Vijimi i shpifjeve ndaj gazetares Ola Xama dënohet nga organizatat, ambasadat solidarizohen për 8 mars

Një fushatë e re shpifjesh u regjistrua ndaj gazetares Ola Xama, duke ngritur përsëri shqetësimin e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt dhe organizatave të medias. Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas ambasadat në vendin tonë e sollën Xamën si një model të gruas profesioniste që lufton për të vërtetën.

Pas korrikut të vitit 2023, në fillim të muajit mars një fushatë e re denigruese dhe shpifjesh u regjistrua kundër gazetares Ola Xama, e cila pas publikimit të një artikulli u përball në atë kohë me sulme verbale nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt shpreh shqetësim të thellë dhe zhgënjim mbi vijimin dhe intensifikimin e fushatës së shpifjeve kundër gazetares Ola Xama”, shkruajti më 7 mars në një deklaratë aleanca e organizatave të medias në rajonin e Ballkanit.

“Në një seri të re artikujsh në platformat si gazeta e përditshme DITA dhe Prapaskena, Xama është sulmuar si ‘e përdalë’, ndërsa ekspozimi i adresës së saj private dhe sulmet ndaj familjarëve të saj janë jo vetëm të dënueshme, por edhe një përpjekje e hapur për ta frikësuar dhe për ta shtyrë atë drejt heshtjes”, shkruajti Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Ndërsa në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, më 8 mars, kolegët gazetarë, organizatat e të drejtave të njeriut dhe përfaqësi të ndryshme diplomatike në Shqipëri shprehën solidaritet me gazetaren.  

“Sot më shumë se kurrë qëndrojmë në mbështetje të grave si gazetarja Ola Xama”, shkruajti Ambasada e Mbretërisë së Holandës në një postim në mediat sociale.  

“Modele të tilla luftojnë për të vërtetën dhe vendosin standardet për gratë dhe burrat që kontribuojnë për të ndërtuar institucione të forta dhe për të luftuar korrupsionin në Shqipëri,” vijoi deklarata, e cila u nda edhe nga zyra e Delegacionit Evropian në Tiranë. 

Ola Xama është një gazetare profesioniste me eksperiencë të gjatë në televizionet e vendit, duke u profilizuar tek raportimi i thelluar për çështjet e ekonomisë. Sulmet ndaj saj nisën pasi publikoi një artikull bazuar në hetimet e SPAK për koncesionin e mbetjeve në Tiranë.

Pas publikimit të investigimit me titull, “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK”, në median Reporter.al (BIRN Shqipëri), ishte vetë kryebashkiaku Erion Veliaj që i shkruajti një mesazh privat, duke e cilësuar si “vrasëse me pagesë” dhe “militante”. 

Menjëherë pas kësaj Xama u vendos nën sulm nga një numër mediash. Fushata u rishfaq në fillim të marsit të këtij viti, pasi gazetarja depozitoi dy padi për shpifje ndaj gazetës së përditshme “DITA” dhe medias në internet, “Prapaskena”.

Pa cituar fakte dhe argumente që lidhen me profesionalitetin e saj, fushata u fokusua në detaje të jetës private që ekspozonin të dhënat personale të Xamës, familjarëve të saj, si pjesë e publikimeve spekulative të nisura që në verën e vitit 2023.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt, Shoqata “Gazetarët Profesionistë të Shqipërisë” dhe Instituti i Mediave Online e Sociale (IMOS Albania), shprehën solidarizimin me Xamën dhe e konsideruan sulmin si një tentativë për të detyruar gazetaren të heshtë.  

“Ne i bëjmë thirrje mediave në fjalë të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre të pabaza dhe dëmtuese kundër gazetares Xama dhe të respektojnë standardet e integritetit dhe etikës në gazetari”, shkruhej në deklaratë.