Vdekja e turistit në Kalanë e Shkodrës, dyshohet për shkaqe natyrale 

Vdekja e një 65 vjeçari slloven në Kalanë e Shkodrës u raportua fillimisht nga policia si aksidentale, por dyshimet pas ngjarjes janë se ai ndërroi jetë si shkak i një arresti kardiak. Përfaqësuesit e Drejtorisë së Kulturës në Shkodër theksuan se Kalaja e Rozafës ka masa me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Vizita turistike e një 65 vjeçari slloven në qytetin e Shkodrës shënoi ditën e fundit të tij, pasi ndërroi jetë në kalanë mbi kodrën shkëmbore në hyrje të qytetit. 

Ngjarja u njoftua nga policia në orët e para të mbrëmjes të së mërkurës dhe lajmi për vdekjen e turistit slloven u shpërnda me shpejtësi, si një ngjarje aksidentale e ndodhur në monument. Media Amfora mësoi se arsyeja e vërtetë e humbjes së jetës së turistit erdhi për shkaqe natyrale.

Fillimisht Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Shkodër sqaroi se turisti kishte ndëruar jetë për shkak të dëmtimeve. 

“Rreth orës 19:00, shtetasi slloven S. P., 65 vjeç, banues në Slloveni, dyshohet se është rrëzuar aksidentalisht, teksa ishte duke vizituar Kalanë e Rozafës”, njoftoi Policia e Shkodrës për median.

“65-vjeçari është dërguar menjëherë në spital, por për shkak të dëmtimeve të marra në kokë ka humbur jetën”, shtoi njoftimi i policisë pas ngjarjes. 

Një ditë më pas grupi hetimor nën drejtimin e prokurorit e ka klasifikuar ngjarjen si aksidentale dhe po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të saj.

“Pasi janë pyetur personat të cilët kanë qenë në shoqërinë e 65 vjeçarit, është mësuar se ai ka pasur probleme shëndetësore dhe dyshohet se ka humbur jetën nga arresti kardiak”, sqaroi sot Policia e Shkodrës për Median Amfora.

Në lidhje me ngjarjen kanë dhënë dëshmi edhe punonjësit e kulturës në Kalanë e Rozafës, të cilët kontestuan informacionet paraprake se turisti humbi jetën “pas rënies nga kalaja” apo në rrethana të ngjashme.  

“Sqarojmë opinionin publik lidhur me këtë ngjarje se nga dëshmitë e punonjësve turisti ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja dhe grupi turistik i guidës dhe sapo ka hyrë në Kalanë Rozafa, personi nuk është ndjerë mirë”, sqaroi Besara Podgorica.

Podgorica, drejtoreshë e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore (DRTK) Shkodër shpjegoi më tej për Median Amfora se është kërkuar ndihma mjekësore sapo turisti ka humbur ndjenjat.

“Gjendja shëndetësore është shoqëruar me humbje ndjenjash, ndërkohë që është kërkuar ndihma mjekësore në mënyrë të menjëhershme dhe sipas mjekëve të urgjencës në Spitalin Rajonal të Shkodrës, paraprakisht dyshohet se turisti ka patur simptoma të një arresti kardiak”, sqaroi ajo. 

Ndërsa pritet përfundimi i ekspertizës mjeko-ligjore, drejtoresha e DRKT Shkodër tregoi se kalaja i ka elementët e sigurisë për parandalimin e aksidenteve gjatë vizitave në monument.

“Kalaja Rozafa e ka të gjithë infrastrukturën e nevojshme lidhur me mirëmbajtjen dhe sigurinë brenda perimetrit të sitit, gardhe të posaçme kufizuese në oborret e kalasë, sinjalistikën orientuese si edhe një bashkëpunim shumë të mirë me të gjithë organet e rendit”, përfundoi ajo.

Përgjegjësi i Sektorit të Parqeve Arkeologjike Rozafa-Lezhë në DRTK Shkodër, Helidon Sokoli, theksoi se këtë verë në kala janë zhvilluar dy aktivitete me pjesëmarrje të gjerë dhe nuk është shënuar asnjë incident.  

“Në kala këtë verë u zhvilluan dy evente, ‘Za Fest’ dhe ‘Tuba Fest’, me qindra pjesëmarrës dhe nuk pati asnjë incident apo dëmtime njerëzish”, tregoi Sokoli.

“Deri më sot nuk kemi patur asnjë dëmtim fizik të vizitorëve nga lëvizja në sit. Unë flas me përgjegjësi të plotë prej 17 vitesh si përgjegjës i atij siti”, përfundoi ai.