni i Ngarkuari me Punë i Ambasadës Amerikane në Tiranë, David Wisner.

Në qendër, aktori i Hollivudit, “RJ Mitte”, me organizatorët. Foto: Media Amfora

“Dita Kombëtare e Aktivizmit”, e njohur me shkurtimin NAD (“National Activism Day”), është një ditë e dedikuar për aktivizmin qytetar të të gjitha formave dhe që ndodh në të gjithë vendin. 

Ajo organizohet nga Co-PLAN, Instituti për Zhvillimin e Habitatit, në bashkëpunim me Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Këtë vit ajo ishte pjesë e “Javës Amerikane” në Shqipëri.

“Faleminderit nga zemra që na ndihmoni jo vetëm që të festojmë së bashku në këtë ditë të shënuar nga ne, por mbi të gjitha është një mënyrë që ne të mund të tregojmë se mund ta kultivojmë këtë kulturë dhe po ja dalim”, komentoi Aida Ciro, përfaqësuese e Co-PLAN.

Fjala e saj ishte pjesë e një lidhje direkte me organizatat që zhvilluan aktivitete në të gjithë Shqipërinë. Ndërsa në Sheshin Italia në Tiranë, u bënë bashkë mbi 40 organizata të shoqërisë civile, të cilat përmes “Panairit të Aktivizimit” ndërvepruan me të pranishmit. 

Banda Frymore “The Door Albania”. Foto: Media Amfora

Qendra Amfora ju bashkua këtij panairi, duke treguar për pjesëmarrësit teknikat që mund të përdorin si aktivistë për të marrë dokumentet publike, për tu angazhuar në nivel lokal dhe për të ndërtuar marrëdhënie me mediat. Gjithashtu ata u njohën me ciklin e videove “Kultura në 1 Minutë” dhe me mekanizmin e “Raportimit të Qytetarëve të Angazhuar“.

Emocione të forta u shkaktuan me performancat Bandës Frymore “The Door Albania”, nga Shkodra, në të cilin marrin pjesë instrumentistë me aftësi të kufizuara. Gjithashtu me performancat e tjera të fëmijëve të organizuar nga “Caritas Albania”, “Organizata klubi kombëtar i prindërve të fëmijëve me çrregullime të spektrit autik”, shoqëruar me performancën e këngëtares me aftësi të kufizuar, Blerina Shalari.

Ky është viti i gjashtë i “Ditës Kombëtare të Aktivizmit” dhe përgjatë 5 viteve të fundit mbi 160 organizata lokale dheaktivistë janë bërë pjesë përmes aksioneve praktike, të organizuara në Shqipëri apo si pjesëmarrjes në “Panairin e Aktivizmit”, të zhvilluar në Tiranë.